Ministria e Jashtme e Izraelit e thirri të premten në një takim zëvendësambasadorin e Turqisë për ta qortuar, pasi Ambasada turke në Tel Aviv e uli në gjysmështizë flamurin e vet, në nderim të Ismail Haniyehut, liderin politik të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Shteti i Izraelit nuk do të lejojë shprehjen e zisë për një vrasës sikur Ismail Haniyeh”, tha ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, në një komunikatë.
Haniyeh u vra më 31 korrik në Teheran, ku po merrte pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit iranian, Masoud Pezeshkian.
Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e tij, por Irani dhe aleatët e tij, përfshirë Hamasin dhe grupin libanez Hezbollah, e kanë akuzuar Izraelin për vrasjen e tij dhe janë zotuar për hakmarrje.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ka shpallur të premten e 2 gushtit ditë zie kombëtare në nderim të Haniyeh.
Në komunikatë, Katz tha se Haniyeh ishte lider i Hamasit gjatë sulmit që grupi palestinez e kreu më 7 tetor në jug të Izraelit, ku vrau rreth 1.200 izraelitë dhe të huaj dhe i rrëmbeu mbi 250 të tjerë, duke e nxitur luftën në Gazë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Oncu Keceli, duke iu përgjigjur deklaratave të Katzit, shkroi në rrjetin social X: “Nuk mund ta arrish paqen duke i vrarë negociatorët, e duke i kërcënuar diplomatët”, duke iu referuar vrasjes së Haniyehut.
Tensionet mes Izraelit dhe Turqisë janë rritur dukshëm prej se nisi lufta në Gazë, ku janë vrarë rreth 40.000 palestinezë, sipas zyrtarëve shëndetësorë në enklavë. /rel
Lajçak takon ministrin francez: Diskutuam për rëndësinë e di...
Lela: Gresa protagoniste, u përplas me të gjithë banorët (VI...
Hamza për Thaçin dhe Veselin: Mungesa e tyre ka qenë një god...
Lewandowski e kujton kohën kur gati i ishte bashkuar Manches...
Policia braziliane akuzon ish-presidentin Bolsonaro për tent...
LDK me tubim madhështor në Obiliq, Abdixhiku: Ndryshimi po v...