Sot u prezantua propozimi fitues për zhvillimin e master planit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Me këtë rast, i ftuar si folës kryesor ishte Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti cilësoi se Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz është vendi më i rëndësishëm i kujtesës kombëtare, e konceptuar si Oda e Kombit ku ne rikthehemi që të kujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë të cilën e gëzojmë sot.
“Jemi shumë të lumtur, që ky Master Plan do të hartohet nga një ekip ekspertësh ndërkombëtar me përvojë shumë dekadëshe. Me padurim pres të përcjellë së bashku me të gjithë ju, prezantimin e propozimit fitues, me bindjen që ky propozim do të ofrojë një interpretim dinjitoz e gjithëpërfshirës, për rrëfimin e historisë së familjes Jashari” tha ai, para se të shtonte se rrëfim i cili do të tejkalojë barrierat kohore të brezit tonë dhe ato hapësinore të vendit tonë, dhe kujtimin për veprën heroike të familjes Jashari, do ta shndërrojë në përjetësi botërisht.
Sipas këtij propozimi, Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, i shtrirë në një hapësirë prej 450 hektarë, do të marrë pamjen dhe trajtën e një peizazhi historik kompleks, në të cilin vizitat do të jenë udhëtime në tërë historinë e Jasharëve të Prekazit: nga gjenealogjia te strukturat e familjeve; nga tradita e rezistencës te kultura e patriotizmit; nga stërvitjet ushtarake në Shqipëri dhe rrethimi i parë i familjes së Shaban Jasharit më 1991 te themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; nga aksionet e para të armatosura te vetë organizimet e grupeve të armatosura; nga betejat e para të UÇK-së në Klysyrë dhe te Gjashtë Lisat deri te rrethimi i dytë i 22 janarit 1998; dhe veçanërisht nga rrethimi i tretë dhe qëndresa e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 që shënoi vetë Epopenë e UÇK-së te trashëgimia e gjithë çfarë përfaqëson Adem Jashari, familja Jashari dhe historia e tyre deri sot, për çlirim dhe shtetndërtim të vendit tonë nga populli ynë, përshkroi kryeministri.
“Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri dhe drejtësi, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e familjes Jashari”, tha në fund të fjalës së tij kryeministri.
Në këtë ngjarje të pranishëm ishin edhe pjesëtarë të familjes Jashari, Baca Rifat e Bekim Jashari, krahas anëtarëve të shumtë të kabinetit, Kryetarit të Komunës Skenderajt, deputetëve të Kuvendit, përfaqësuese të Universitetit të Prishtinës, anëtarëve të Komitetit ndërministror dhe të Komisionit të Ekspertëve të Kompleksit Memorial “Adem Jashari”.
Në emër të familjes Jashari, Bekim Jashari tha se hartimi i projektit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, është një hap i shumëpritur për të parandaluar dëmtimin edhe më të madh të kullave, që dikur ishin të babës Shaban, por siç tha ai sot janë të gjithë shqiptarëve. Ai u shpreh se ndërtimi i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” është obligim ndaj mijëra vizitorëve nga trojet shqiptare që e vizitojnë Prekazin dhe kthehen të mbushur me krenari por nuk e fshehin as dëshirën e madhe që të shohin një kompleks të konservuar, një muze funksional dhe modern dhe me hapësira më të mëdha për të kaluar kohë me familjet e tyre. Bekim Jashari shtoi se me këtë kompleks le t’i tregojmë botës për historinë tonë të lavdishme, t’i dëshmojmë për luftën e drejt dhe jetën e re që kemi ndërtuar si një shoqëri demokratike, shembull për shtetet dhe shoqërinë në rajon.
Konsorciumi fitues përbëhet nga ndërmarrje ndërkombëtare Gerber Architekten Internacional nga Gjermania, Donald Insall Associates nga Mbretëria e Bashkuar, dhe Barker Langham nga Mbretëria e Bashkuar, të cilat kanë një përvojë të gjatë në zhvillimin e projekteve anembanë botës: në fushën e projektimit të arkitekturës dhe inxhinierisë, të konservimit, planifikimit hapësinor, kurimit e muzealizimit, ndër të tjera.
Kontrata e nënshkruar parasheh hartimin e projekteve e planeve, ideore e zbatuese, gjithsej 21 produkte, ku përfshihen Master Plani për tërë Kompleksin Memorial; Projektet e Konservimit dhe Interpretimit të Kullave të Rezistencës, dhe monumenteve tjera në kuadër të kompleksit; Programin kuratorial; Planet e hollësishme rregulluese; Projektet për Fabrikën e Municionit dhe Gardën Ceremoniale të Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Puna në hartimin e këtyre planeve e projekteve, është parashikuar të realizohet brenda 22 muajve. Paralelisht me hartim të planeve, do të nisë edhe zbatimi i projekteve të përfunduara.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara Familje Jashari,
I dashuri Baca Rifat,
I nderuari Bekim Jashari,
Të nderuar Zëvendëskryeministra, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Emilija Redzepi,
I nderuar z. Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
Të nderuar ministra e anëtarë të Kabinetit tonë Qeveritar,
I nderuar, z. Ardian Gola, Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
I nderuari Ambasador Jörn Rohde, Ambasadori i Republikës Federale Gjermane në Republikën e Kosovës,
I nderuari z.Fadil Nura, Kryetar i Komunës së Skenderajt,
Të nderuar përfaqësues të Institucioneve publike,
Të nderuar zëvendësministra,
Të nderuar përfaqësues të Universitetit të Prishtinës e profesionistë të tjerë,
Të nderuar anëtarë të Komitetit ndërministror dhe të Komisionit të Ekspertëve të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz,
Të nderuar drejtues dhe profesionistë të kompanive nga konsorciumi fitues i konkursit ndërkombëtar,
Të nderuar punonjës të medieve,
Të nderuar mysafirë të pranishëm,
zonja dhe zotërinj,
Jemi mbledhur sot për një nga proceset më të rëndësishme dhe më delikate të Republikës sonë, atë të Ruajtjes dhe Prezantimit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Në Kompleksin Memorial, në Prekazin historik, aty ku ruhen gjurmët e veprës historike e heroike të familjes Jashari, ne kthehemi e rikthehemi që të kujtojmë dhe përkujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë të cilën e gëzojmë sot. Prekazin historik e vizitojmë për të mësuar dhe evokuar me krenari historinë e familjes Jashari, e cila mund të përmbledhet në një simbolikë të thjeshtë patriotike, atë të deklaratës së Shaban Jasharit në janar të vitit 1998: “Unë kam vetëm një shtëpi dhe nuk kam ku shkoj prej saj.” “Shtëpia” në traditën tonë nuk nënkupton vetëm ndërtesën, por bashkësinë e lidhur nëpërmjet farefisnisë, dhe në një kuptim më të gjerë “shtëpia” ka domethënien e vatrës ose të atdheut. E mu për këtë, Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz është vendi më i rëndësishëm i kujtesës kombëtare, e konceptuar si Oda e Kombit.
Vetëflijimi, sakrifica, vetëmohimi i familjes Jashari janë gurthemel i çlirimit të vendit tonë, dhe për më tepër janë shembull botëror i flijimit për liri.
Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është ngjarja historike si konkretësi universale.
Duke marrë parasysh rëndësinë e detyrës, me përgjegjësinë më të madhe, kemi ndërmarrë të gjitha hapat që ky projekt, i ruajtjes dhe i prezantimit të kujtesës së familjes Jashari, të trajtohet me ndjeshmëri dhe përgjegjësi të lartë, me një qasje profesionale e multi-diciplinare, nga historia, monumentaliteti, peizazhi kulturor e natyror, deri te vlerësimi profesional teknik dhe institucionalizimi i memories kolektive.
Komiteti Ndërministror ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt zbatimit të Ligjit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, që siguron mbrojtjen e vlerave që i përfaqëson ky vend, duke filluar nga:
– Vlerësimi i gjendjes fizike dhe qëndrueshmërisë së ndërtesave brenda kompleksit memorial, nga inxhinierët më të mirë të Kosovës, profesorët e nderuar të Fakultetit të Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës; tutje
– Zbatimi i ndërhyrjeve konsoliduese në strukturat e rrezikuara brenda kompleksit, nga institucionet përgjegjëse të Ministrisë së Kulturës, Rinisë, Sportit, dhe Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale; mandej,
– Përmes vlerësimit profesional dhe ndërhyrjeve emergjente të realizuara në kompleks, gjendja e sigurisë së ndërtesave të rrezikuara brenda kompleksit është përmirësuar; pastaj, –
Kemi themeluar Komisionin e Ekspertëve, të përbërë nga ekspertët kombëtar e ndërkombëtar, të cilët kanë përgatitur hulumtimin shumë-sektorial dhe vizionin për master planin e kompleksit; më tutje, –
Në bazë të detyrës projektuese të hartuar nga Komisioni i Ekspertëve, dhe të miratuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës, në maj të vitit të kaluar kemi shpallur konkursin ndërkombëtar për hartimin e Master Planit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz; –
Pas një periudhe të vlerësimit, ku kemi përfshirë profesionistë nga institucionet tona publike e nga Universiteti i Prishtinës, sot kemi propozimin fitues të master planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, që zë një hapësirë të gjithmbarshme prej 450 hektarësh në fshatin Prekaz.
Me kujdes të shtuar e durim, i kemi përcjellë të gjithë hapat deri tani, dhe pas nënshkrimit të Kontratës për Hartim të Master Planit, do të vazhdojmë me veprimet përkatëse për realizimin e Planeve e Projekteve përbërëse të Master Planit. Kemi ndarë burime financiare dhe kemi angazhuar ekip të profesionistëve, në mënyrë që të sigurohemi që Hartimi i Master Planit të zhvillohet me efikasitet e sipas dinamikës së paraparë brenda afatit kohor.
Jemi shumë të lumtur, që ky Master Plan do të hartohet nga një ekip ekspertësh ndërkombëtar me përvojë shumë dekadëshe. Me padurim pres të përcjellë së bashku me të gjithë ju, prezantimin e propozimit fitues, me bindjen që ky propozim do të ofrojë një interpretim dinjitoz e gjithëpërfshirës, për rrëfimin e historisë së familjes Jashari. Rrëfim i cili do të tejkalojë barrierat kohore të brezit tonë dhe ato hapësinore të vendit tonë, dhe kujtimin për veprën heroike të familjes Jashari, do ta shndërrojë në përjetësi botërisht.
Synimi sipëror i këtij projekti është që kur ai të ketë përfunduar, Kompleksi Memorial “Adem Jashari” të ketë marrë pamjen dhe trajtën e një peizazhi historik kompleks, në të cilin vizitat do të jenë udhëtime në tërë historinë e Jasharëve të Prekazit: nga gjenealogjia te strukturat e familjeve; nga tradita e rezistencës te kultura e patriotizmit; nga stërvitjet ushtarake në Shqipëri dhe rrethimi i parë i familjes së Shaban Jasharit më 1991 te themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; nga aksionet e para të armatosura te vetë organizimet e grupeve të armatosura; nga betejat e para të UÇK-së në Klysyrë dhe te Gjashtë Lisat deri te rrethimi i dytë i 22 janarit 1998; dhe veçanërisht nga rrethimi i tretë dhe qëndresa e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 që shënoi vetë Epopenë e UÇK-së te trashëgimia e gjithë çfarë përfaqëson Adem Jashari, familja Jashari dhe historia e tyre deri sot, për çlirim dhe shtetndërtim të vendit tonë nga populli ynë.
Sepse gjithë çfarë kishte të shenjtë njeriu i kombit tonë, dhe kombi ynë prej njeriut, kishte zbritur mbi supet e Adem Jasharit, për t’u ruajtur dhe bartur deri në ditët e sotme dhe te gjeneratat e ardhshme që do të vijnë pas nesh.
Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri dhe drejtësi, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e familjes Jashari.
Ju faleminderit!/Arbresh.info/
“Krejt si unë po më duket”, Anisa shpreh pëlqim për Drilonin
Një tjetër ndryshim po vjen në versionet iOS dhe Android të ...
Shtetet në zhvillim thonë se 300 miliardë dollarët e ndarë p...
Si nisi karriera e Rovenës?
Osmani: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi ës...
Pse Sara i kërkoi falje Drilonit?