Inaugurohet busti i heroit Rrustem Bruqi, Kurti: Lum Kosova që e pati ushtar deri në vdekjen e tij

15:50 | 3 Gusht 2024
E.K

Sot është përuruar busti i heroit Rrustem Bruqi në sheshin e quajtur në nder të tij në Isniq të Deçanit. Në këtë ngjarje të rëndësishme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, që nuk mundi të ishte i pranishëm, dërgoi një telegram emocionues që u lexua nga moderatori i ceremonisë.
Ceremonia u nderua me praninë e zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz.

Në telegramin e tij, Kurti vuri në dukje se historia moderne e Kosovës, veçanërisht në gjysmën e dytë të shekullit XX, është e mbushur me ngjarje dhe figura të rëndësishme, dhe se jeta e Rrustem Bruqit është një shembull i përkushtimit dhe patriotizmit të thellë për vendin.

Kurti përmendi se Rrustem Bruqi, ishte një figurë aktive në luftën për çlirim.

“I angazhuar qysh nga demonstratat e pranverës së vitit 1981, Rrustem Bruqi u kthye në një njeri tejet aktiv, duke i shfrytëzuar të gjitha rrugët dhe metodat, legale dhe ilegale, paqësore dhe të armatosur, për organizime dhe për rezistencë, për aktivizëm dhe deri për luftë çlirimtare. Kur i dëgjoni rrëfimet nga të afërmit dhe shokët e Rrustemit apo kur lexoni për jetën e tij nëpër tekste biografike, e kuptoni që një jetë e kaluar me aq shumë aktivitete si në Isniq e në Deçan sa ishte në Kosovë, ashtu edhe gjatë katër viteve që i kaloi në Gjermani, nuk mund të përmbyllej ndryshe veçse ashtu si u përmbyll. Andaj natyrshëm, në qershor të vitit 1998, Rrustemi u kthye nga Gjermania në Kosovë duke iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në frontet e luftës. Dhe po kaq natyrshëm, Rrustem Bruqi ra dëshmor më 6 korrik 1998, duke e përmbyllur jetën dhe veprën e tij me aktin më sipëror të një individi për liri, si dëshmor i popullit dhe vendit të tij në luftën e tij të drejtë për çlirim”, tha Kurti.

Kryeministri përfundoi duke shprehur nderim për Rrustem Bruqin dhe të gjithë dëshmorët e lirisë.

“Lum familja Bruqi dhe Isniqi që e rriti e formoi dhe lum Kosova që e pati ushtar të saj deri në vdekjen e tij, Rrustem Bruqin, dëshmorin e lirisë së Kosovës. Lavdi Rrustem Bruqit dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë”, përfundoi Kurti./Arbresh.info

Të ngjashme