Durmishi: Brenda dy-tre ditësh do ta kemi raportin për stabilitetin e urës

13:52 | 8 Gusht 2024
E.K

Ka nisur testimi i stabilitetit të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Testimi po bëhet me dy kamionë, teksa nga afër këtë proces e ka ndjekur edhe zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi. Ai ka bërë të ditur se testimi i urës do të përmbyllet sot dhe brenda dy-tre ditësh pritet raporti final i ekspertëve.

“Sot jemi këtu duke i bërë testimet për stabilitetin e urës mbi lumin Ibër. Kemi filluar para dy dite, fillimisht me matjet gjeometrike. Nuk kemi mundur ta gjejmë projektin e saj, por sot ka metoda të avancuara të cilat e bëjnë matjen e stabilitetit të saj dhe këtë po e bëjmë tani. Gjatë ditës do të përfundojë ky proces në mënyrë që brenda dy – tre ditësh ta kemi raportin final, i cili konstaton nëse ura është stabile apo jo për qarkullimin e automjeteve”, ka thënë Durmishi.

Ai ka thënë se në bazë të përvojës që ka si inxhinier, kjo është ndër urat më stabile në Kosovë, porse në qoftë se rezultatet e testimit dalin se ura nuk është stabile, atëherë konform raportit do të fillojmë një procedurë tjetër për sanimin dhe stabilizimin e saj.

“Megjithatë, në bazë të asaj çka shihet ura është stabile dhe jam i bindur se edhe raporti do ta tregojë një gjë të tillë”, ka theksuar tutje Durmishi.

Ai ka thënë se këto janë testimet e fundit, por nuk ka dhënë datë për hapjen e urës.

“Se kur hapet nuk e di, por e di që ura do të hapet sepse nuk ka asnjë arsye që të vazhdojë të jetë e mbyllur. Duke pasur parasysh se sot çdo qytetar i Kosovës mund të lëvizë lirshëm në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë këtu Leposaviqin, Zubin Potokun, Zveçanin, ashtu siç mund të lëvizin lirshëm në Shtërpcë, në Ranillugë, atëherë është e palogjikshme që kjo urë të jetë e mbyllur për qarkullimin e automjeteve”, ka nënvizuar Durmishi. /rtk

Të ngjashme