Gjykata Themelore në Prishtinë të mërkurën ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të dyshuarit Idriz Alija, nën dyshimin për plagosjen e gruas së tij në Bresje të Fushë-Kosovës.
Në vendimin e Gjykatës, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se i dyshuari Alija, në prezencë të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare, ka deklaruar në Polici: “Unë sot nuk dua të përgjigjem më gjatë, vetëm dua t’ju tregoj se gjithçka që kam bërë sot me Sh.F e kam bërë me qëllim për ta vrarë”.
Aty thuhet se Prokuroria kërkesën për caktim të paraburgimit përveç rrezikut të arratisjes dhe ndikimit në dëshmitarë, e kishte mbështetur në arsyetimin se i dyshuari edhe më herët ka pasur mosmarrëveshje duke shkaktuar dhunë në familje, e për këtë ndaj tij janë të iniciuara edhe dy procedura tjera penale. Po ashtu, thuhet se i pandehuri ka një të kaluar kriminale të evidentuar si i dyshuar për vepra të ndryshme penale në 38 raste.
Në vendim, thuhet se Gjykata ka refuzuar propozimin e mbrojtësit të të dyshuarit Aliaj, që ky i fundit të dërgohet për ekzaminim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, me arsyetimin se mbrojtja nuk i ka mbështetur thëniet e tij me prova dhe se gjykata nuk ka vërejtur se i dyshuari vuan nga ndonjë sëmundje mendore.
Prokuroria: I dyshuari shtiu me armë zjarri disa herë mbi trupin e të dëmtuarës e mandej e goditi 8-9 herë në kokë me kondak të armës
Sipas Gjykatës, në seancë dëgjimore, prokurorja Fatmire Cacaj ka paraqitur arsyet për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Aliajt, i cili dyshohet se më 6 gusht 2024, rreth orës 07:33 në rrugën e “Pejës” në fshatin Bresje të Fushë-Kosovës, afër semaforëve, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake dhe raportimit të dy rasteve të tjera të dhunës në familje, me qëllim ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarën Sh.T., me të cilën ka bashkëjetuar.
Më tej, thuhet se me atë rast ka vënë në rrezik jetën e një ose më shumë personave të tjerë, ku përderisa e dëmtuara ishte me djalin e saj të mitur në rrugë duke ecur, i ka përcjellë nga prapa disa metra, e pasi të njëjtit kalojnë vendkalimin për këmbësorë, i pandehuri përshpejton hapat, nxjerr armën nga brezi e repetit e nga një distancë e afërt, në mënyrë dinake nga afërsia shkrep me armë zjarri në trupin e të dëmtuarës, pastaj e godet me duar në fytyrë, me ç’rast e dëmtuara rrëzohet në tokë, pastaj djali i saj i mitur tenton ta largojë të pandehurin nga ajo, por që Alija prapë shtie me armë zjarri disa herë mbi trupin e të dëmtuarës e mandej e godet me forcë të madhe rreth 8-9 herë në kokë me kondak të armës së zjarrit derisa dy qytetarë të rastit me forcë arrijnë t’ia largojnë armën duke e hedhur në trotuar dhe ta shtrijnë për toke të pandehurin.
Pastaj, thuhet se policia e arrestoi Aliajn, ndërsa të dëmtuarës i është ofruar trajtim mjekësor në vendngjarje nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Bresje e më pas është dërguar në QKUK- Prishtinë, pasi i ishin shkaktuar lëndime trupore, përkatësisht nga arma e zjarrit mori plagë në gjoks, bark dhe në krahun e djathtë, si dhe dëmtime në kokë nga goditjet me kondak të armës.
Me këtë, i pandehuri Alija dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173, par.1, pikat 1.3, 1.4 dhe 1.5 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas vendimit të Gjykatës, prokuroria në kërkesë ka theksuar se i dyshuari Alija ka mbajtur pa leje armën e tipit TT., ku në vendngjarje u gjetën tri gëzhoja dhe një predhë, ndërsa armën e zjarrit e kishte marrë një person i cili ishte larguar nga vendi i ngjarjes, e të cilin më pas e ka identifikuar policia dhe nga i njëjti është sekuestruar arma me tre fishekë dhe një karikator. Ndaj tij, është iniciuar procedurë tjetër penale.
Me këtë, Alija dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.
Po ashtu, thuhet se i pandehuri Alija nuk i është bindur urdhrit për mbrojtje sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë- Dega në Fushë-Kosovë, përmes të cilit i ishte ndaluar t’i afrohej të dëmtuarës- bashkëjetueses së tij 20 metra në vendet publike dhe 100 metra në vendqëndrimin e tyre aktual. Pasi, me dashje në afërsi e përcjellë dhe me armë zjarri tenton ta privojë nga jeta. Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës” nga neni 393, par.1 të Kodit Penal.
Bazuar në këto, prokurorja Cacaj në seancë dëgjimore kishte propozuar që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e paraburgimt, me arsyetimin se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer tri veprat e lartpëmendura penale dhe me qëllim të sigurimit të tij në procedurë penale dhe pengimit të përsëritjes së veprave penale.
Sipas prokurores, provat personale dhe materiale tregojnë se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat për të cilat dyshohet, e këto prova janë: video-incizimi nga kamera e sigurisë e Stacionit Policor në Fushë-Kosovë, ku shihet qartë se i pandehuri ka ndërmarrë veprime të kundërligjshme me qëllim të privimit nga jeta të të dëmtuarës në vend publik të frekuentuar nga shumë qytetarë, pastaj raportet mjekësore të lëshuara nga Klinika Emergjente në Prishtinë, të cilat konstatojnë se e dëmtuara ka pësuar lëndime të rënda trupore, raporti i policit, deklaratat e dëshmitarëve, si dhe deklarata e të pandehurit e dhënë në prezencë të avokatit të angazhuar sipas detyrës zyrtare, si dhe foto-dokumentacioni i bashkëngjitur në lëndë.
“Ka deklaruar se “unë sot nuk dua të përgjigjem më gjatë, vet dua të ju tregoj se krejt çka kam bo sot me Sh.F e kam bërë me qëllim për ta vrarë“, citohet të ketë deklaruar i dyshuari në Polici.
Në vendimin e Gjykatës, thuhet prokuroria kërkesën për paraburgim e ka mbështetur edhe në atë se ekziston rreziku serioz se nëse i pandehuri lihet në liri, mund të arratiset dhe t’i shmanget drejtësisë, se mund të ndikojë në dëshmitarë të cilët janë intervistuar nga Policia por jo edhe nga Prokuroria, si dhe dëshmitarë të tjerë që janë në proces të identifikimit, përfshirë ata që shihen në video-incizim, e që cilët dëshmitarë kishin parandaluar që e dëmtuara të privohej nga jeta. Po ashtu, duke marrë parasysh peshën e veprave penale, mënyrën e kryerjes në një vend publik, ku ishte vënë në rrezik edhe jeta e të miturit që ishte me nënën, si dhe jetën e shumë personave tjerë që ishin të pranishëm në vend publik, e që vendi ishte i frekuentuar nga shumë qytetarë.
Gjithashtu, thuhet se fakt tjetër me rëndësi është se i pandehuri edhe më parë ka pasur mosmarrëveshje, duke shkaktuar dhunë në familje, e që për këtë ndaj tij janë të iniciuara edhe dy procedura tjera penale. Ndërsa, në ditën kritike nuk e ka përfillur vendimin e Gjykatës të 4 gushtit 2024, masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.
Më tej, thuhet se sipas databazës së Policisë, i pandehuri ka një të kaluar kriminale të evidentuar si i dyshuar për vepra të natyrave të ndryshme rreth 38 raste.
“Prandaj, të gjitha këto tregojnë rrezikun se i njëjti nuk duhet të lihet në liri, ngase po të jetë në liri, ekziston rreziku, se ai mund ta përsëris veprën penale, ta përfundojë veprën e tentuar penale ose të kryej vepra penale të natyrave tjera, dhe me qëllim të zhvillimit të rregullt dhe të papengesë të procedurës penale…”, thuhet më tej.
Mirëpo, kërkesën e Prokurorisë për paraburgim, mbrojtësi i të dyshuarit Alija, avokati Gazmend Halilaj e kishte kundërshtuar në tërësi me arsyetimin e vetëm se sipas njohurive që ai i kishte marrë nga familjarët e tani të dyshuarit i njëjti edhe gjatë shërbimit ushtarak në ish-Jugosllavi kishte qëndruar vetëm dy javë për shkak të shëndetit të tij mendor.
Sipas tij, që nga ajo kohë e deri tash në vazhdimësi ka përdorur terapi të shëndetit mendor të caktuar sipas specialistëve-neuropsikiatër, duke konsideruar se veprën e ka kryer në gjendje të paaftë mendore.
Për këtë arsye, avokati Halilaj i kishte propozuar Prokurorisë që ta ndërrojë kërkesën sa i përket masës së kërkuar, ashtu që i njëjti të dërgohet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK).
“…e nëse jo, atëherë me qëllim të mbrojtjes së të drejtave themelore për shkak se ka shenja serioze se i pandehuri vuan nga shëndeti mendor shumë vite para kryerjes së veprave penale e në veçanti në kohën e kryerjes së tyre që gjykata ta refuzoj propozimin e prokurorit dhe të vendos që i pandehuri të dërgohet në IPFK”, citohet të ketë thënë avokati Halilaj në seancë dëgjimore.
