Kurti: Fazli Greiçevci një nga shtyllat mbajtëse të Kosovës

22:53 | 17 Gusht 2024
R J

Në nderim të jetës së veprimtarit dhe atdhetarit të shquar të çështjes kombëtare, Fazli Greiçevci, në Ballkonin e Hapur të Qeverisë së Kosovës, është mbajtur ceremoni përkujtimore.

Në prani të familjarëve të Fazli Greiçevcit dhe shumë personaliteteve të tjera politike, kryeministri Albin Kurti, e cilësoi atë si një nga gurët më të mëdhenj mbi të cilët janë ngritur dhe qëndrojnë themelet e lirisë dhe të shtetësisë së Kosovës. “Nëse shtetin e Kosovës e përfytyrojmë mirëfilli si një godinë të madhe, në ngritjen e të cilës kanë marrë pjesë dhe kontribuar shumë njerëz dhe gjenerata të tëra, ai përfaqëson një nga shtyllat mbajtëse të kësaj godine. Emri i tij është: Fazli Greiçevci. Ai ishte mësues i përkushtuar, poet i frytshëm, intelektual i angazhuar, aktivist politik dhe patriot i paepur”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se në historinë moderne të Kosovës, Fazli Greiçevci ka zënë vend si një nga personalitetet në jetën e të cilit mund të lexohet një nga kapitujt më të hershëm të përpjekjes së shqiptarëve për t’u çliruar nga Serbia dhe shkëputur nga Jugosllavia pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Kryeministri Kurti ka kujtuar gjithë veprimtarinë politike të atdhetarit Fazli Greiçevci në Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve – LRBSH, e që si qëllim kishte bashkimin me Shqipërinë, deri te arrestimi i tij më 3 gusht 1964, nga i cili si pasojë e torturave ekstreme e çnjerëzore të ushtruar nga policia jugosllave, humbi jetën në burgun e Prishtinës, më 17 gusht 1964

“Idetë politike të cilave u besoi Fazli Greiçevci dhe të cilat i zhvilloi dhe i përfaqësoi, e ruajtën relevancën e tyre deri në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitet 1998 dhe më 1999, kur shoku i tij Adem Demaçi u bë përfaqësues politik i kësaj organizate të armatosur çlirimtare, pra i UÇK-së. Andaj sot, në 60-vjetorin e vrasjes së tij, Fazli Greiçevcin e kujtojmë si një nga emrat më të shquar mes dëshmorëve të rënë në rrugën e gjatë për çlirimin e Kosovës. Emri i Fazli Greiçevcit bën bashkë dy elementet thelbësore të kombit tonë: gjuhën dhe flamurin. Lavdi Fazli Greiçevcit dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë tonë”, tha kryeministri.       

Ceremonia është mbajtur pas homazheve që kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, zhvilloi gjatë ditës së sotme tek varri i veprimtarit Fazli Greiçevci.

 Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Mbrëmja e sotme na ka bashkuar këtu në Ballkonin e Hapur të Qeverisë së Kosovës, për të kujtuar një nga gurët më të mëdhenj mbi të cilët janë ngritur dhe qëndrojnë themelet e lirisë dhe të shtetësisë së Kosovës. Nëse shtetin e Kosovës e përfytyrojmë mirëfilli si një godinë të madhe, në ngritjen e së cilës kanë marrë pjesë dhe kontribuar shumë njerëz dhe gjenerata të tëra, ai përfaqëson një nga shtyllat mbajtëse të kësaj godine. Emri i tij është: Fazli Greiçevci. Ai ishte mësues i përkushtuar, poet i frytshëm, intelektual i angazhuar, aktivist politik dhe patriot i paepur. Ndërsa në historinë moderne të Kosovës, Fazli Greiçevci ka zënë vend si një nga personalitetet në jetën e të cilit mund të lexohet një nga kapitujt më të hershëm të përpjekjes së shqiptarëve për t’u çliruar nga Serbia dhe shkëputur nga Jugosllavia pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ky kapitull, është i njohur veçanërisht nëpërmjet emrit të Adem Demaçit, simbolit të rezistencës kombëtare, të mirënjohur edhe ndërkombëtarisht, por në rrugën e tij, ai nuk ishte i vetëm. Baca Adem Demaçi nga Prishtina, por me origjinë nga Lupçi i Poshtëm, kishte shumë shokë, mes të cilëve: Zeqir Gërvalla dhe Sabit Ratkoceri nga Lupçi; Azem Beqiri nga Dumnica; Abdyl Lahu nga Gllamniku; Ahmet Haxhiu po ashtu nga Lupçi; Hazir Shala nga Barileva; Xhafer Mahmutxhiku nga Mitrovica; Sabri Novosella nga Vushtrria; Tefik Sahiti dhe Hilmi Rakovica prej Prishtinës; Selman Berisha nga Prugoci; Zeqir Agushi nga Prishtina; Hysen Daci dhe Selahudin Daci prej Pejës; Ramadan Shala po ashtu prej Pejës; si dhe ai te i cili do të ndalemi më gjatë sonte, Fazli Greiçevci nga Sankoci i Drenasit.

Në shtator të vitit 1963, në Prishtinë, Adem Demaçi e thirri një takim të fshehtë gjatë të cilit u themelua organizata politike Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve – LRBSH. Në mbledhjen themeluese, pjesëmarrësit tjerë, gjithsej pesë, ishin Fazli Greiçevci, Zeqir Gërvalla, Azem Beqiri dhe Abdyl Lahu, e ata e zgjodhën Kryetar të Komitetit Revolucionar vetë Adem Demaçin. Aty gjithashtu u vendos të përpilohej programi dhe statuti i organizatës, si dhe të formohen qendra në nivel lokal, që në qytete do të quheshin komitetet e qyteteve, kurse në fshatra, komitete të vendeve. Kësisoj, LRBSH-ja i themeloi komitetet e saj në Prishtinë, Gjilan, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Shkup dhe si komitet të jashtëm në Stamboll, ku kryetar u caktua Nijazi Saraçogllu. Ndërkohë, në LRBSH u përfshinë edhe shumë intelektualë të tjerë sikurse Sabit Kapiti, Dr. Ali Sokoli, Dr. Xheladin Deda, Mustafa Venhari, e mes tyre edhe vajza e gra si Elhame Shala, Emine Rakovica, Eshrefe Halimi, Mejreme Berisha e të tjerë.

Adem Demaçi shkoi në shtëpinë e Ramadan Shalës në Pejë dhe të dy bashkë, brenda pesë ditësh, nga 27 deri më 31 janar 1964, e hartuan dhe e shkruan me dorë programin dhe statutin e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Neni 1 i statutit të LRBSH-së, ishte shkruar, po citoj: “Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht sigurimi i të drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banueme në shumicë prej shqiptarësh që gjenden ende nën administrimin e Jugosllavisë, domethanë, qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht çlirimi i krahinave shqiptare, t’aneksueme prej Jugosllavisë dhe bashkimin e këtyne krahinave me nanën e vet – Shqipninë”.

Por ku ishte Fazli Greiçevci gjatë gjithë kësaj kohe? Organizata i kishte caktuar atij dy  detyra krejtësisht të veçanta. Së pari udhëheqësi i LRBSH-së, Adem Demaçi, kishte menduar që Fazliun ta kursente nga organizimet lokale, duke e lënë të fokusohej te organizimi qendror dhe të përgatitej për një detyrë krejt të posaçme. Duke e konsideruar si një intelektual shumë të matur dhe të përmbajtur, si dhe të përshtatshëm për përfaqësim të organizatës, Fazli Greiçevcin e ngarkuan me mision që të lidhej me autoritetet më të larta shtetërore të Shqipërisë. Por, në të njëjtën kohë për shkak të aftësive të tij organizative dhe afërsisë me popullin, ai edhe merr detyrën e sekretarit organizativ të lëvizjes. Përveçse e kishin shpallur në statut që qëllimi i parë dhe i fundit ishte bashkimi me Shqipërinë, ata e shihnin shtetin shqiptar si të vetmin kanal dhe si rrugën më të duhur për ta afirmuar veprimtarinë e LRBSH-së edhe jashtë Jugosllavisë, ku shqiptarët ishin të shtypur dhe mbaheshin të mbyllur e të izoluar, e të shfrytëzuar.

Ndërkohë, aktivistët e LRBSH-së nisën t’i kryenin aksionet e tyre të para, të cilat u realizuan në trajtën e shkrimit të parullave si “Rroftë Shqipnia” dhe vendosjes së qindra flamujve kombëtarë shqiptarë, të qepur dhe të prodhuar po prej tyre gjithandej Kosovës, në rrugë sa më të frekuentuara dhe në vende sa më të dukshme. Por më 8 qershor 1964, u arrestua kryetari i LRBSH-së, Adem Demaçi, kurse dy muaj më pas, më 3 gusht 1964, u arrestua edhe shoku i tij i ngushtë e bashkëveprimtari Fazli Greiçevci. Për dy javë rresht, çdo ditë, policia sekrete jugosllave ushtroi tortura ekstreme, çnjerëzore ndaj Fazliut, si rezultat i të cilave ai vdiq në burgun e Prishtinës. Fazli Greiçevci u varros, siç u tha edhe më herët, në një arkivol të mbyllur nga policia, më 17 gusht 1964, saktësisht këtu e 60 vite më parë. Ai ishte vetëm 29 vjeçar kur zyrtarët kriminalë të UDB-së e vranë nën tortura.

Superior në shkollimin e tij, Fazli Greiçevci kishte shërbyer edhe si mësues në fshatrat Vasilevë, Dobroshec e Kishnarekë. Në një nga fotografitë e përbashkëta me nxënësit e tij, Fazliu kishte lënë një shënim të datës 8 prill 1963, po citoj: “Ndoshta kanë me të dalë lotët kur ta shohësh mësuesin tand cili asht mundue me mish e me shpirt, vetëm e vetëm me ju ba njerëz të vyeshëm e të ndershëm për të ardhmen.”

Dhe puna e tij si mësues, solli edhe frytet e tij, sikur në rastin e nxënësit të tij Fehmi Lladrovci, që më pas do të bëhej një nga komandantët dhe figurat më aktive e më të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot dëshmor i kombit.

Përveçse mësues, intelektuali Fazli Greiçevci ka lënë edhe një trashëgimi të pasur letrare prej disa fletoresh me poezi, që do të botoheshin të plota vetëm shumë vite më pas. Mes tyre, në disa vargje të shkruara prej tij kur ishin burgosur disa nga shokët e tij, Fazliu ka shkruar, po citoj: “Kam dalë dhe prore kam me dalë/Bregoret me sy n’qiltri me i sodit/Kurr kangën time s’kam me ndalë/ Rrugët e mbara tue i shëndritë.”

 Mes qindra organizatave të ndryshme ilegale që u themeluan dhe u angazhuan për çlirimin e shqiptarëve nga Jugosllavia dhe mes mijëra aktivistëve të tyre dhe të burgosur politik, Fazli Greiçevci ishte një nga më të spikaturit, si nga profili i tij ashtu edhe për nga veprimtaria dhe fati që e shenjoi jetën e tij. Dy javë pas vrasjes së Fazli Greiçevcit, në një proces gjyqësor mes 27 dhe 31 gushtit 1964, Adem Demaçi u dënua me 15 vite burgim, prej të cilave do t’i mbajë 10, ndër 28 vitet gjithsej të kaluara prej tij në burg. Nëse Fazli Greiçevci do t’u mbijetonte torturave, sigurisht edhe atë do ta priste një këso lloj gjyqi politik i pasuar nga vite të gjata në burgjet e Jugosllavisë.

Ai vdiq, por sigurisht jo edhe idetë e tij, të cilat u shtyen përpara nga shokët e shoqet e tij, disa prej të cilëve patën fatin e njëjtë, kurse shumë prej tyre i kaluan mbi 666 shekuj nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë anekënd. Idetë politike të cilave u besoi Fazli Greiçevci dhe të cilat i zhvilloi dhe i përfaqësoi, e ruajtën relevancën e tyre deri në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitet 1998 dhe më 1999, kur shoku i tij Adem Demaçi u bë përfaqësues politik i kësaj organizate të armatosur çlirimtare, pra i UÇK-së.

 Andaj sot, në 60-vjetorin e vrasjes së tij, Fazli Greiçevcin e kujtojmë si një nga emrat më të shquar mes dëshmorëve të rënë në rrugën e gjatë për çlirimin e Kosovës. Emri i Fazli Greiçevcit bën bashkë dy elementet thelbësore të kombit tonë: gjuhën dhe flamurin.

Lavdi Fazli Greiçevcit dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë tonë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme