Google ADS

Himara pak orë nga zgjedhjet, shpërndahen materialet në 36 qendrat e votimit

18:19 | 3 Gusht 2024
E.H

Banorët e Bashkisë së Himarës në Shqipëri do t’i drejtohen kutive të votimit të dielën, për të zgjedhur kryetarin e tyre.

Nga ora 15:00 e së shtunës filloi shpërndarja e materialeve zgjedhore për 36 qendrat e votimit të KZAZ-së nr. 88. Qendra e parë e votimit është 45-80 Pilur.

Kryetari i KZAZ-së, Marin Suli, pohoi se deri tani vendimmarrja ka qenë pa probleme.

“Kemi pasur ndryshime të komisionerëve, si nga PS dhe nga PD. Gjithsej kemi marrë 86 vendime,” u shpreh ai RTSH-në.

Në bashkinë jugore janë rreth 23 mijë qytetarë me të drejtë vote, të cilët nesër do të shprehin vullnetin e tyre nga ora 07:00 deri në 19:00.

Një ditë më parë Komisioni Qendror Zgjedhor mundësoi mbërritjen e materialeve zgjedhore. Votimi do të kryhet nëpërmjet identifikimit elektronik të zgjedhësve, ndaj për këtë proces janë dërguar edhe pajisjet përkatëse me kamerat monitoruese.

Zëvendëskryetarja e KZAZ-së nr. 88, Irina Bejdo, deklaroi të shtunën për RTSH se deri tani procesi ka qenë i rregullt.

Qendrat e votimit më të largëta në bashkinë e Himarës janë ato të Horë-Vranishtit. Fshati Tërbaç, rreth 60 minuta larg KZAZ-së, ka bërë gati edhe monitorët e numërimit në 4 tavolina.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme