Ukraina ka kryer sulme të reja me dronë në rajonin kufitar rus të Kurskut më 13 gusht, një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, kritikoi Perëndimin për mbështetjen e inkursionit të befasishëm të Kievit në territorin rus.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se njësitë e saj të mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar 12 dronë mbi rajonin e Kurskut.
Ukraina ka nisur sulmet në Kursk një javë më parë dhe të hënën pretendoi se ka marrë nën kontroll 1.000 kilometra katrorë në këtë rajon.
Putin tha një ditë më parë se inkursioni i Ukrainës – më i madhi që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 2022 – synon të përmirësojë pozicionin negociues të Kievit në bisedimet e mundshme të paqes.
Duke folur për sulmin, ai tha se Kievi, “me ndihmën e padronëve të tij perëndimorë” po tenton të ngadalësojë përparimin e forcave ruse, në atë që Kremlini i quan “operacion të posaçëm ushtarak” në Ukrainë.
Po të hënën, komandanti kryesor i ushtrisë ukrainas, Oleksandr Syrkysi, i tha presidentit Volodymyr Zelensky, se trupat ukrainase po vazhdojnë avancimin e tyre në territorin rus.
“Ne po vazhdojmë të kryejmë një operacion sulmues në rajonin e Kurskut. Aktualisht, ne kemi nën kontroll rreth 1.000 kilometra katrorë të territorit të Federatës Ruse”, tha ai, sipas një video të publikuar në llogarinë e Zelenskyt në Telegram.
Këto pretendime nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Guvernatori në detyrë i Kurskut, Aleksei Smirnov, ka deklaruar se forcat ukrainase kanë hyrë 12 kilometra në rajonin e Kurskut përgjatë një fronti prej 40 kilometrash dhe aktualisht kanë nën kontroll 28 vendbanime ruse.
Në Kursk si pasojë e luftimeve, 121.000 persona janë evakuuar dhe 59.000 të tjerë janë në proces të evakuimit, thanë zyrtarët lokalë. Ndërkaq, në rajonin rus të Belgorodit, që është ngjitur me Kurskun, 11.000 civilë po ashtu janë evakuuar.
Forcat ukrainase në Kursk po tentojnë të rrethojnë Sudzhan, ku gazi natyror rus kalon për në Ukrainë, ndërkaq një betejë e madhe po zhvillohet afër Korenevos, rreth 22 kilometra larg kufirit dhe në Martinovka, sipas blogerëve rusë të luftës.
Forcat ajrore ukrainase thanë më 13 gusht se Rusia gjatë natës ka kryer 38 sulme me dronë dhe me dy raketa balistike, të llojit Iskander-M.
Sipas ushtrisë, 30 dronë u shkatërruan mbi tetë rajone ukrainase.
Ndërkaq, autoritetet në rajonin ukrainas të Sumit raportuan për një person të plagosur dhe për dëmtime në një linjë të furnizimit me energji elektrike dhe në një tubacion të gazit.
Sulmi po ashtu ka shkaktuar dëme në një spital, thanë autoritetet.
Rusia ka intensifikuar sulmet në rajonet veriore ukrainase që kur forcat e Kievit kanë nisur inkursionin e tyre në rajonin e Kurskut./abcnews/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...