Google ADS

Kurti: Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë marrëdhënie të mira bilaterale

16:16 | 5 Gusht 2024
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot është takuar me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickosk.

Pas takimit, Kurti në një konferencë për media tha se në këtë konferencë kanë diskutuar një mori temash e çështjesh të cilat i diskutuam e që padyshim se janë për të mirën e dyanshme e të përbashkët, shkruan Arbresh.info.

Ai theksoi marrëdhëniet e mira bilaterale mes të dyja vendeve.

“Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut kanë marrëdhënie të mira bilaterale, të bazuara në vlera të përbashkëta dhe me synim të qartë për integrim evropian. Ne vlerësojmë përpjekjet e vazhdueshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut për integrim në Bashkimin Evropian dhe urojmë që sa më parë të jetë e mundur t’i fillojnë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Maqedonia e Veriut, si fqinj i yni, është vend anëtar i NATO-s. Ne jemi mirënjohës për kontributin e kontingjentit ushtarak paqeruajtës të trupave të Maqedonisë së Veriut në kuadër të KFOR-it duke përkrahur kësisoj përpjekjet për një mjedis të sigurt, paqësor dhe stabil për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.”, tha ai.

Tutje, Kurti tha se të dyja vendet kanë bashkëpunim bilateral në çdo fushë.

“Të dyja vendet tona kanë bashkëpunim bilateral në çdo fushë. Në aspektin diplomatik, ne përshëndesim përkrahjen e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut në përpjekjet tona për integrim në organizata ndërkombëtare, e sidomos në Këshill të Evropës dhe në NATO. Ne synojmë fuqizimin e bashkëpunimit në kuadër të Procesit të Berlinit, platformë kjo e vetmja gjithëpërfshirëse rajonale me përfitues përfundimtar qytetarët e rajonit.”, tha mes të tjerash ai.

“Në aspektin ekonomik e të tregtisë, siç e tha edhe kryeministri Mickoski, e kemi ngritur shkëmbimin tregtar, në një vlerë prej rreth gjysmë miliardi euro, dhe në këtë bashkëpunim ka edhe investime reciproke në të dyja vendet, ndërkohë që ky gjysmë miliardi euro është në ngritje e sipër për shkak se kemi edhe trend pozitiv. Maqedonia e Veriut tash e disa vite është vendi ku eksportojmë shumë mallra të Kosovës në vlerë të lartë, edhe një e dhënë tjetër e cila është në ngritje e sipër.”, tha kryeministri.

Siç tha ai, në këtë dyfishim të eksporteve të Republikës së Kosovës në përgjithësi një pjesë e konsiderueshme është ngritja e eksporteve pikërisht në Maqedoninë e Veriut.

Bashkëpunim të mirë,  Kurti tha se ka edhe në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Mezi presim që të operacionalizohen pikat e përbashkëta kufitare, sidomos kjo në Hanin e Elezit e në Bllacë, të cilat do të lehtësojnë qarkullimin edhe ashtu në rritje të qytetarëve tanë. Ne të gjithë e dimë se kemi shumë familje e farefis në të dy anët e kufirit. Madje edhe zëvendësja ime, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schëarz, vjen nga Shkupi si vendlindje, edhe nëna e saj është nga Shkupi, siç është edhe nëna e Kryeparlamentarit, Glauk Konjufca.”, shtoi ai.

“Dhe, jemi të interesuar siç e tha edhe kryeministri Mickoski, që të kemi sa më shumë qarkullim të lirë midis qytetarëve, dhe për këtë padyshim që kjo rruga e cila e lidh kufirin e Kosovës me Shkupin, kur të rregullohet e të lëshohet në përdorim do të ndihmojë jashtëzakonisht shumë. Ne përkrahim fuqizimin edhe më tej të bashkëpunimit në sferën e mbrojtjes posaçërisht në raport me zbatimin e marrëveshjes ekzistuese bilaterale ushtarake.”, u shpreh ai.

Kurti tha se Republika e Kosovës pret që të ndërtojë edhe më shumë ndërlidhje transporti rrugor e hekurudhor me Maqedoninë e Veriut në funksion të lehtësimit të qarkullimit të njerëzve dhe të mallrave.

“E ritheksojmë faktin dhe vlerën se Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet anëtar i NATO-s, i kësaj aleance të vendeve demokratike, ushtarakisht më e fuqishmja jo vetëm në botë por edhe në historinë e njerëzimit.”, u shpreh ai.

Ai shtoi se duam të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore dhe evropiane edhe si shtete, edhe si popuj.

“Ne do të punojmë së bashku me Qeverinë e re në funksion të fuqizimit edhe më tej të bashkëpunimit bilateral bazuar në mirëbesim dhe në interesin reciprok.”, shtoi ai./Arbresh.info/

Të ngjashme