Kryeministri i vendit, Albin Kurti mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 60 të Policisë së Kosovës.
Kurti tha se policët të cilët sot po diplomojnë janë vlerë e shtuar e policisë sonë.
Ai tha që përkushtimi dhe shërbimi me ndër le të jenë virtytet që i karakterizojnë gjatë ushtrimit të profesionit.
“23 zyrtarë policor të rinj në krye të detyrës janë dëshmia e shërbimit ndaj qytetarëve, ata në jetën e patrullimit të rregullt, me operacione kundër bankave dhe krimeve të organizuara, ata janë rrëfyesi nga ata që janë ne shërbim. Të dashur kadetë Nga sot ju jeni vlerë e shtuar e policisë tonë, por edhe garancë për qytetarët e Republikës së Kosovës. Përkushtimi dhe shërbimi me nder le të jenë virtytet qe ju karakterizojnë gjatë ushtrimit të profesionit”, tha Kurti
Kryeministri u shpreh të jetë i lumtur që edhe këtë gjeneratë, çdo e 5t-a është grua.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Të nderuar zëvendëskryeministra, Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla Schwarz,
I nderuari ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,
I nderuari drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha,
Të nderuar ministra, zëvendësministra, deputetë, drejtues e përfaqësues të institucioneve të Republikës,
Shkëlqesi ambasador dhe të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike në vendin tonë,
I nderuari drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti,
Të dashur familjarë të kadetëve,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Jam mëse i lumtur që si Kryeministër i Republikës së Kosovës po marr pjesë në ceremoninë e 4-të të diplomimit të kadetëve të Policisë sonë. Sot, këtu mes jush, jemi bashkë në diplomimin e gjeneratës së 60-të me radhë të Policisë së Kosovës.
Policia jonë po shton e forcon radhët e saj duke qenë kështu në nivelin më të lartë të detyrës, në zbatim të misionit të saj në mbrojtjen e qytetarëve, sundimin e rendit e të ligjit, dhe ruajtjen e sovranitetit e integritetit territorial të Republikës sonë.
Këtë vit Policia e Kosovës shënon 25-vjetorin e themelimit të saj, sikurse vendi ynë që shënon 25-vjetorin e çlirimit. Një çerek shekulli liri, një çerek shekulli shërbim me përkushtim për të gjithë dhe pa dallim. Ajo ka promovuar vlerat e mira të shoqërisë sonë dhe i ka thyer barrierat e padrejta që përkojnë me detyrën dhe shërbimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Jam shumë i lumtur që edhe në këtë gjeneratë, nga 448 kadetët që diplomojnë sot, çdo e pesta është grua dhe nga sot e tutje ato do të marrin titullin e zyrtareve policore. Sikurse në çdo gjeneratë tjetër, edhe sot diplomojnë kadetë nga radhët e komuniteteve që jetojnë në Kosovë, ndërsa është hapur konkursi i veçantë po ashtu për komunitete, që të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës.
Historia 25 vjeçare e Policisë së Kosovës e ka dëshmuar që dyert e saj janë të hapura për të gjithë dhe si rezultat i kësaj, sot kur ne jemi mbledhur këtu, mijëra vajza e djem të të gjitha etnive janë në shërbim në çdo pjesë të vendit tonë.
Javën që lamë pas, e kemi shënuar Ditën Memoriale të Policëve të Rënë në Krye të Detyrës dhe 13-vjetorin e rënies së zyrtarit policor, Heroit të Kosovës, Enver Zymeri. 23 zyrtarët policorë të rënë në krye të detyrës janë dëshmia e shërbimit ndaj vendit dhe qytetarëve, përkushtimit në shërbim dhe e atdhedashurisë pa mbarim. Ata dhanë jetën në patrullime të rregullta, në ndërhyrje ndaj dhunës në familje, në operacione kundër bandave dhe krimit të organizuar, dhe në mbrojtjen e rendit publik e të sovranitetit shtetëror. Ata janë udhërrëfyesi më i qartë për t’u ndjekur nga ju sot që diplomoni, nga ata që janë në shërbim e ata që do të forcojnë radhët e Policisë në vijim.
Kur kemi marrë detyrën si Qeveri, buxheti për Policinë e Kosovës ka qenë 91 milionë euro. Sot është për gati 50% më i lartë (135 milionë euro). Si rezultat i kësaj, kushtet e punës së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë më të mira. Brenda periudhës tre vjeçare, kemi investuar afër 17 milionë euro në pajisje policore logjistike, 3 milionë në rregullimin dhe ndërtimin e objekteve policore, 7.8 milionë euro në blerjen e 320 automjeteve dhe autoblindave të reja. Përkushtimit profesional për të shërbyer, ia kemi dhënë mbështetjen institucionale që meriton.
Të dashur kadetë policor,
Nga sot ju jeni vlerë e shtuar e Policisë sonë por edhe garancë e sigurisë për qytetarët dhe shtetin, republikën e pavarur, sovrane e demokratike të Kosovës. Ju e keni zgjedhur një mision fisnik i cili kërkon angazhim në çdo ditë, në çdo orë, në çdo kohë e në çdo rrethanë. Betimin që do e thoni njëzëri pas pak, ta keni në mendje për ditë gjatë shërbimit tuaj. Profesionalizmi, përkushtimi, integriteti e shërbimi me nder le të jenë virtytet që ju karakterizojnë si pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Këto vlera do t’ju ngrisin jo vetëm juve, por edhe Policinë e Republikën tonë.
Të dashur familjarë edhe nga këtu e shohim ngazëllimin në fytyrat tuaja dhe krenarinë që ndjeni për bijat dhe bijtë tuaj.
Unë u jam mirënjohës për mbështetjen që ju keni dhënë atyre në rrugën që ato e ata e kanë zgjedhur. Shtetndërtimi ynë do të bartë në historinë e tij kontributin e juaj dhe të fëmijëve tuaj dhe të motrave e të vëllezërve tuaj. Të jeni krenarë ashtu siç jemi të gjithë ne sot, që Policia shënon moment të rëndësishëm falë qëndresës dhe përpjekjes dhe përkrahjes së familjarëve tuaj.
Si Qeveri e Republikës së Kosovës nuk do të ndalemi së mbështeturi Policinë e Kosovës e policet e policët tanë. Misionin për vendin tonë e kemi të përbashkët, çdo sfidë e çdo sukses do ta kalojmë bashkë.
Ju falemnderit.
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...