Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u kërkoi të shtunën vendeve të Azisë Juglindore të ndihmojnë në trajtimin e sfidave globale gjatë takimit me homologët e këtyre vendeve në Laos. Ai vuri theksin sidomos tek agresioni rus në Ukrainë.
Diplomatët e lartë nga Azia Juglindore u mblodhën të shtunën në kryeqytetin e Laosit për një takim treditor ndërsa vendet e kësaj pjese të Azisë janë përballur me tensionet mbi pretendimet territoriale në Detin e Kinës Jugore, përshkallëzimin e luftimeve në Mianmar dhe rivalitetin rajonal.
Sekretari Antony Blinken fillimisht veçoi Kinën për veprimet e saj kundër Filipineve në Detin e Kinës Jugore. Megjithatë, ai më pas përshëndeti të dyja vendet, pasi Manila përfundoi me sukses një mision të ri furnizimi për forcat e saj ushtarake në një zonë ndaj të cilës edhe Pekini ka pretendime territoriale.
“Jemi të kënaqur për furnizimin e suksesshëm që bëhet sipas një marrëveshjeje të arritur midis Filipineve dhe Kinës. E përshëndesim marrëveshjen dhe shpresojmë dhe presim që ajo të vazhdojë”, tha Sekretari Blinken.
Prania e forcave filipinase ka zemëruar prej vitesh Kinën, e cila është përballur vazhdimisht me forcat filipinase në një anije të marinës të vendosur pranë ishullit Spratly të Detit të Kinës Jugore. Tensionet në mes të dy vendeve kanë nxitur shqetësime rajonale për një përshkallëzim.
Takimet e së shtunës bashkojnë në të njëjtën dhomë përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Kinës, Rusisë, Japonisë, Indisë dhe Australisë për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë dhe çështje të tjera rajonale.
“Takimi ynë i sotëm zhvillohet në një mjedis gjeopolitik dhe gjeo-ekonomik që ndryshon me shpejtësi, duke paraqitur si mundësi ashtu edhe sfida. Gjatë viteve të fundit, Takimi i Azisë Lindore është bërë një platformë me rëndësi kritike për dialog dhe bashkëpunim konstruktiv për çështje strategjike politike dhe ekonomike me interes të ndërsjellë”, tha ministri i Jashtëm i Laos-it, Saleumxay Kommasith, i cili drejtoi punimet.
Sekretari Blinken bëri një takim të veçantë me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi, në kuadër të punimeve të Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore, të shtunën në Laos.
Një zyrtar i lartë amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se Sekretari Blinken njoftohet se ngriti shqetësimet për veprimet e fundit provokuese të Pekinit ndaj Tajvanit.
Këto veprime përfshinin një bllokadë të simuluar gjatë inaugurimit të presidentit të Tajvanit, Lai Ching-te, ndërsa Blinken dhe Wang, sipas zyrtarit, ranë dakord të vazhdonin të bënin përparim në lidhjet ushtarake të dy vendeve.
Sekretari Blinken diskutoi gjithashtu mbështetjen e Kinës për industrinë e mbrojtjes ruse dhe sipas të njëjtit zyrtar, ai gjithashtu paralajmëroi se Uashingtoni do të ndërmarrë masa kundër firmave kineze që ndihmojnë luftën në Ukrainë. Zyrtari i Departamentit të Shtetit tha se nuk kishte asnjë angazhim nga ministri kinez Wang për këtë çështje.
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë pa...
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Një i lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...
Gjykatësi shtyn për herë të tretë dënimin e Trumpit