Atentati ndaj Trumpit/ Flet për herë të parë babai i autorit 20-vjeçar

13:42 | 24 Korrik 2024
K.B

Për herë të parë që nga atentati ndaj Donald Trump, babai i autorit, Thomas Matthew Crooks, foli me gazetarët teksa dilte nga një dyqan ushqimesh në Pensilvani.

Deri më tani, Matthew Brian Crooks ka qëndruar në heshtje për tentativën e djalit të tij 20-vjeçar për të vrarë presidentin e 45-të republikan të Shteteve të Bashkuara.

Fjalët e para që Matthew u tha gazetarëve, sipas rrjetit amerikan Fox News, janë se familja e tij thjesht po përpiqet të “kujdeset për veten”, ndërsa sipas të njëjtit medium, 53-vjeçari u kërkoi gazetarëve të qëndronin larg nga anëtarët e familjes së tij.

“Ne thjesht po përpiqemi të kujdesemi për veten tani. Ju lutemi na jepni hapësirë,” tha babai i autorit.

Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç, përdori pushkën AR të babait të tij 53-vjeçar për të qëlluar Trump. Disa orë më parë sot, u publikua një video tronditëse nga një kamerë e trupit të policisë që tregon Thomas Matthew Crooks të shtrirë të vdekur.

Videoja u publikua nga senatori i Iowa-s, Chuck Grassley dhe tregon një pellg gjaku përgjatë çatisë së ndërtesës ku Thomas ishte ngjitur.

Sulmuesi sapo kishte dhënë frymën e tij të fundit pasi arriti të plagos Trumpin në veshin e djathtë gjatë një mitingu të fushatës në Pensilvani.

Gjithashtu nëna dhe babai i Crooks po bashkëpunojnë me hetuesit e FBI-së teksa agjencia po përpiqet të zbulojë motivin që e shtyu 20-vjeçarin të tentonte të vriste miliarderin amerikan./abcnews.al

Të ngjashme