Google ADS

Sveçla për Enver Zymerin: Përjetësoi betimin e pjesëtarit të Policisë së Kosovës

10:24 | 26 Korrik 2024
E.K

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka përkujtuar policin e vrarë në detyrë , Enver Zymeri, për të cili ka thënë se u kthye në shembullin dhe motivin e qindra vajzave e djemve të Republikës sonë.

“13 vite më parë, gjatë një operacioni policor në veri të vendit, në fshatin Zubç të Zubin Potokut, nga një grup i armatosur kriminal i Serbisë, u vra pjesëtari i Policisë së Kosovës, Heroi Enver Zymeri. Me shërbimin e tij me vullnet e përkushtim deri në sakrificë sublime, Heroi Enver Zymeri përjetësoi betimin e pjesëtarit të Policisë së Kosovës. Ai u kthye në shembullin dhe motivin e qindra vajzave e djemve të Republikës sonë që edhe sot, 13 vite pas rënies së tij, shërbejnë në çdo cep të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.

Ndryshe, 13 vjet më parë, gjendja në veri të vendit ishte tensionuar shumë. Një aksion i Policisë së Kosovës kishte filluar për marrjen nën kontroll të pikave kufitare në veri të vendit, në Jarinjë e Bërnjak, ku kishte mbetur i vrarë polici Enver Zymberi, tash Hero i Kosovës. Aksioni ishte urdhëruar dhe mbështetur nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi./Arbresh.info

Të ngjashme