Google ADS

Kryeministri Kurti në hapjen e edicionit të 15-të të Festivalit tradicional të Domates: Domatja juaj në sofrën tonë, nga toka jonë

08:30 | 24 Korrik 2024
R J

Me rastin e shënimit të edicionit të 15-të të hapjes së Festivalit Ndërkombëtar të Domates, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, mbrëmë mori pjesë në hapjen tradicionale të këtij festivali. Atje u mirëprit nga Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniç. I pranishëm ishte edhe Kryetari e Komunës së Ankarasë, Mansur Yavas.

 Fjalën e tij, kryeministri Kurti e filloi duke shprehur ngushëllimet e tij të thella me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryetarit dhe iniciatorit të Festivalit të Domates, Arif Bytyq.

 Ai vazhdoi duke i vlerësuar fermerët e Mamushës si punëtorë të zot dhe shembull i mirë për Kosovën. Tutje, ai shtoi se kur flitet për Mamushën, njëkohësisht flitet për njerëz punëtorë që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në kultivimin e produkteve më cilësore dhe me prodhimtarinë më të madhe në vend.

 Sa i përket përkrahjes nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në këtë rast përmes Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kryeministri nënvizoi se fermerët e Mamushës kanë përfituar mbi 10 milionë euro nga viti 2021 deri në vitin 2024. Kjo mbështetjeje ka ndikuar në rritjen e sasisë prodhuese, sidomos e domates, sipërfaqet e së cilës janë shtuar për 100%  në krahasim me vitin 2021, gjë që ka rritur eksportin në vlerë për mbi tetë herë, dhe sasinë, mbi gati tetë herë.

 “Ajo çka synojmë si qeveri është ta shtojmë mbështetjen dhe ngritjen e vlerës së prodhimeve tona bujqësore, e në këtë rast sidomos të domates përmes skemës së granteve. Në këtë fazë ne kemi përkrahur shtimin e sipërfaqeve me serra, veçanërisht në Mamushë, falë organizimit dhe punës suaj, e kjo nënkupton prodhim më shumë. Uroj që viteve në vijim ta shtoni gamën e nënprodukteve përmes ruajtjes dhe përpunimit”, tha kryeministri.

 Pra, “Domatja juaj në sofrën tonë, nga toka jonë!”

 Përveç zgjerimit të sipërfaqeve me domate, kryeministri përmendi edhe shtimin e sipërfaqeve me serra, me anë të mbështetjes nëpërmjet granteve nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e veçanërisht në Mamushë, ku puna, përkushtimi i fermerëve, organizimi si dhe prodhimtaria është në masë më të madhe.

 Ai theksoi gjithashtu se investimet në rrugën e “Bashqeve” përmes Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në Shtëpinë e Kulturës përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë investime tjera shtesë që gradualisht, por sigurt, do ta bëjmë Mamushën dhe Kosovën vend të begatë përmes vlerësimit të punës dhe njerëzve punëtorë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

 Së pari me lejoni t’iu shpreh ngushëllimet e mia për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit dhe iniciatorit të Festivalit të Domates, Arif Bytyq.

 Është kënaqësi të jem në mesin tuaj në hapjen e 15-të të “Festivalit Ndërkombëtar të Domates”, këtu në Mamushë. 

 Fermerët punëtorë të Mamushës e kanë bërë të njohur vendin dhe prodhimet e tyre, tashmë edhe jashtë Kosovës, me përkushtimin e tyre në bujqësi, e sidomos me domate. Andaj, fermerët dhe organizimi juaj është shembull që duhet ndjekur anekënd Kosovës, sepse përveç që është vlerë për ju, është për ne, për mbarë Kosovën.

 Në Kosovë shpeshherë kur flitet për Mamushën, flitet për peizazhin e serrave dhe për njerëzit punëtorë, pra fermerët!

 Qeveria e Republikës së Kosovës, nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe të Zhvillimit Rural vazhdimisht ka shtuar e do ta shtojë përkrahjen dhe kujdesin për prodhimet tona bujqësore e për fermerin tonë punëtor. Nga viti 2021 deri në vitin 2024 fermerët e Mamushës nga ministria kanë përfituar mbi 10 milionë euro, e kjo mbështetje ka ndikuar edhe te shtimi i sasisë prodhuese të domates, sigurisht edhe te cilësia e jetës suaj.

 Me përkrahjen tonë të rritur, sipas aplikimeve të këtij viti për subvencione, janë shtuar sipërfaqet me domate për 100% në raport me vitin 2021. Gjithashtu eksporti është rritur si në sasi ashtu edhe në vlerë. Konkretisht nga 72,821.00 euro sa ka qenë në vitin 2021, tani është 603,065.00 euro apo mbi tetë herë më shumë, apo përkthyer në sasi nga 137,231 kg tani sasia eksportuese është 1,055,342 kg – gati tetë herë më shumë.

 Andaj, ne presim që me prodhimin e domates tonë gjithnjë në rritje, brenda disa viteve ta mbulojmë nevojën e tregut vendor, por edhe të eksportojmë gjithnjë e më shumë, sa më larg vendit tonë, prodhimet e vendit tonë. Pra, “Domatja juaj në sofrën tonë, nga toka jonë!”

Ajo çka synojmë si qeveri është ta shtojmë mbështetjen dhe ngritjen e vlerës së prodhimeve tona bujqësore, e në këtë rast sidomos të domates përmes skemës së granteve. Në këtë fazë ne kemi përkrahur shtimin e sipërfaqeve me serra, veçanërisht në Mamushë, falë organizimit dhe punës suaj, e kjo nënkupton prodhim më shumë. Uroj që viteve në vijim ta shtoni gamën e nënprodukteve përmes ruajtjes dhe përpunimit.

 Investimet në rrugën e “Bashqeve” përmes Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në Shtëpinë e Kulturës përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë investime tjera shtesë që gradualisht, por sigurt, do ta bëjmë Mamushën dhe Kosovën vend të begatë përmes vlerësimit të punës dhe njerëzve punëtorë.

 Duke e ditur përkushtimin tuaj për zhvillim e përparim, ju ftoj që të ftoni miqtë tuaj e diasporën që të investojnë në Kosovë, që të investojnë në Mamushë, sidomos në sektorët e përpunimit të ushqimit dhe të tekstilit.

 Ky festival tradicional i Domates, është vlerë tjetër e shtuar si në aspektin shoqëror, ashtu edhe në atë ekonomik e kulturor.

 Për fund, ju uroj një mbrëmje të këndshme, dhe shpresoj ta shijoni programin e këtij festivali kaq madhështor e kaq të pasur me aktivitete.


Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme