Google ADS

ShBA, mediat sociale kthehen në arenë për debatin politik të fushatës presidenciale

16:58 | 2 Gusht 2024
KRG

Ndërsa sezoni elektoral në Shtetet e Bashkuara mbizotërohet nga ndryshime dhe kthesa të papritura, edhe rrjetet sociale po reagojnë në mënyra të ngjashme, si me imazhe të arrave të kokosit dhe të zonjave të dashuruara pas maceve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tina Trinh, shpjegon se si lidhen këto me zgjedhjet për president në Shtetet e Bashkuara.

Çfarë kanë të përbashkët arrat e kokosit, gratë që nuk kanë fëmijë dhe këngëtarja angleze e muzikës pop Charli XCX?

Janë të gjitha pjesë e debatit në internet kur bëhet fjalë për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Me pak më shumë se tre muaj deri në ditën e zgjedhjeve, votuesit hasin burime të mediave sociale plot me imazhe dhe retorikë keqdashëse.

“Ne drejtohemi në praktikë në këtë vend nga demokratët nëpërmjet oligarkëve tanë të korporatave, nga një grup zonjash të dashuruara pas maceve që nuk kanë fëmijë, të cilat janë të dëshpëruara për jetën e tyre dhe zgjedhjet që kanë bërë, dhe kështu duan ta bëjnë të dëshpëruar edhe pjesën tjetër të vendit”, tha J.D. Vance, kandidat republikan për nënpresident.

Komenti që bëri për ligjvënëset demokrate kandidati republikan për nënpresident u shpërnda gjerësisht në mediat sociale, me imazhe të shumta me mace dhe video që e kritikojnë atë.

Zotin Vance e kanë kritikuar që nga ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, dhe deri tek aktorja e Hollivudit, Jennifer Aniston.

Ai vetë thotë se komenti u mor jashtë kontekstit dhe se politikat e demokratëve janë kundër familjes.

Ndërkohë, ekipi elektoral i Nënpresidentes Kamala Harris po vë në dukje një fjalim të saj vitin e kaluar, kur citonte këshillat e nënës së saj:

“A mendon se sapo ke rënë nga një pemë kokosi? Ekziston në kontekstin e gjithçkaje në të cilën jeton dhe të gjërave përpara teje”, tha Nënpresidentja Harris.

Fillimisht e postuar si shpoti nga Komiteti Kombëtar Republikan, citati tashmë është transformuar në mediat sociale nga mbështetësit e zonjës Harris me imazhe me arra kokosi.

Futja rishtazi në garë e zonjës Harris ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme në internet, duke marrë ndër të tjera edhe mbështetjen e yllit të muzikës pop Charli XCX, e cila deklaroi në rrjetin X se Kamala Harris është personi i duhur.

Në përgjigje, ekipi elektoral i zonjës Harris adoptoi ngjyrat jeshile të albumit dhe gërmat e vogla të tij, për faqen kryesore të fushatës elektorale në rrjetin X.

Ndërkohë, kantautorët ripërpunuan këngën e artistes së muzikës pop me referenca për pemën e kokosit.

Rrjetet sociale janë përfshirë kështu me ritëm të shpejtë në një sezon elektoral që ka qenë plot surpriza./VOA

Të ngjashme