Google ADS

Gërvalla: Vendosmëria e Kosovës për rend dhe ligj në jug e veri është forca jonë më e madhe

16:23 | 27 Korrik 2024
R J

Zëvëndëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka ndarë një postim në profilin e saj në lidhje me garën e kërcimit që u zhvillua të premten në Liqenin e Ujmanit në veri të vendit.

Në postimin e saj, Kryediplomatja thekson se qëndrimi në atë vend dhe shijimi i kësaj pjese të Kosovës është një përvojë që të bën të besosh në vendosmërinë e popullit të Kosovës, i cili nuk u dorëzua dhe vazhdoi të besojë në një Kosovë të bashkuar dhe të pandashme.

Gërvalla gjithashtu thekson se vendosmëria e Kosovës për rend dhe ligj në jug dhe në veri është forca më e madhe e Qeverisë.

“Vendosmëria e institucioneve tona shtetërore për të vendosur rendin dhe ligjin, për të siguruar një të ardhme të sigurt për secilin qytetar, pa dallim, në jug dhe veri, në lindje dhe perëndim, është forca jonë më e madhe”, ka shkruar Gërvalla.

Postimi i plotë:

Në urën e parë të Liqenit të Ujmanit, teksa shënuam Ditën e Rënies së Policëve të Kosovës në Kryerje të Detyrës. Në këtë vend mahnitës, ku liqeni, bjeshkët dhe natyra bashkohen në harmoni të përkryer, gara e kërcimtarëve profesionistë u bë simbol i vendosmërisë së popullit tonë.

Të qëndrosh këtu dhe të shijosh bukurinë e liqenit, emocionet e qytetarëve të shumtë të pranishëm, dhe qëndresën e njerëzve tanë në veri, është një ndjenjë që të bën të besosh në fuqinë e pakrahasueshme të vendosmërisë sonë, qytetarëve tanë që nuk u dorëzuan kurrë, por qëndruan të palëkundur në besimin se Kosova është një dhe e pandarë, e të gjithë qytetarëve të saj, pa asnjë dallim.

Kosova është shtet me demokraci të konsoliduar dhe shembull i respektit dhe tolerancës ndaj komuniteteve pakicë.

Vendosmëria e institucioneve tona shtetërore për të vendosur rendin dhe ligjin, për të siguruar një të ardhme të sigurt për secilin qytetar, pa dallim, në jug dhe veri, në lindje dhe perëndim, është forca jonë më e madhe.

Të ngjashme