Njohësit e çështjeve të sigurisë alarmojnë: Sulmi në Ujman dëshmon mbetjet e grupeve kriminale në veri

09:49 | 24 Korrik 2024
L G

Të dielën ka ndodhur një shpërthim në afërsi të Liqenit të Ujmanit, në veri të vendit.

Ky shpërthim nuk pati lëndime të njerëzve, por vetëm dëme materiale në dy makina, njëra me targa të Kosovës dhe tjetra me targa amerikane.

Ky sulm ka bërë që Policia e Kosovës të rrisë masat e sigurisë në këtë pjesë të vendit.

Kështu ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Gjendja e sigurisë është nën nivel, domethënë në rregull është, kemi numër të shtuar të policëve”, u shpreh shkurtimisht Elshani për Arbresh.info.

Por, ky sulm po dyshohet se është organizuar nga mbetjet e grupeve kriminale serbe.

Kështu të paktën mendon njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami.

Ai pohon se ky sulm nuk mund të ndikojë në uljen e numrit të qytetarëve në shfrytëzimin e Liqenit të Ujmanit.

“Shpërthimi i granatave të dorës ishte një aksion i mbetjeve të grupeve kriminale, të organizuara nga vetë shteti serb, të cilat aksione të tilla përpiqen të krijojnë frikë dhe pasiguri, sepse në Liqenin e Ujmanit u krijua një atmosferë, dhe pas 24 viteve, Liqeni i Ujmanit iu kthye qytetarit, tashmë është në shërbim të qytetarit, eksplozioni me anë të një granate dore është qëllimi që të zmbrapsen qytetarët, që mos ta shijojnë Ujmanin”, thekson ai.

Islami shton se institucionet e sigurisë e kanë rritur perimetrin e sigurisë në veri të vendit.

“Unë nuk besoj që do të jenë të frikësuar, pasi që institucionet e sigurisë e kanë rritur perimetrin e sigurisë dhe nuk do të lejojnë befasi për të gjithë ata të cilët mendojnë që mund të kryejnë ndonjë sulm apo hedhjen e ndonjë mjeti eksplodues që të krijohet pasiguri në atë pjesë, nuk do të duhet të ndalen qytetarët për shkak të një provokimi që është bërë, dhe unë nuk pres që të ketë ndalje ose të mos freskohen njerëzit në Liqenin e Ujmanit”, shprehet Islami.

Islami bën thirrje që qytetarët e Kosovës të mos dorëzohen para këtij akti terrorist e të mos zmbrapsen, pasi Liqeni i Ujmanit, është i të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Unë kam një mesazh për të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe në veçanti ata të Mitrovicës, të mos dorëzohemi para një akti terrorist e kriminal që përpiqen që të zmbrapsen qytetarët, janë ata të cilët duhet ta shfrytëzojnë Ujmanin, pasi Ujmani është i të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, prandaj nuk duhet që para grupeve terroriste e kriminale të dorëzohen qytetarët e Republikës së Kosovës”, përfundon Islami.

Shala: Sulmi me eksploziv në Ujman dëshmon mbetjet e grupeve kriminale serbe

Në anën tjetër, njohësi i çështjes së sigurisë Drizan Shala thekson se ky shpërthim ka dëshmuar se pjesa veriore ka mbetje të grupeve kriminale që për synim kanë destabizilimin e asaj pjese.

“Situata e sigurisë në Kosove , nga zhvillimet e fundit është karakterizuar me një shpërthim në pjesën e rrugës që të dërgon për në piken kufitare Bërnjak respektivisht në tunelin e 5 të kësaj rrugës në dalje të Zubin Potokut ku disa qytetarë të Kosovës ishin duke kaluar kohen e tyre të lirë , ku nga një person të cilën policia e identifikoj të dyshuarin kryesor për hedhjen e mjetit plasës ndaj makinave të qytetareve të Kosovës, respektivisht një nënshtetas amerikan referuar targave të tabelave. Situata nga kjo ngjarje po dëshmon që pjesa veriore ka mbetje të grupeve kriminale që për synim dhe qëllim kanë destabilizimin e pjesës veriore për të mbajtur gjallë narrativen e Beogradit zyrtar dhe tentativë për të nxitur mbështetjen të pjesa e komunitetit serb të cilët tani janë kthyer në drejtim të bashkëpunimit më institucionet tona vendore të Kosovës”, thotë Shala.

Tutje, Shala shton se personi i dyshuar në baze të veprimeve, dëshmon se ka njohuri në përdorimin e mjeteve shpërthyese, ku lindin dyshimet që trajnimi i bërë është kryer në pjesën ushtarake të Serbisë.

“Personi – i dyshuari në bazë asaj se si ka vepru po dëshmon që ka njohuri më përdorim të mjeteve eksplozivë dhe që trajnimi i bërë sipas gjitha gjasave është kryer në pjesën ushtarake të Serbisë e cila ka këtë plane të saj që të ndërhyjnë në territorin e Kosovës përmes veprimeve diverzante të strukturave serbe”, tha Shala.

Shala thekson kanë ndërmarrë masat e nevojshme për parandalimin e sulmeve të tilla dhe të ndonjë përshkallëzim të situatës.

“Institucionet tona kanë ndërmarrë veprime konkrete preventive për të parandaluar çdo përshkallëzim të situatës sepse ka një shtrirje të mirë vertikale dhe horizontale në pjesën e katër komunave dhe kjo do të ja pamundësojë që të kemi në këtë periudhë një situata me përmasa me të gjëra por që rastet e izoluara do të ekzistojnë por pa ndonjë impakt me të gjerë”, përfundoi ai.

Ndryshe, edhe gjatë së hënës ka vazhduar vendosja e kamerave në lagje të ndryshme në pjesën veriore të Mitrovicës, kamera të cilat do të menaxhohen nga Policia e Kosovës, e që planifikohen të vendosen rreth 200 sosh.

Liqeni i Ujmanit vlerësohet një ndër pasuritë e Kosovës, i cili shtrihet në veri-perëndim të vendit, konkretisht në Komunën e Zubin Potokut, komunë kjo e banuar më shumicë serbe.

Liqeni i Ujmanit është një liqen i cili cilësohet me ujë e ajër të pastër, i shpallur si zonë e mbrojtur e rëndësisë së veçantë. Liqeni i Ujmanit si rrallëkund tjetër, mund të përdoret edhe për çështje rekreative, për peshkim, për pushim e për sporte në ujë. /Arbresh.info. Rita Jakupi/

 

Të ngjashme