Incidenti në Aeroportin e Shkupit, partia e Mickoskit: Presidentja Osmani i shkeli edhe më herët rregullat

22:56 | 7 Gusht 2024
E.G

Partia politike në pushtet i Maqedonisë së Veriut, VMRO-DPMNE, ka dalë me një komunikatë në lidhje me incidentin në Aeroportin e Shkupit më 1 gusht, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kjo parti në një komunikatë për media ka deklaruar se “Presidentja e Kosovës kishte shkelur edhe më herët rregullat”. Megjithatë, sipas tyre, nuk ka pasur asnjë masë pasi në pushtet ka qenë LSDM dhe BDI.

Në këtë komunikatë përmendet edhe padia ndaj sigurimit të kryeparlamentarit Afrim Gashi.

Tutje, VMRO-DPMNE ka cituar edhe pjesë të një procesverbali rreth ngjarjeve, ku sipas tyre Presidentja e Kosovës ka kryer shkelje.

“Pas arritjes në sektorin VIP, ndërmjet përgjegjësit për protokollin e delegacionit dhe shërbimit të sigurisë së aeroportit, ka pasur një keqkuptim pasi ai, duke u thirrur në imunitetin diplomatik të presidentes, nuk është pajtuar që bagazhi personal i presidentes së Kosovës të kontrollohet në skaner,” thuhet në procesverbalin e datës 16.09.2023, thekson partia maqedonase që udhëheq qeverinë atje.

“Pasi arritën në sektorin VIP, personi përgjegjës për sigurinë e delegacionit dhe drejtori i protokollit (që atë ditë ishte personi D.M me numër personal 5785) (nga delegacioni kosovar) u informua se nuk pajtohen që bagazhi personal i presidentes së Kosovës të kalojë në kontrollin e skanerit. Arsyet për këtë bazohen në imunitetin diplomatik të presidentes. Kapiteni i fluturimit dhe përfaqësuesi i “Croatia Airlines”, duke u thirrur në standardet ndërkombëtare dhe programin kombëtar të sigurisë, theksoi se derisa të kontrollohen bagazhi, ata nuk do të pranohen në fluturim,” thuhet në procesverbalin e datës 09.10.2023. Atëherë Ministria e Brendshme ka heshtur, ndërsa LSDM dhe BDI kanë shërbyer për shkeljen e ligjeve. LSDM me deklaratat e tyre po qëllojnë veten në tëmth”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme