Sveçla demanton Ramadanin: Nuk jam sulmuar asnjëherë në Liqenin e Ujmanit

15:11 | 25 Korrik 2024
K.B

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i ka reaguar deklaratës së ish kryeinspektori i AKI-së Burim Ramadanit, i cili tha se ministri është sulmuar në Liqenin e Ujmanit.

Sveçla në një reagim në Facebook, ka thënë se kjo nuk është e vërtetë, dhe se nuk është sulmuar asnjëherë në Liqenin e Ujmanit, as me Ak 47 e as me asnjë metodë apo mjet tjetër, shkruan Arbresh.info

“Dje në një paraqitje televizive, ish kryeinspektori i AKI-së Burim Ramadani paska deklaruar diçka që aspak nuk është e vërtetë. Unë asnjëherë nuk jam sulmuar në Liqenin e Ujmanit, as me Ak 47 e as me asnjë metodë apo mjet tjetër. E gjitha është fabrikim i tij, arsyet nuk i di. Unë kam qenë në Ujman me barkë të shtunën së bashku me Kryeshefin e Ibër Lepencit dhe shefin e NjNSh-së së kufirit, vizitë e cila jo vetëm se ka shkuar shumë mirë por ka qenë edhe shumë produktive”, ka shkruar Sveçla.

Ministri i MPB-së, thotë se sulmet edhe mund të ndodhin, por ato as nuk e frikësojnë e as nuk e zmbrasin.

“Unë as nuk do të reagoja ndaj kësaj gënjeshtre, siç nuk reagoj ndaj shumë të tjerave, po të mos njihej fakti se ky person ka mbajtur një pozitë ku integriteti do të duhej të ishte një ndër cilësitë kryesore. Sulmet edhe mund të ndodhin, por ato as nuk na frikesojnë as nuk na zbrapsin. Unë veq lutem që nëse kjo të ndodhë, mos të pësojnë njerëzit përreth meje”, thekson Sveçla.

Ai thotë se po e viziton shpesh edhe Kukësin, Tropojën, Hasin e Dragashin, dhe se e ka një amanet prej shumë gjeneratash për atë kufirin atje.

Ish kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani ka thënë se në fillim të këtij muaji, Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla është gjuajtur me armë në Ujman.

Ramadani ka sfiduar ministrin Sveçla që të dalë dhe ta demantojë nëse kjo nuk është e vërtetë.

“Ne e kemi dhe është e konfirmuar, nëse jo le të del ministri i Brendshëm dhe ta demantojë. Në fillim të korrikut e kanë gjujtë ne Ujman, e kanë gjujtë me kallash edhe ka ikë. Bile po bëjnë hajgare po thonë në Kukës ka shku. Ka qenë me barkën e vogël me polici dhe prej anës tjetër e kanë gjujtë me kallash edhe janë largu kanë ikë”, tha ai në “Pressing”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme