“Ai duhet të besojë në veten e tij”, Lewandowski këshillon shokun e skuadrës pas vështirësive që po kalon

21:01 | 10 Gusht 2024
R J

Nuk ka asnjë dyshim kur themi se Vitor Rouqe e ka pasur jashtëzakonisht të vështirë adaptimin tek Barcelona.

Adoleshenti brazilian u transferua në Spanjë gjatë afatit kalimtar të janarit nga Athletico Paranaense me pritshmëri të mëdha, por hasi në vështirësi që të ketë ndonjë ndikim në ekipin e Xavi Hernandez gjatë pjesës së dytë të sezonit.

Përkundër ndryshimit në stafin teknik, situata e Roques nuk është përmirësuar aspak. Departamenti sportiv i klubit dëshiron që ai të largohet, pasi nuk mendojnë se ai është mjaftueshëm i mirë për ekipin e Hansi Flick për momentin.

Një largim në formë huazimi është diskutuar, ani pse edhe shitja e tij e përhershme mbetet një opsion nëse arrin një ofertë e mirë financiare.

Roque momentalisht duket më shumë jashtë Barcelonës se sa brenda, por bashkëlojtari i tij Robert Lewandowski shpreson që ai do të vazhdojë tek Barcelona.

Së fundmi në një intervistë, sulmuesi polak foli për vështirësitë e tij gjatë fazave të hershme të karrierës.

“E kujtoj kur u largova nga Polonia kur isha 20-vjeçar dhe po udhëtoja vetëm nga shteti në shtet. Për të gjithë, ky ishte një hap i madh. Ai duhet të besojë në veten e tij dhe të punojë shumë. Ai është gjithmonë i gatshëm të stërvitet, dhe natyrisht ka talentin”, ka thënë Lewandowski.

Situata e Roques është një për t’u përcjellur me kujdes gjatë javëve në vazhdim. Një huazim tek një ekip tjetër në La Liga do t’i ndihmonte shumë atij për t’u adaptuar me futbollin spanjoll./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme