Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka refuzuar të emërojë gjykatësin e Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban, për noter, pas pranimit të informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) lidhur me integritetin e tij.
Laban, paraprakisht, ishte rekomanduar nga Komisioni për përzgjedhjen e noterëve, që funksionon në kuadër të Ministrisë.
Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Genc Nimoni, shef i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Noterizimi është proces zyrtar i parandalimit të mashtrimeve, që siguron palët e përfshira në një marrëveshje apo transaksion, se dokumenti i tyre është autentik.
Kosova, për vite me radhë, ka qenë në mungesë të noterëve. Mbi 15 komuna kanë qenë fare pa noterë.
Deri më tani, numri i noterëve në të gjithë Kosovën, sipas Odës së Noterëve, ishte 49. Ata janë emëruar në vitin 2012, dhe që nga ajo kohë nuk ka pasur emërime të reja.
Sipas Ligjit për Noterinë, numrin e noterëve dhe selitë e tyre i përcakton Ministria, ashtu që për territorin e një komune përcaktohet së paku një noter, por kjo mund të rritet me vendim të Ministrisë, ashtu që, për çdo 10.000 banorë të përcaktohet një noter.
Pas vitit 2012, procesi i emërimit të noterëve të rinj ka nisur në vitin 2019, por është anuluar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me arsyetimin për dyshime për keqpërdorime në testin e noterisë.
Ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës, i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se “procesi i përzgjedhjes së noterëve ka qenë i rregullt”.
Rasti ka kaluar edhe në gjykatë, me vendim, në shkurt të vitit 2022, se anulimi i konkursit ishte i jashtëligjshëm.
Procesi pastaj rifilloi nga zero në vitin 2023.
Më 15 korrik, Ministria e Drejtësisë ka publikuar vendimet për emërimin e 100 noterëve të rinj për komunat e ndryshme të Kosovës.
Në mesin e tyre, megjithatë, nuk ka asnjë pjesëtar të komunitetit serb, edhe pse ishin pesë aplikantë. Deri më tani, këtë profesion e ka ushtruar vetëm një serbe në Komunën e Novobërdës.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, në procesin e fundit, asnjë kandidat serb nuk ka plotësuar kriteret.
Si është bërë përzgjedhja?
Nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës, thanë se pas përmbylljes së afatit të aplikimit, gjatë muajit prill, 725 aplikime janë shqyrtuar nga Komisioni për përzgjedhjen e noterëve, i cili përcakton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet e pranueshmërisë në Shërbimin Noterial.
Komisioni përbëhet nga 4 anëtarë, të cilët emërohen nga Ministria e Drejtësisë dhe kanë mandat 3-vjeçar.
Disa nga kushtet e pranueshmërisë janë: të jetë shtetas i Republikës së Kosovës, të ketë zotësinë e veprimit, të gëzojë integritet personal dhe profesional, të ketë diplomuar në njërin nga fakultetet juridike, sipas programit katërvjeçar, të ketë përvojë pune në fushën juridike së paku tri vite, ta ketë dhënë provimin për noter në Kosovë, i cili është organizuar në janar të këtij viti.
Sipas sqarimit të MD-së, me rekomandimin e Komisionit, gjatë emërimit të kandidatëve të suksesshëm, përparësi iu është dhënë kandidatëve të cilët kanë treguar sukses më të lartë në provimin e noterisë.
Sipas udhëzimit administrativ për mënyrën e dhënies dhe programin e provimit për noterinë, kandidati ka kaluar me sukses provimin e noterisë nëse ka marrë si rezultat përfundimtar, nga pjesa e provimit me shkrim, dhe pjesa e provimit me gojë, së paku 59 pikë.
Sipas MD-së, 100 kandidatët që kanë kryesuar listën kanë “rastisur t’i kenë 73 pikë” minimum.
“Vetëm njëri nga 5 kandidatët serbë ka pasur mbi 73 pikë dhe është rekomanduar nga Komisioni për emërim në pozitën e noterit, ai është Radomir Laban, i cili është refuzuar nga ministrja. Dhe kjo, pas pranimit të informacioneve dhe raportit nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë lidhur me profilin dhe integritetin e tij”, ka thënë për REL-in, Genc Nimoni, shefi i kabinetit të ministres Albulena Haxhiu.
Kush është Radomir Laban?
Radomir Laban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.
Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Labanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.
Në vitin 2011, Laban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.
Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Labanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.
Radomir Laban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.
Mandati i gjyqtarit Laban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet.
Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë për Radion Evropa e Lirë se vlerësimi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) që Laban nuk mund të jetë noter, por është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, është “situatë absurde dhe ky është një lloj standardi i dyfishtë”.
“Institucionet që kanë kryer verifikimin e integritetit të tij, AKI dhe Policia e Kosovës, do të duhej të sqaronin sesi dikush mund të shërbejë në institucionet publike të Kosovës në pozitën e gjyqtarit, por jo edhe të noterit, kur dihet se nga aspekti i ndjeshmërisë dhe rëndësisë, pozita e gjyqtarit është shumë më e rëndësishme sesa ajo e noterit”, thotë Bugaqku.
Sipas Bugaqkut, Laban nuk është dashur të jetë as gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“Në situatën e tanishme, kur dihen shumë fakte për atë person, dënimi, kërkimi nga Serbia, nuk do të duhej as të shërbente në Gjykatën Kushtetuese, as në pozitën e gjyqtarit, e as në ndonjë pozitë publike. Por, meqë Serbia dhe Kosova nuk kanë marrëveshje të bashkëpunimit juridiko-ndërkombëtar që njohin vendimet gjyqësore të njëra-tjetrës, atëherë kjo situatë është shfrytëzuar për faktin se ai person nuk është i dënueshëm në Kosovë, nuk ka një vepër penale të kryer në Kosovë,” thekson ai.
Reagimet e shoqërisë civile për mosemërimin e noterëve serbë
Mosemërimi i asnjë noteri nga komuniteti serb, nga ana e MD-së, ka nxitur reagimin e disa organizatave të shoqërisë civile nga komuniteti serb, të politikanit serb nga Kosova, Aleksandar Arsenijeviq, por, sipas MD-së, kandidatët serbë nuk kanë plotësuar kriteret.
Organizatat që reaguan për mosemërimin e noterëve nga komuniteti serb janë: Qendra për Avokim për Kulturë Demokratike (ACDC), Iniciativa e Re Sociale (NSI), Aktiv, Organizata për Komunikim për Zhvillim Social (CSD), Instituti për Zhvillim Territorial Ekonomik (Inter), Iniciativa Rinore nga Parteshi – OPA dhe Shoqata e Grave Afariste “Avenija”.
Në reagimin e tyre, këto organizata e kanë konsideruar ‘shqetësues’ faktin që ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk ka emëruar për noter asnjë nga kandidatët nga komuniteti serb dhe kanë kërkuar rishqyrtimin e vendimit.
“Vendimi, për fat të keq, mund të interpretohet si mesazh se serbët dhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera joshumicë nuk janë të mirëpritur në institucionet dhe profesionet liberale në Kosovë, madje edhe ata që në rrethanat ekzistuese kanë treguar dëshirë për të ofruar shërbime për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në reagim.
Tutje sipas këtyre organizatave, emërimi i noterëve shqiptarë në komunat serbe “kufizon të drejtën e serbëve në Kosovë për të marrë shërbime në gjuhën serbe”.
Sipas Ligjit për Noterinë, të gjitha dokumentet noteriale lëshohen në gjuhën shqipe apo serbe, varësisht nga gjuha që njihet më mirë nga noteri që lëshon aktin.
REL-i ka provuar të kontaktojë me kandidatët që kanë aplikuar në këtë proces, mirëpo ata nuk kanë dashur të flasin nën arsyetimin se janë duke përgatitur ankesë ndaj vendimit të MD-së.
Ndërsa nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë që shumë shpejt do të hapin edhe një konkurs për noterë të rinj, dhe aty kandidatët serbë mund të aplikojnë edhe një herë.
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?