Google ADS

Afganët mbesin “të bllokuar” në Shqipëri tre vjet pas rikthimit të talibanëve

14:21 | 18 Gusht 2024
E.H

Fatima dhe djali i saj i vogël u larguan nga shtëpia e tyre menjëherë pasi talibanët rimorën pushtetin në Afganistan, në vitin 2021.

Duke qenë ish-deputete, ajo ishte në rrezik nga një hakmarrje e mundshme e grupit islamik të linjës së ashpër.

Por, tre vjet pas ardhjes në pushtet të talibanëve, Fatima jeton me djalin e saj 7-vjeçar në Shqipëri, në pritje për t’u zhvendosur në Shtetet e Bashkuara.

“Paqartësia është torturuese”, tha nëna vetushqyese, emri i së cilës është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e saj. “E ardhmja jonë është pezull”.

Fatima ishte në mesin e qindra mijëra afganëve të rrezikuar që u larguan nga atdheu i tyre pas rënies së Qeverisë afgane që mbështetej nga Perëndimi dhe rimarrjes së pushtetit nga talibanët.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nxorën me avionë dhjetëra mijëra afganë jashtë vendit gjatë evakuimit kaotik dhe vdekjeprurës nga Kabuli.

Fatima ishte në mesin e atyre që iku rrugës për në Pakistanin fqinj. Prej aty, disa mijëra afganë u zhvendosën përkohësisht në Shqipëri, ndërsa prisnin që të përpunoheshin vizat e tyre amerikane.

Por, tre vjet pas rimarrjes së pushtetit nga talibanët, dhjetëra afganë mbeten të bllokuar në vendin e vogël ballkanik.

“Është e dhimbshme të mos e di se çfarë nuk shkon me rastin tim”, tha Fatima, e cila jeton në një apartament në kryeqytet, Tiranë.

“Pse po vonohet?”, theksoi ajo.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, më shumë se 160.000 afganë janë zhvendosur në Shtetet e Bashkuara sipas programit të vizave speciale imigruese (SIV) që nga shtatori i vitit 2021.

Vizat SIV janë të destinuara për afganët që i kanë shërbyer Qeverisë së SHBA-së ose forcave të NATO-s të udhëhequra nga SHBA-ja, në Afganistan për të paktën një vit.

Aleatët e SHBA-së në Perëndim, gjithashtu, kanë strehuar dhjetëra mijëra afganë.

Afganët që nuk kualifikohen për SIV, mund të aplikojnë për Programin e Pranimit të Refugjatëve në SHBA (USRAP), i cili u jep status prioritar të veçantë afganëve që kanë punuar për projekte të financuara nga Qeveria amerikane në Afganistan, përkthyes për Qeverinë amerikane dhe ndihmës për punonjësit e mediave dhe organizatave me bazë në SHBA.

Procesi i aplikimit për vizat SIV dhe zhvendosja përmes programit USRAP, mund të zgjasë me vite dhe grupet e avokimit kanë thënë se programet po vazhdojnë shumë ngadalë.

Kjo do të thotë se mijëra afganë që shpresojnë të sistemohen në Shtetet e Bashkuara kanë mbetur në harresë të gjerë në vendet e treta, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Fatima pranon se është me fat që është gjallë. Por, ajo gjithashtu zbuloi se kjo pasiguri ka pasur ndikim tek ajo.

“Unë më parë kurrë nuk kam marrë as tableta për dhimbje koke”, tha ajo. “Por, tani marr ilaçe tri herë në ditë”.

Ish-deputetes nuk i lejohet të punojë. Ajo ia del mbanë me ndihmën e një organizate joqeveritare me bazë në Uashington. Djali i saj ndjek një shkollë lokale, megjithëse pengesa me gjuhën e ka privuar atë nga një edukim kuptimplotë, tha ajo.

Fatimja nuk është e vetmja.

Ahad, një ish-oficer ushtarak afgan, është në mesin e rreth 40 afganëve që kanë mbetur në Shqipëri.

Ahad, i cili kërkoi të mos përdoret emri i tij i vërtetë për arsye sigurie, jeton me katër fëmijët dhe gruan e tij në një qytet turistik përgjatë bregut të Adriatikut.

Çdo anëtar i familjes merr një pagesë mujore prej 50 dollarësh nga agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR. Por, Ahad tha se paratë mezi mjaftojnë për të paguar qiranë për apartamentin e tyre të vogël.

“Problemet financiare në rritje po na shtojnë ankthin”, tha ai.

I paaftë për të punuar, Ahad theksoi se i janë grumbulluar borxhet ndaj shitësve vendas, nga të cilët ka marrë ushqime dhe gjësende të tjera bazike.

Departamenti amerikan i Shtetit thotë se rastet e afganëve në Shqipëri po shqyrtohen në kuadër të programit amerikan për refugjatët.

“Ne jemi të fokusuar në rritjen e kapaciteteve, përshpejtimin e përpunimit dhe zgjidhjen e aplikacioneve të vonuara shumë”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë në një përgjigje me shkrim, duke shtuar se, “…vazhdon të ruajë standardin rigoroz të shqyrtimit dhe verifikimit të programit”.

Zëdhënësi tha se DASH-i “po lëshon vizat SIV për partnerët afganë me norma rekord”.

Në vitin e fundit fiskal të SHBA-së që përfundoi në shtator 2023, DASH-i lëshoi më shumë se 18.000 viza SIV për afganët, më së shumti në një vit të vetëm, bëri të ditur zëdhënësi.

“Në këtë vit fiskal [2024], ne e kemi tejkaluar tashmë këtë shifër”, shtoi ai.

Por, garancitë nga Uashingtoni nuk i kanë shuar shqetësimet e afganëve të ngecur në Shqipëri.

“Pse na kanë lënë këtu kur i kanë evakuuar edhe kafshët nga Afganistani?”, tha Fatima, duke iu referuar evakuimit të kafshëve nga Qeveria britanike prej Kabulit në vitin 2021, edhe pse Londra la pas mijëra afganë të rrezikuar që kishin punuar me ushtrinë britanike.

Kthimi në Afganistan nuk është një opsion për Fatiman apo Ahadin.

Talibanët shpallën një amnisti të përgjithshme menjëherë pas rimarrjes së pushtetit, përfshirë të gjithë zyrtarët afganë, forcat e sigurisë dhe individët që bashkëpunuan me praninë ushtarake të larguar, të udhëhequr nga SHBA-ja në Afganistan.

Por, vëzhguesit ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut dhe Kombet e Bashkuara kanë dokumentuar raste të përhapura të hakmarrjes, duke përfshirë vrasjet pa gjyq dhe torturat.

Ahad thotë se nëse nuk kualifikohet për t’u sistemuar në Shtetet e Bashkuara, Uashingtoni duhet ta ndihmojë atë të shkojë në një vend të tretë.

“Unë dua që ky fat i keq i yni të marrë fund”, tha ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme