Google ADS

Ukraina i rrëzon disa dronë gjatë një sulmi të ri rus

10:42 | 4 Gusht 2024
E.H

Forcat e Armatosura të Ukrainës i rrëzuan pesë dronë gjatë një sulmi me dronë dhe raketa nga Rusia në disa rajone ukrainase mëngjesin e së dielës.

Komandanti i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Mykola Oleshchuk shkroi në Facebook se pesë dronët e prodhimit iranian, Shahed, u rrëzuan në rajonet Herson, Dnipropetrovsk, Kirovohrad dhe Zaporizhja.

Dronët u lëshuan nga një bazë ajrore në rajonin Krasnodar të Rusisë.

Rusia shkrepi gjithashtu edhe dy raketa të telekomanduara, S-300, dhe dy raketa të telekomanduara, Kh-59, thanë zyrtarët ukrainas.

Guvernatori i Hersonit, Oleksandr Prokudin, tha të dielën se 15 njerëz, përfshirë fëmijë, u plagosën nga bombardimet ruse një ditë më herët.

Me gjithë dëshmitë e mëdha, Rusia vazhdon ta mohojë se nuk i sulmon civilët në luftë kundër Ukrainës.

Misioni Vëzhgues i Kombeve të Bashkuara ka thënë se së paku 11.284 civilë ukrainas janë vrarë nga lufta prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, duke theksuar se numri i vërtetë ka gjasa të jetë shumë më i lartë.

Ndërkohë, autoritetet në Rusi kanë filluar të dërgojë mesazhe telefonike për t’i nxitur njerëzit të regjistrohen Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë dhe “menjëherë” t’i fitojnë 9.400 dollarë pas nënshkrimit të kontratës për t’iu bashkuar ushtrisë.

Mediat ruse raportuan për herë të parë në qershor për planin e Ministrisë ruse për të rekrutuar ushtarë përmes mesazheve telefonike.

Përmes shumës së fituar për nënshkrimin e kontratës, guvernatorët rajonalë kanë autoritet t’i paguajnë ushtarët nga rajonet e tyre të holla shtesë për ta ruajtur garën për rekrutim. Raportohet se pagesat shtesë fillojnë nga 13.200 dollarë në Komi deri në 20.000 dollarë në Leningrad.

Rusia po përpiqet t’i joshë qytetarët t’i bashkohen ushtrisë për ta rritur numrin e trupave në luftën e saj kundër Ukrainës, pa deklaruar formalisht mobilizim, sepse një gjë e tillë do të mundë të shkaktonte pakënaqësi.

Në prag të zgjedhjeve presidenciale në dhjetor 2023, presidenti rus Vladimir Putin premtoi se nuk do të kishte njoftime për thirrje të reja në ushtri, meqë në vijat e frontit ndodheshin “gjysmë milion” ushtarë./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme