Dy vjet bisedime sekrete, si u arrit marrëveshja për shkëmbimin e të burgosurve mes Rusisë dhe SHBA-së

12:24 | 3 Gusht 2024
A B

Kur një vrasës famëkeq rus dhe një korrespondent amerikan nga Rusia hipën në avionin për në Turqi, ishte kulmi i një marrëveshjeje sekrete të shkëmbimit të të burgosurve që Rusia dhe Perëndimi kishin nisur bisedimet për dy vite.

Bazat për marrëveshjen, e cila u zbatua më 1 gusht, u hodhën në vitin 2022 dhe bisedimet në prapaskenë u intensifikuan në fillim të këtij viti, për të arritur kulmin gjatë javëve të fundit, kur publiku mësoi për mundësinë e kthimit të të burgosurve në shtëpi.

Negociatat janë vënë në dyshim në disa raste, veçanërisht në kulmin e tensioneve mes Rusisë dhe SHBA-së, të cilat janë intensifikuar si pasojë luftës në Ukrainë.

“Është kulmi i shumë raundeve të negociatave komplekse që kanë vazhduar për muaj të tërë”, tha këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, i cili luajti një rol kyç në arritjen e marrëveshjes, menjëherë pas shkëmbimit.

Në një intervistë me CBS-në, zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë zbuluan se si u zhvilluan bisedimet. Sipas tyre, aludimi i parë që Moska mund të pranojë një marrëveshjes erdhi në vjeshtën e vitit 2022

Rusia dhe SHBA-ja negociuan lirimin e basketbollistes amerikane, Britney Greiner, e cila u dënua për posedim të vajit të kanabisit. Ajo u lirua më vonë atë vit në këmbim të tregtarit rus të armëve, Viktor Bout, raporton abcnews.al.

Gjatë këtyre bisedimeve, Rusia e bëri të qartë se donte gjithashtu lirimin e vrasësit, Vadim Krasikov, i cili po vuante një dënim të përjetshëm në Gjermani për vrasjen e një njeriu në një park të Berlinit, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Vrasja besohet të jetë kryer me urdhër të drejtpërdrejtë nga Kremlini.

Jake Sullivan informoi homologun gjerman se Rusia kishte kërkuar lirimin e Krasikovit dhe e pyeti nëse Berlini do të konsideronte dorëzimin e vrasësit rus në këmbim të figurës së shquar të opozitës ruse, Alexei Navalnyt, i cili vdiq në një qeli në fillim të këtij viti.

Gjermania, megjithatë, hezitoi të lironte një kriminel që kishte kryer një vrasje në territorin e saj.

Megjithëse Sullivan nuk mori një përgjigje përfundimtare nga Berlini, bisedimet e para në vitin 2022 hapën rrugën për negociata më të gjata, më komplekse që përfundimisht rezultuan në një marrëveshje që u arrit javet e fundit.

Në fillim, të dyja palët treguan se çfarë dëshirojnë, Rusia donte Krasikovin dhe SHBA kërkonte jo vetëm Navalnyn, por edhe Paul Ëhelan, një ish-marins, i cili u dënua për spiunazh në Rusi, raporton abcnews.al.

Në fund të muajit mars, reporteri 31-vjeçar i Wall Street Journal, Evan Gershkovich u arrestua në Rusi. Arrestimi u dënua ashpër nga SHBA dhe aleatët e saj.

Një ditë pas arrestimit, Biden i dha një detyrë Sullivan të përpunonte një marrëveshje që do të sillte në shtëpi Gershkovich dhe Whelan.

SHBA kontaktoi drejtpërdrejt Rusinë. Pikërisht atëherë filloi komunikimi serioz, thanë zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë për CBS, duke vënë në dukje se ministrat e jashtëm ishin në bisedime të drejtpërdrejta.

Megjithatë, biseda shpejt kaloi nga diplomatët më të lartë te shërbimet sekrete të të dy vendeve, diçka që SHBA-ja iu shmang që kur Gershkovich u akuzua për spiunazh.

Sipas BBC-së, Uashingtoni kishte frikë se përfshirja e CIA-s në negociata vetëm do të nxiste pretendimet e Moskës.

Negociatat u zbehën kur SHBA-ja kuptoi në fund të vitit 2023 se lirimi i Krasikov ishte çelësi i çdo marrëveshjeje, tha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë. Të gjitha ofertat e bëra për Moskën që nuk përfshinin lirimin e vrasësit u refuzuan.

Ndërsa Krasikov ishte në burg në Gjermani, Jake Sullivan thirri kolegun gjerman dhe u përpoq ta bindte gjatë bisedimeve të mbajtura në fund të vitit 2023 dhe në fillim të 2024, raporton abcnews.al.

Çdo marrëveshje e mundshme ishte absolutisht e kushtëzuar nga lirimi i Krasikov, thanë zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë. Ata shtuan se qëndrimi i Moskës ishte se spiunët e saj duhet të shkëmbehen me amerikanë të akuzuar për spiunazh në Rusi.

Pas kësaj, SHBA-ja është përpjekur të gjejë sa më shumë spiunë rusë në burgjet aleate të jetë e mundur, të cilët mund të jenë pjesë e një marrëveshjeje më të madhe.

Shenjat e para të suksesit erdhën të enjten kur rusët u liruan nga burgjet në Poloni, Slloveni dhe Norvegji.

Vdekja e Navalny pothuajse shkatërroi marrëveshjen.

Në muajin shkurt të këtij viti, kancelari gjerman Olaf Scholz u takua me presidentin amerikan, Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe sipas informacioneve të zbuluara nga Uashingtoni, ata diskutuan mundësinë e një shkëmbimi që përfshin të gjitha figurat kryesore, Krasikov, Navalny, Ëillan dhe Gershkovich.

Sinjalet pozitive erdhën nga Rusia dhe presidenti rus, Vladimir Putin përmendi Gershkovichin në një intervistë me gazetarin amerikan, Tucker Carlson në fillim të muajit shkurt.

“Unë nuk e përjashtoj mundësinë që Gershkovich të kthehet në shtëpi”, tha Putin në një intervistë.

Por më 16 shkurt të këtij viti, pak ditë pas asaj interviste dhe takimit mes Scholz dhe Biden në Uashington, marrëveshja pothuajse u shkatërrua.

I burgosuri më i shquar në listën e shkëmbimeve, Alexei Navalny, vdes në moshën 47-vjeçare në një burg në Siberi. Familja e tij, si dhe shumë udhëheqës të huaj, fajësuan presidentin rus për vdekjen, ndërsa Rusia pretendoi se opozitari rus vdiq për shkaqe natyrore.

Bashkëpunëtorja e Navalnyt, Maria Pevcki, më pas deklaroi publikisht për herë të parë se Navalny duhej të ishte shkëmbyer me Krasikovin. Në atë kohë, asgjë nuk dihej për marrëveshjen dhe Kremlini mohoi se ishte arritur një marrëveshje e mundshme, raporton abcnews.al.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi të enjten, megjithatë, se po punonte për të përfshirë Navalnyn në marrëveshjen e shkëmbimit. Vetëm tre persona nga rrethi më i ngushtë i opozitës ruse ishin në dijeni të kësaj çështjeje.

Përkeqësimi i rrethanave ishte i tillë që prindërit e Gershkovichit patën një takim me Sullivan pikërisht në ditën e vdekjes së Navalnyt.

Sullivan më pas dha lajmin jo shumë të mirë, marrëveshja e mundshme tani duhet të rishikohet dhe sigurisht SHBA dhe Gjermania duhet të diskutonin sërish çështjen.

Më pas, zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris ndërhyri dhe mbajti dy takime të rëndësishme për të mbajtur gjallë shkëmbimin e mundshëm, tha një zyrtar i lartë për BBC-në.

Në Konferencën e Sigurisë së Munichut në mes të muajit shkurt, ajo i tregoi kancelarit Scholz rëndësinë e lirimit të Krasikov. Ajo u takua edhe me kryeministrin e Sllovenisë, e cila kishte në qeli dy rusë, të cilët SHBA-ja i konsideronte si prioritet për Moskën. Të dy u liruan të enjten.

Marrëveshja e re, e cila nuk përfshinte më Navalnyn, u zyrtarizua këtë pranverë në Shtëpinë e Bardhë. Në muajin qershor, Berlini ra dakord të lirojë Krasikovi. “Unë do ta bëj për ju”, Scholz i tha Bidenit.

Marrëveshja përfundimtare iu dërgua më pas Moskës, e cila u përgjigj në mes të muajit korrik, duke pranuar kushtet dhe një listë të të burgosurve që do të liroheshin nga burgjet ruse, raporton abcnews.al

Marrëveshja mund të mos përmbushej pasi Biden u paralajmërua se mund të tërhiqej nga fushata presidenciale.

Sullivan zbuloi se një orë para se të shpallte tërheqjen nga fushata, presidenti amerikan ishte në kontakt me Slloveninë dhe  po përpunonte detajet përfundimtare të shkëmbimit të të burgosurve.

Ashtu si me të gjitha shkëmbimet e mëparshme të të burgosurve, nuk kishte garanci për sukses derisa avionët u pozicionuan në një aeroport në Turqi.

“Ne morëm frymë thellë dhe kryqëzuam gishtat për disa orë”, tha Sullivan.

Presidenti amerikan, Joe Biden më pas publikoi një fotografi të përbashkët të amerikanëve gjatë fluturimit për në SHBA, së bashku me një përshkrim të shkurtër.

“Ata janë të sigurt, të lirë dhe në rrugën e tyre për të përqafuar familjet e tyre”, shkroi Biden./abcnews/

Të ngjashme