Google ADS

AMMK: Gjendje e rënduar nga zjarret pyjore në Parkun ‘Sharri’

14:14 | 12 Gusht 2024
E.G

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) ka njoftuar se është gjendja nga zjarret pyjore në Parkun Kombëtar “Sharri” është e rëndë.

AMMK tha se shuarja e zjarrit dhe parandalimi i përhapjes së tij deri me tani ka qenë i pamundur për shkak të konfiguracionit të terrenit.

Në komunikatën për media thuhet se dje dhe sot ka vazhduar monitorimi i zjarreve ne zonën e Oshlakut dhe Prevallës në territorin e Parkut Kombëtarë “Sharri”.

“Edhe dje dhe sot ka vazhduar monitorimi i zjarreve ne zonën e Oshlakut dhe Prevallës në territorin e Parkut Kombëtarë “Sharri”. Së bashku me stafin e DAPK “Sharri”, në monitorimin dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit, janë angazhuar edhe mbi 20 zjarrfikës nga brigada e zjarrfikësve të Prizrenit dhe një ekip e Policisë së Kosovës nga stacioni i Prizrenit. Në shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij janë angazhuar edhe disa vullnetarë”, thuhet në komunikatën e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK),

Tutje ky agjencion bën të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe pjesëtaret e FSK për të bërë vlerësimin e situatës për ndërmarrjen e masave për shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij.

“Shuarja e zjarrit dhe parandalimi i përhapjes së tij deri me tani ka qenë i pamundur për shkak të konfiguracionit të terrenit, erërave të forta dhe pamundësisë së intervenimit të zjarrfikësve me automjete përkatëse për shuarjen e zjarreve. Si pasojë zjarri po vazhdon të përhapet edhe më tutje në drejtim të fshatit turistik të Prevallës dhe tashmë ka përfshirë edhe zonën strikte të natyrës “Maja e Arnenit”. Sot gjatë paradites, drejtori i DAPK Sharri z.Bajram Kafexholli, ka realizuar një takim edhe me përfaqësuesit e KFOR-it nga të cilët tash disa ditë është kërkuar intervenimi me helikopter për shuarjen e zjarrit. Përfaqësuesit e KFOR-it, kanë thënë që janë duke monitoruar gjendjen dhe duke analizuar mundësitë e intervenimit”, thuhet mes të tjerash në AMMK./Arbresh.info/

Të ngjashme