Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken po qëndron në Lindjen e Mesme, ku pritet të shtojë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës dhjetë mujore në Gazë. Në takim me zyrtarët e lartë izraelitë sot, Sekretari Blinken i quajti përpjekjet për arritjen e armëpushimit “një moment vendimtar dhe mbase të fundit” për arritjen e paqes së qëndrueshme. Por edhe pse gjasat për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi janë të larta, sipas analistëve zbatimi i saj paraqet një sfidë.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po realizon vizitën e tij të nëntë në Izrael që prej sulmit të grupit militant Hamas më 7 tetor, për t’u dhënë peshë përpjekjeve diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Gazë.
Në takim me zyrtarët izraelitë ai tha se përpjekjet diplomatike, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari mbase janë mundësia e fundit për të siguruar lirimin e pengjeve dhe për të shmangur përshkallëzimin e luftës.
“Ky është një moment vendimtar. Sigurisht mundësia më e mirë, mbase edhe e fundit për të siguruar lirimin e pengjeve, për të arritur armëpushimin dhe për t’i drejtuar proceset drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme…”, tha zoti Blinken.
Ai tha se është gjithashtu e rëndësishme që asnjëra palë të mos ndërmarrë veprime të cilat mund ta dëmtojnë këtë proces, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje për të frenuar përshkallëzimin.
Sekretari Blinken po viziton Izraelin mes shqetësimeve për sulme të mundshme nga Irani dhe grupet e afërta me të, pas operacioneve izraelite që vranë udhëheqës të lartë të grupeve militante në Liban dhe atentatit ndaj udhëheqësit politik të Hamasit në Iran, prapa të cilit dyshohet se qëndron Izraeli.
Një bombë shpërtheu në Tel Aviv të dielën mbrëma, pak orë pas fillimit të vizitës së zotit Blinken në Izrael. Përgjegjësinë për sulmin e morën Hamasi dhe grupi ‘Xhihadi Islamik’. Sipas mediave izraelite, në shënjestër të sulmit ishte një sinagogë.
“E di që ky është një moment i vështirë në Izrael, me shqetësime të thella rreth mundësisë së sulmeve nga Irani, nga Hezbollahu dhe grupet tjera. Siç ka thënë Presidenti Biden, Shtetet e Bashkuara po marrin hapa vendimtarë për të vendosur forca që do të parandalojnë sulme dhe nëse ka nevojë, për t’u mbrojtur nga sulmet”, shtoi Sekretari Blinken.
Ndërmjetësit pritet të takohen gjatë kësaj jave në Kajro, ku Sekretari Blinken do të qëndrojë të martën. Marrëveshja që po diskutohet pritet të ketë tre faza: lirimin e të gjitha pengjeve nga Hamasi, tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza dhe lirimin e të burgosur palestinezë.
Sipas ekspertit të sigurisë kombëtar, Howard Stoffer pranë Universitetit ‘New Haven’ edhe nëse palët bien dakord, zbatimi i marrëveshjes do të jetë i ndërlikuar.
“Mund të ketë dallim midis palëve se kush mund të lirohet. Procesi i tërheqjes nga Gaza është i komplikuar ngaqë Kryeministri Netanyahu kërkon që të vendosen kufizime që në veri të Gazës tpë moas hyjnë persona të armatosur nga jugu ”, deklaroi ai.
Autoritetet izraelite ndërkohë thanë se po bëjnë përgatitjet për t’u përballur me një sulm të mundshëm në qytetin verior të Haifës. Në afërsi të portit, spitali Ramdam po transformon parkingun e tij nëntokësor në një hapësirë ku mund të zhvendosen 1200 shtretër të spitalit, në rast të një sulmi që mund të zgjasë 60 ditë.
Grupi militant Hezbollah, të cilin qeveria amerikane e ka shpallur organizatë terroriste, ka goditur pjesën veriore të Izraelit me raketa dhe dronë në baza ditore.
“Izraeli nuk është i rrethuar nga vende mike. Po përgatitemi për sulm dhe jemi gati për çdo situatë. Ekzistojnë përpjekje diplomatike për të shtensionuar situatën, por ne po bëhemi gati për çdo skenar”, deklaroi zëdhënësi i ushtrisë izraelite David Avraham.
Përpjekjet për të arritur një marrëveshjeje armëpushimin po bëhen ndërkohë që numri i të vrarëve në Gazë që nga fillimi i luftës ka arritur në 40,000, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, që nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe militantëve.
Izraeli thotë se ka vrarë 17,000 militantë të Hamasit, por nuk ka ofruar prova për ta mbështetur këtë pretendim./voa/
Jaha: Më 9 shkurt LDK-ja do të rikthehet si partia e parë në...
Katër vitamina dhe minerale të nevojshme për çdo shqiptar
“E di që do të na mungoj”, Arioni flet i përlotur pas largim...
Francë/ Teleferiku përplas stacionin e mbërritjes, 8 persona...
Gresa, Sara dhe Ana hamendësojnë për arsyen e daljes së Dian...
Kura kundër kolesterolit dhe dhimbjes së kyçeve, ja si ta pë...