Konjufca shpreh keqardhje për dorëheqjen e papritur të Lindita Nikollas

10:54 | 27 Korrik 2024
K.B

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka shprehur keqardhje për dorëheqjen e papritur të Lindita Nikollas nga funksioni i saj si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Konjufca thotë se bashkëpunimi ndërmjet dy kuvendeve ka qenë i shkëlqyeshëm gjatë kohës sa Nikolla ishte kryetare e Parlamentit shqiptar.

“Si nga pikëpamja njerëzore e miqësore, ashtu edhe nga pikëpamja institucionale, shpreh keqardhje të thellë për dorëheqjen e papritur të Lindita Nikollas nga funksioni i saj i kryetares së Kuvendit të Shqipërisë. Bashkëpunimi ynë i shkëlqyer do të shërbejë si referencë e një kriteri shumë të lartë të vendosur në lidhje me raportet tona institucionale. Ky kriter nuk do të mund të kthehet më pas, por vetëm të rritet dhe thellohet më shumë”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Përvoja, komunikimi, profesionalizmi dhe korrektësia e Nikollas, sipas Konjufcës, ishin të dhëna të rëndësishme të cilat mundësuan një thellim të raporteve, ashtu siç i ka hije siç thotë ai, institucioneve legjislative të dy shteteve vëllazërore.

“Gjatë përpjekjeve tona të përbashkëta arritëm të organizojmë për herë të parë seancën e përbashkët mes parlamenteve tona, u rrit në mënyrë të shkëlqyeshme puna mes komisioneve parlamentare, e ngushtuam edhe më tej largësinë mes nesh përmes organizimeve të përbashkëta sportive dhe kulturore, patëm në nivel të lartë gatishmërinë për bashkëpunim shembullor në aspektet honorifike dhe solemne, ashtu siç edhe në ato të frymës së harmonizimit të kornizës legjislative në dobi të popullit tonë dhe qytetarëve tanë”, shkruan kryeparlamentari kosovar.

Konjufca thotë se ndihet i lumtur që ka pasur mundësinë të punoj me Lindita Nikollan, duke i falënderuar gjithashtu që me punën dhe qasjen e saj, ka vendosur një obligim të domosdoshëm për çdo kryetar kuvendi të ardhshëm në të dy vendet, “atë të bashkëpunimit të pakursyer, me dashamirësi, mirëbesim dhe angazhim maksimal”.

“Homologes, mikes, motrës sime të dashur Lindita Nikolla, i uroj nga zemra shëndet dhe suksese në angazhimet e saj të mëpasshme, të cilat jam i bindur se do t’i vijojë me profesionalizëm të lartë dhe i uroj shëndet të plotë”, shkruan në fund kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

LEXO EDHE:

Lindita Nikolla jep dorëheqjen nga posti i Kryetares së Parlamentit, zbulon arsyen

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme