Nga: Ali Dula
Non sens, absurditet, quaje si të duash, kur përvoja e punës në kohën serbe të pranohet e ajo e Republikës së Kosovës (vitet 1990-1999) nuk pranohet!
Këto ditë Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendim për ngritje të pensioneve, por jo të gjithë pensionistët e mirëpritën këtë hap qeveritar. Problemi kryesor doli të jetë përvoja e punës e pranuar institucionalisht.
Qeveritë e Kosovës së pasluftës, nga ajo e para e deri tek kjo e sotit, po e bëjnë një gabim të paprecedent dhe e keqja e madhe qëndron se akoma vazhdojnë me mosriparimin të këtij gabimi trashanik. Mospranimi i përvojës së punës nga ana e qeverive tona, të të gjithë atyre që punuan në kuadër të institucioneve të Republikës së atëbotshme të Kosovës të viteve 1990-99, është sa fatal për ata që punuan e sakrifikuan e aq mediokër e i poshtër për qeveritë tona.
Qeveria sot i ndan pensionet për pensionistët të gjithë atyre kontributdhënësve që punuan në kohën e Serbisë millosheviqiane, kurse atyre kotributdhënësve që punuan në atë periudhë për shtetin e Republikës së Kosovës nuk ua njeh kontributin si përvojë pune institucionale! Sikur duan të na thonë se Millosheviqi paska pasë të drejtë për veprimet antishqiptare! Mediokritet e injorim i skajshëm!
Republikën e Kosovës viteve 1990-99 e formuam dhe u përbashkuam të gjithë rreth saj, si veprim gjithëkombëtar dhe si akt uniteti për t`i thënë shtetit fashist serb se Kosova dhe populli shumicë i saj, sepse shqiptarët e ndanë përfundimisht veten nga kthetra robruese.
Arsimtarët shqiptarë që punuan në vitet ‘90-ta në kushte të shkreta shkollore, dhe këtë e bënë vetëm e vetëm për ta kundërshtuar Serbinë millosheviqiane, ideal e kishin vetëm Kosovën e lirë dhe shtet të pavarur. Lëre që punuan pa lekë, po një këmbë e kishin në burg e një në dhe.
Nëse dikush ka kontribuar për t’i dhënë Kosovës dritë dhe ideal për liri e pavarësi gjatë viteve 1990-1999, atëherë ata janë arsimtarët.
Nëse dikush i ka dhënë goditje më të fuqishme Serbisë përbrenda Kosovës gjatë viteve 1990-1999, atëherë ata janë arsimtarët.
Nëse dikush i ka bërë që shqiptarët ta ndjejnë se e kanë Republikën e vet gjatë viteve 1990-1999, atëherë ata janë arsimtarët.
Nëse duam ta dimë se cili resor i Qeverisë punoi e funksionoi përbrenda territorit të Kosovës gjatë viteve 1990-1999, atëherë ai është vetëm një, arsimi.
Nëse dikush i ka dhënë dije e orientim të drejtë gjeneratave e brezit të viteve 1990-1999, atëherë ata janë arsimtarët.
Nëse dikush e ka ruajtur me dinjitet, mençuri e trimëri indin e kombit shqiptar gjatë viteve 1990-1999, atëherë ata janë arsimtarët.
Nëse dikush e ka mbrojtur dhe përçuar edhe amanetin hyjnor për dije, edukim e arsimim gjatë viteve 1990-1999, atëherë ata janë arsimtarët.
E çfarë po ndodh sot me këta viganë të arsimit shqip në Kosovë? I gjithë kontributi i tyre shpesh me kërcënime, maltretime, rrahje, e çfarë tjetër nga policia fashiste serbe, këtyre nuk ju pranohet nga pushtetarët e pasluftës, për atë periudhë kohore si përvojë pune!
Dhe, për këtë sot ata nuk arrijnë ta marrin pensionin e merituar. Ky është përçmimi, maltretimi e sharje e dytë për këta viganë të rryer të kombit, pas asaj serbe të atyre viteve.
Atëherë si të veprojmë në këtë rast? Nëse dihet që shumica e ministrave, zëvendësministrave, drejtorëve, ambasadorëve, profesorëve…të sotit kanë diplomuar pikërisht në ato vite 1990-1999, atëherë a duhet të ju pranohet diplomimi i tyre?!
Në fakt kështu kuptohet ky absurditet, meqenëse nuk po e pranojnë përvojën e punës të asaj periudhe 1990-1999 (që shpesh e quajmë sistemi paralel), atëherë nuk do të duhej të ishin valide e të pranoheshin as diplomat dhe i gjithë gradimi i atyre zyrtarëve që mbaruan kualifikimet e tyre gjatë asaj periudhe kohore.
S’ka gola në Ferizaj
Hamza: Bashkatdhetarët në Köln u bashkuan me ne për ta bërë ...
Rama: Fitorja jonë në 2025 duhet të jetë përfundimtare, shpë...
Nga çdo kontinent, Kosova paguan qindra miliona për import t...
Edhe 17 ditë afat për certifikim të partive, ende asnjë apli...
USAID 25 vjet në Kosovë, Ambasada amerikane: Riafirmim i për...