E për hir të kohës së shkurtër dhe faktit që sipas avokatit, i pandehuri në vitet e fundit ka jetuar ndaras nga djemtë dhe nipat e tij, të cilët sipas avokatit Halilaj nuk kanë pasur qasje në shtëpinë apo banesën ku ka jetuar, nuk kanë pasur mundësi të sigurojnë dokumentacionin mjekësor të Aliajt.
Por, për faktin se tani për tani mbrojtësi nuk posedonte asnjë provë-dokument mjekësor për Alijan, Prokuroria e kishte kundërshtuar propozimin që i dyshuari të dërgohet në IPFK.
Për të njëjtën arsye, edhe Gjykata ka refuzuar propozimin e mbrojtjes pasi që sipas gjykatës thëniet e avokatit nuk janë të mbështetura në prova, e po ashtu edhe vetë gjykata nuk ka vërejtur se i njëjti vuan nga ndonjë sëmundje mendore. Gjithashtu edhe për faktin se doktoresha e shërbimit të ndihmës së shpejtë pas kontrollit të pacientit ka theksuar se “Pacienti parametrat vital i ka në normë dhe për momentin nuk ka nevojë për trajtim, por në rast të keqësimit të gjendjes së tij janë të gatshëm për ndihmë mjekësore”.
Ndërsa, vetë i dyshuari Alija në seancë dëgjimore nuk ishte deklaruar fare.
Por kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, Gjykata ka e ka aprovuar si të bazuar pasi që sipas saj sepse janë përmbushur kushtet e parapara nga neni 184 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2, dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale.
Sipas këtij vendimi, Gjykata ka ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i bazuar se tani i pandehuri Alijaj ka kryer të gjitha veprimet e përshkruara si më lartë në kërkesën e Prokurorit të Shtetit, veprime me të cilat ka kryer veprat penale për cilat ka filluar hetimi.
Sipas vlerësimit të Gjykatës, ekziston rreziku serioz se nëse i pandehuri lëshohet në liri ai mund të ikë ose të arratiset dhe nëse ai shpallet fajtor për këto vepra penale parashihet dënim i lartë, gjë që sipas gjykatës mund ta shtyje të njëjtin t’i shmanget ndjekjes penale.
“… dhe se me lëshimin e tij në liri do të bëhej i pamundshëm sigurimi i pranisë së tij në procedurë penale, duke pasur parasysh edhe liberalizimin e vizave, me ç’rast i pandehuri mund të largohet pa vështirësi nga vendi, e që kjo do të vështirësonte kryerjen me sukses të kësaj procedure”, thuhet tutje në vendimin e Gjykatës.
Po ashtu, kjo Gjykatë ka vlerësuar se ka arsye për të besuar se i pandehuri Aliaj mund të pengojë edhe rrjedhën e procedurës, përkatësisht mund të ndikojë dhe pengojë hetimin duke ndikuar në të dëmtuarën dhe në dëshmitarët të cilët janë në proces të identifikimit, e të cilët shihen në pamjet e kamerave të sigurisë duke reaguar dhe larguar nga dora e të pandehurit armën e zjarrit dhe të pandehurin në momentet e shkrepjes së plumbit të radhës si dhe të goditjes në mënyrë të vazhdueshme me pjesën e kondakut të armës së zjarrit në kokë të të dëmtuarës.
Gjykata, po ashtu ka theksuar se në rastin konkret me veprimet e të pandehurit manifestohen elementet e peshës së rëndë të veprës penale dhe vendosmëria për kryerjen e veprës penale, kur ai në fillim ka shtënë me armë në trupin e të dëmtuarës, pastaj të njëjtën e ka goditur në kokë me duar dhe me kondak të armës së zjarrit, derisa dy qytetarë të rastit kanë arritur që me forcë t’ia largojnë armën dhe ta shtrijnë përtokë të njëjtin.
Kështu që, bazuar në faktin se i pandehuri dhe e dëmtuara kanë mosmarrëveshje për të cilat i pandehuri e ka sulmuar të njëjtën, gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku real se i njëjti mund të përsërisë veprimet e tij.
“Përkatësisht të tentoj prapë që ta privoj nga jeta tani të dëmtuarën sepse në polici ka deklaruar “unë sot nuk dua të përgjigjem më gjatë, dua të ju tregoj se krejt çka kam bërë sot me Sh.T e kam bërë me qëllim për ta vrarë”, thuhet në këtë vendim.
Të mërkurën, në raportin 24 orësh, Policia bëri të ditur se lidhur me këtë rast është arrestuar edhe një i dyshuar tjetër, i cili dyshohet se ka marrë armën që është përdorur në rast për ta larguar nga vendi i ngjarjes.
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...