Google ADS

Himni izraelit është fishkëllyer në fillim të turneut olimpik, kishte mesazh nga tribunat edhe për Palestinën

22:19 | 24 Korrik 2024
E.H

Izraeli po e zhvillon ndeshjen hapëse në Lojërat Olimpike në Paris dhe himni i këtij vendi është fishkëllyer me zë të lartë para fillimit të ndeshjes me Malin.

Organizatorët e Lojërave Olimpike kishin frikë nga mesazhet politike dhe trazirat në këtë ndeshje, dhe ajo filloi me fishkëllima të ashpra për himnin kombëtar të Izraelit.

Përveç tifozëve të Malit, edhe të ftuar dhe tifozë të shumtë nga Franca, mes tyre edhe një numër i madh marokenësh që kanë luajtur ndeshjen e tyre më herët gjatë ditës së sotme, kanë fishkëllyer himnin e Izraelit.

Edicioni i sivjetshëm i Lojërave Olimpike është mjaft i ngjyrosur politikisht për shkak të agresionit aktual ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, por edhe bombardimeve izraelite të Gazës.

Prandaj, ish-futbollisti profesionist dhe tani politologu Joles Boykoff i quajti Lojërat Olimpike në Paris “gjeopolitikisht më të stresuarat”.

Në të njëjtën ndeshje mes Malit dhe Izraelit, ku futbollistët u përshëndetën doli mesazhi në tribuna” “Liri për Palestinën”, shkruar nga tifozët që mbanin flamuj palestinezë.

Ndryshe, ministri i brendshëm francez Gerald Darmanin tha se sportistët izraelitë do të mbrohen ditë e natë gjatë Lojërave Olimpike, 52 vjet pas masakrës në Lojërat Olimpike të Mynihut ku militantët palestinezë vranë 11 izraelitë.

“Në emër të Francës, dua t’i them delegacionit izraelit se ju mirëpresim në këto Lojëra Olimpike”, deklaroi pardje ministri i jashtëm, Stephane Sejourne në një takim me kolegët e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Megjithatë, për shkak të aksionit ushtarak izraelit në Rripin e Gazës që rezultoi në dhjetëra mijëra palestinezë të vdekur, anëtari ultra i majtë i parlamentit Thomas Portes tha se atletët izraelitë nuk janë të mirëpritur në Francë. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme