Google ADS

Vrasja e Marigona Osmanit, sot shpallet aktgjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut

07:35 | 29 Korrik 2024
E.K

Gjykata Themelore në Ferizaj sot pritet të shpallë aktgjykimin ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të dyshuar për vrasje të rëndë dhe dhunim dhe veprën penale ndihma në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

“Ju njoftojmë se të hënën më 29 korrik 2024, duke filluar nga ora 11:00, vazhdon seanca gjyqësore me shpalljen e aktgjykimit në çështjen penale, kundër të pandehurit D.K., i akuzuar për shkak të veprave penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe veprës penale në bashkëkryerje vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe të pandehurit A.S., i akuzuar për shkak të veprave penale në bashkëkryerje vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe veprën penale ndihma në kryerjen e veprës penale të dhunimit nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e gjykatës, raporton Arbresh.info.

Seanca e shpalljes së aktgjykimit, sipas gjykatës, është e hapur për publikun, andaj ju ftojmë ta përcjellin të njëjtën.

Ndryshe, në fillim të muajit gusht të vitit 2023 Gjykata Themelore e Ferizajt kishte shpallur aktgjykimin, duke dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit. Ky vendim i gjyqtarit Sahit Krasniqi, ishte pritur me brohoritje e duartrokitje në sallë.

Ndërsa, i dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, ishte dënuaar me 15 vjet burgim për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.

Krivaqa dhe Sejdiu, ishin liruan nga akuza e dhunimit, përkatësisht ndihmës në kryerjen e dhunimit, pasi sipas Gjykatës nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar një gjë të tillë.

Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt. Dy persona, tash të dënuarit Krivaqa e Sejdiu, e kishin dërguar trupin e pajetë të viktimës në spitalin e qytetit dhe më pas ishin larguar në drejtim të panjohur./Arbresh.info/

Të ngjashme