Në perëndim të Gjilanit dhe juglindje të Prishtinës, ndodhet një nga atraksionet më të bukura të Kosovës, Kalaja e Artanës.
Ndonëse e dëmtuar për shkak të renovimeve, ky monument historik është ende joshës për vizitorët.
Kjo kala tash e sa kohë lejohet të vizitohet veç nga jashtë, për shkak të rrezikut nga dëmtimet.
Kështu thotë për Arbresh.info Emin Sallahu, nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve Kulturore.
“Kalaja si objekt fortifikues fillimisht ka shërbye për me u vendos elita e udhëheqjes së qytetit, për këtë arsye është ndërtuar kalaja si fortifikim ose kështjellë siç quhet ndryshe, duke e karakterizuar një arkitekturë shumë e mirë e cila jep edhe një pamje impozante nga vendi ku ndodhet, nga incizimet mund të shihet se pozita e kësaj kalaje është shumë e mirë. Ka një qasje në të gjithë arealin përreth saj. Këtu përreth ka qëndruar elita, udhëheqësi e qytetit, ndërkaq, përreth ka pasur lagje të tëra të cilat, janë afru afër qytetit për shkak se këtu kanë ardhur me punu në miniera dhe kanë qenë punonjës të ndryshëm, banorë, pastaj edhe punëtori të ndryshme të cilat i kanë shërbyer kohës, zejes, zanateve të ndryshme të cilat e kanë karakterizuar qytetin e Artanës si një prej qendrave më të njohura të mesjetës në Ballkan”, tregon Sallahu.
Kjo kala, sipas tij, ka më shumë tipare të kalasë urbane.
“Meqenëse ka pasur banorë, është urbane por edhe fortifikuese sepse ka pasur kombinim edhe ushtrinë e cila e ka ruajt por edhe mund të themi që më shumë i takon tipit të kalasë urbane sepse ka pasur banorë”, thotë ai.
Ai shpjegon përbërjen e kësaj kalaje, duke përmendur edhe kullat vrojtuese.
“Kalaja ka pasur muret rrethuese, objekti qendror është citadella edhe i ka dy kulla vrojtuese, të cilat i kanë shërbye për ruajtjen dhe vëzhgimin e terrenit përreth. Siç shihet gjeografikisht, kjo mund të përdoret edhe nga këto dy kulla vrojtuese në dy anët e ndryshme të kalasë, mund të vërehet krejt areali nën vëzhgim që do të thotë se çfarëdo lëvizje eventuale e dikujt që mundet me ju afru me sulmu, atëherë qytetin e Artanës ka muajt me pa nga këtu. Këtu kanë qëndruar pjesa ushtarake e cila ka punuar me ndërrime e cila vazhdimisht e ka përcjellë gjendjen në terren”, shprehet Sallahu.
Afër mureve rrethuese, gjenden pusetat akumuluese të cilat kanë shërbyer për akumulim të ujit.
“Këto kanë shërbyer si lloj rezervuarësh të cilët gjatë të reshurave dimërore, për shembull borë kur ka pasur, aty disa kanale me gurë, e kanë çu ujin aty poshtë kur është shkri edhe ai ujë është përdorur një periudhë të gjatë kohore por kuptohet edhe në rast rreziku nga sulmet eventuale, banorët brenda kalasë u dashtë me pas rezerva të ujit me rezervu ujin sa më gjatë edhe në aspektin e mbajtjes së shëndetit në këta rast, ujin me përdor për ata që kanë qenë brenda”, tregon ai.
Kalaja ka qenë në mbrojtje qysh prej Luftës së Parë Botërore.
“Kalaja ka qenë e futur në mbrojtje qysh prej Luftës së Parë Botërore dhe meqenëse gjendja e saj ka qenë jo e mirë, janë marrë masa për intervenim, gjegjësisht për konservim dhe restaurim, fatkeqësisht ato masa që janë marrë nuk kanë rezultuar me ndonjë sukses dhe pamjet të cilat mund t’i shohim tani tregojnë se në çfarë gjendje është tani kalaja.”, tha mes të tjerash historiani.
Fillet e para të qasjes institucionale në kala kanë qenë vitet e 50-ta.
Sipas tij, me renovimin e këtyre objekteve, ato do të jenë joshëse për vizitorë.
“Vizitorë ka relativisht mirë, mirëpo fakti që kalaja nuk është e qasshme për ta , e bën të vobektë.”
Ai thekson se Ministria e Kulturës është e interesuar, por hapat të cilat janë duke i marrë janë në pritje të një intervenimi serioz.
Interesimi për ta vizituar kalanë ndër vite ka qenë i madh, sidomos pas luftës së fundit.
“Interesim ndër vite ka pasur shumë, sidomos pas luftës së fundit, ka pasur vizitorë edhe vendor edhe ndërkombëtarë. Dikur ka qenë shumë joshëse, është personi i autorizuar i cili i pret vizitorët. Fatkeqësisht tani për tani, është e mbyllur, për arsye se ka rrezik për vizitorët të cilët mund të rrezikohen nga rënia e gurëve të cilët janë të përditshëm, për këtë arsye edhe është reduktu.”, shprehet ai.
Megjithatë, renovimet e fundit kanë shkaktuar degradimin e gjendjes së kalasë duke ndikuar edhe në rënien e numrit të vizitorëve.
Kjo për shkak të rrezikshmërisë nga rënia e gurëve.
“Për fat të keq, pas intervenimeve të viteve 2013-2017, pas intervenimeve konservuese dhe restauruese, kur kalaja e merr formën e përafërt fillestare, fillon degradimi, fillon të bien gurët edhe kjo ka shënuar një rënie të vizitorëve sepse janë tabelat informuese të cilat i informojnë njerëzit që mos t’i afrohen kalasë për shkak të rrezikshmërisë. Kjo në një formë e ka zbritur numrin e vizitorëve, sepse ka qenë shumë atraktive për vizitorët.“ , shprehet ai.
Sipas doktorit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore gjatë restaurimit të kalasë janë shkelur të gjitha procedurat ndërkombëtare dhe rregullat shkencore të ndërhyrjes së një monumenti të kulturës.
Ai ka kritikuar arkeologun serb, i cili ka udhëhequr punët e restaurimit dhe konservimit për ngritjen e mureve dhe dritareve vetëm nga hamendja e tij, pa u bazuar në një burim historik.
Namani thekson se kjo do të jetë një kala si shembull se si nuk duhet bërë renovime të dëmshme në një monument kulturor.
Gjatë intervenimit të brendshëm të kalasë, Namani thotë se kanë dalë edhe shtresa të dy kishave.
Ndryshe, qyteti i Artanës përveç kalasë ka edhe monumentin e Katedrales, xhamisë dhe teqesë shumë pranë njëri tjetrit. Këto monumente janë pasuri turistike e këtij qyteti./Arbresh.info./Erolinda Gashi/
Ursula von der Leyen i shpëton jetën një pasagjeri në një av...
Grabiti 5.4 milion euro në aeroportin e Rinasit, dënohet me ...
Arrestohet një i dyshuar i kërkuar me urdhër-arrest ndërkomb...
Nis votimi i 128 amendamenteve, opozita lëshon sallën
Akuzohet për krime lufte në Gaza/ Lëshohet urdhër arrest për...
Haxhiu: Gjykata Kushtetuese qëllimshëm po e pengon reformën ...