Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se inkursioni i ushtrisë ukrainase në rajonin rus të Kurskut, që ka detyruar mbi 100.000 civilë të evakuohen dhe ka turpëruar Kremlinin, është një përpjekje e Kievit për të ndalur ofensivën ruse në rajonin lindor ukrainas të Donbasit, dhe për t’i dhënë avantazh në bisedimet e mundshme të paqes në të ardhmen.
Forcat ruse ende po tentojnë t’i përgjigjen sulmit të befasishëm që Ukraina nisi një javë më parë, por Putin dha se ushtria e Moskës do të triumfojë.
Duke folur në një takim me zyrtarët e lartë të sigurisë dhe mbrojtjes, Putin tha se sulmi që nisi më 6 gusht duket se është përpjekje e Kievit për të fituar një pozicion më të mirë negociues në bisedimet e mundshme të paqes në të ardhmen, që do të synonin dhënien fund të luftës.
Ai argumentoi se Ukraina ndoshta ka shpresuar që me këtë sulm do të shkaktojë trazira shoqërore në Rusi, duke shtuar se Kievi ka dështuar që ta arrijë këtë synim. Udhëheqësi rus pretendoi se numri i vullnetarëve për t’iu bashkuar ushtrisë ruse është rritur për shkak të këtij sulmi. Ai tha se ushtria ruse, pavarësisht inkursionit në Kursk, po vazhdon me ofensivën e saj në lindje të Ukrainës.
“Është e qartë që armiku do të tentojë të destabilizojë situatën në zonën kufitare duke tentuar të destabilizojë situatën politike të shtetit tonë”, tha Putin.
Guvernatori në detyrë i Kurskut, Aleksei Smirnov, i raportoi Putinit se forcat ukrainase kanë hyrë 12 kilometra në rajonin e Kurskut përgjatë një fronti prej 40 kilometrash dhe aktualisht kanë nën kontroll 28 vendbanime ruse.
Smirnov tha se 12 civilë janë vrarë dhe 121 të tjerë, përfshirë 10 fëmijë, janë plagosur gjatë operacionit. Afër 121.000 janë evakuuar ose janë larguar nga zonat ku po zhvillohen luftime, tha ai.
Edhe zyrtarët në rajonin e Belgorodit, që gjendet në afërsi të kufirit me Ukrainën, kanë urdhëruar evakuimin e qytetarëve.
Ende janë të paqarta qëllimet që Ukraina dëshiron të arrijë me këtë operacion, teksa shteti po përballet me pushtimin e paprovokuar që Rusia nisi ndaj shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022. Ky inkursion zuri në befasi forcat e Kievit, teksa ushtria ruse për muaj të tërë është duke luftuar në vijën e frontit përgjatë rajoneve lindore ukrainase./rel
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...
Fillon fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me...