Google ADS

Gjykata Supreme në Hagë kthen çështjen e Sali Mustafës në Apel

12:24 | 30 Korrik 2024
A Z

Gjykata Supreme në Hagë ka miratuar pjesërisht kërkesën e Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafës. Paneli i Gjykatës Supreme, sipas njoftimit, ka vendosur mbi kërkesën e Mustafës për Mbrojtje të Ligjshmërisë, raporton Arbresh.info.

“Më 29 korrik 2024, Paneli i Gjykatës Supreme lëshoi vendim mbi kërkesën e Sali Mustafës për mbrojtje të ligjshmërisë, e cila u paraqit pas lëshimit të aktgjykimit të apelit në çështjen e tij. Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë, Mustafës ngriti pesë pika, të cilat lidheshin me përkthimin e aktgjykimit të apelit në gjuhën shqipe, shpalljen e tij fajtor për vrasje si krim lufte, si edhe me masën e dënimit. Paneli i Gjykatës Supreme e miratoi pjesërisht kërkesën e tij dhe anuloi pjesën e aktgjykimit të apelit që ka të bëjë me dënimin e Mustafës me 22 vjet burg”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit paneli i Gjykatës Supreme ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit në përputhje me rregullën 194(1)(b) të Rregullores, për të shqyrtuar uljen e dënimit bazuar në arsyetimin e paraqitur në vendimin e Panelit të Gjykatës Supreme. Vendimin mund ta gjeni në faqen e internetit të DHSK-së.

Ndryshe, Salih Mustafa është dënuar me 22 vite burgim për krime lufte.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi Aktakuzën kundër Salih Mustafës më 12 qershor 2020.

Mustafa ishte arrestuar dhe u transferuar në Njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022. Trupi Gjykues e shpalli të akuzuarin fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim.

Trupi Gjykues e shpalli Mustafa të pafajshëm për krimin e trajtimit mizor./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme