Nga 1 shtatori produktet e duhanit do të përmbajnë njoftime për vërejtjet shëndetësore

15:31 | 8 Gusht 2024
R J

Nga 1 shtatori 2024, të gjitha produktet e duhanit që importohen apo prodhohen për tregun e Kosovës do të duhet të shoqërohen me fotografi me ngjyra apo ilustrime të tjera dhe të përmbajnë vërejtjet shëndetësore sipas udhëzimit të ri administrativ. Ky kërkesë ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe uljen e ndikimit të përdorimit të duhanit.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar në Facebook se vërejtjet shëndetësore do të shfaqen në paketimet e të gjitha produkteve të duhanit për tymosje, produkteve të duhanit që nuk tymosen, dhe produkteve të reja të duhanit.

“Vërejtjet e prezantuara kanë për qëllim ngritjen e njohurive të duhanpirësve mbi efektet shëndetësore që shkakton përdorimi i duhanit, sigurimin e efektit të vazhdueshëm të vërejtjeve shëndetësore në paketimet e duhanit, inkurajimin e ndërprerjes së duhanit dhe dekurajimin e nisjen ose rinisjen e pirjes së duhanit.

Kjo masë është e rëndësishme për përmirësimin e shëndetit publik dhe për mbështetje të përpjekjeve për kontrollin e duhanit në nivel kombëtar”, thuhet në postim./Arbresh.info/

Të ngjashme