Autoritetet e Kosovës kanë filluar procedurat për të testuar kapacitetin mbajtës të urës së Ibrit, e cila ndanë Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut, si një hap përpara hapjes së saj për qarkullim të automjeteve.
Mirëpo, hapja e kësaj urë nuk po gjen përkrahje nga partnerët ndërkombëtar dhe vetë miku i Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Si pasojë, kjo çështje nxiti serbët e Kosovës që të protestojnë, duke kundërshtuar hapjen e urës.
Deputeti i Partisë Demokratike së Kosovës (PDK), Hisen Berisha ka thënë se e mbështet hapjen e urës.
Mbështetja për hapjen e Urës së Ibrit, sipas tij, është e kuptueshme dhe e drejtë.
“Personalisht, e mbështes hapjen e urës si për këmbësorët ashtu edhe për mjetet e transportit, për të lejuar qarkullimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve, ashtu si në urat e tjera mbi Lumin Ibër. Mbyllja e Urës së Ibrit përbën një pengesë për lëvizjen e lirë dhe integrimin e komuniteteve. Hapja e kësaj ure është një hap i domosdoshëm për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe për të forcuar kohezionin shoqëror dhe ekonomik midis dy pjesëve të qytetit, duke respektuar parimet e BE-së, MCA-së dhe Procesit të Berlinit”, theksoi Berisha për Arbresh.info.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të jetë e gatshme të marrë masa të nevojshme për të parandaluar çdo incident.
“Është e rëndësishme që qeveria e Kosovës të bashkëpunojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për t’i bindur ata se ky hap është në interesin e përgjithshëm të stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Kjo kërkon përgatitje të duhur dhe garanci që qeveria është e gatshme të marrë masat e nevojshme për të parandaluar çdo incident apo tension që mund të lindë”, u shpreh ai.
Ai nuk sheh asnjë rrezik nga hapja e kësaj ure.
“Qytetarët e dinë që Veriu i Kosovës është pjesë e Kosovës dhe mbrohet nga Kushtetuta dhe Forcat e Armatosura të rendit dhe ligjit të Kosovës, si dhe nga EULEX dhe KFOR-i me mandat të KS/OKB për të garantuar një ambient të sigurt dhe pacenueshmëri të kufijve. Megjithëse Zëvendës Komandanti Rajonal i Policisë së Kosovës në Veriun e Mitrovicës, deklaroi se Veriun e kërcënojnë strukturat paralele që ekzistojnë atje, kjo nënkupton se strukturat paralele nuk janë shuar dhe se propaganda e qeverisë se “veriu është i qetë dhe se janë zhdukur strukturat kriminale”, është e pavërtetë. Kjo mund të çojë në revolta nga komuniteti serb i margjinalizuar nga Beogradi dhe Lista Serbe”, u shpreh ai.
Deputeti shton se duhet bindur partnerët ndërkombëtarë për qëllime paqësore.
“Nuk duhet lejuar që asnjë pjesë e Kosovës të kthehet në geto dhe të funksionoj jashtë vlerave universale të lirisë. Shtrirja e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës është një imperativ që mbështetet nga i gjithë spektri politik dhe qytetarët. Për këtë qëllim paqësor dhe të ligjshëm, duhet bindur edhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, thotë ai.
Deputeti Berisha thotë se hapat e ngutshëm janë si pasojë se jemi në prag të zgjedhjeve, e që sipas tij po bëhen për qëllime elektorale.
“Nëse kryeministri Kurti dhe ministrat e tij, që po defilojnë nëpër Veri, bëjnë hapa të pa maturuar me PUN dhe QUINT, atëherë fatkeqësisht mund të konkludohet se po nxitojnë ta hapin urën për shkak se jemi në prag të zgjedhjeve, pra për qëllime elektorale, për të forcuar mbështetjen politike duke rritur nacionalizmin e populizmin për të ruajtur votën, siç ndodhi me parakalimet me makina dhe flamuj të shtetit shqiptar në ditën kritike, e kjo do të jetë një sinjal jo i mirë për mbështetjen ndërkombëtare të procesit politik”, theksoi Berisha.
Ai shton se hapja e urës së Ibrit nuk duhet të jetë një strategji elektorale.
Berisha, shton se partnerët ndërkombëtarë në Kosovë e kanë bërë të ditur hapat që duhen ndjekur për të arritur një qëllim final.
“Ura nuk ka pse të jetë pjesë e dialogut! Ashtu siç nuk është dashur që shumë çështje të tjera teknike të brendshme të shtetit të bëhen tema të dialogut e negociatave me Serbinë, të cilat kjo qeveri tashmë i ka dërguar atje me veprime e vendime politike të pa harmonizuara me partnerët, me theks të veçantë aleatin tonë kryesor SHBA. Partnerët ndërkombëtarë në Kosovë, përmes Ambasadorit fuqiplotë të SHBA në vendin tonë, ashtu si edhe më parë për çdo temë, e kanë bërë të ditur qëndrimin amerikan dhe hapat që duhen ndjekur për të arritur qëllimin final të Kosovës”, thotë ai ndër të tjerat.
Ndryshe, në fillim të vitit 2023, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut kishte miratuar një vendim për hapjen e urës së Ibrit. Ky vendim ishte bazuar në
Marrëveshjen e Brukselit, që parashikonte hapjen e urës në vitet 2015-2016.
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ditë më parë tha se hapja e urës është çështje që është mbyllur në vitin 2016.
Më 8 korrik u zhvillua një diskutim publik nga Komuna e Mitrovicës së Veriut me qytetarët për “përfitimet nga hapja e urës”.
Ky diskutim është mbajtur në hapësirat e Kuvendit Komunal, mirëpo pjesëmarrës në debat ishin një numër i vogël i qytetarëve serbë dhe shumica e të pranishmëve ishin asamblistë komunalë, përfaqësues të OSBE-së dhe mediave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në korrik bëri të ditur synimin për hapjen e urës.
Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment, ndërsa misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë./Arbresh.info/ Rita Jakupi/
LEXO EDHE:
“Ura e Ibrit duhet të hapet, por duhet ndjekur hapat e rekomanduar nga partnerët ndërkombëtarë”
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...