Kurti: Vendimi i GJND-së nuk u përdor mjaftueshëm për ta eliminuar strategjinë e Serbisë

16:35 | 22 Korrik 2024
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se 14 vite më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e vulosi në mënyrë të pakthyeshme ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se tendencat e Serbisë për të minimizuar peshën e Mendimit Këshilldhënës të GjND-së, do mbeten vepra të një shteti që tenton në keqbesim rehabilitimin e dështuar të saj në bashkësinë e kombeve të civilizuara, pasi që, siç shprehet kryeministri, shteti serb ushtroi gjenocid në territorin e tre shteteve të sotshme dhe vazhdon në mënyrë institucionale ta mohojë atë, përcjell Arbresh.info.

Postimi i plotë:

14 vite më parë, bazuar në një kërkesë për mendim këshilldhënës të parashtruar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e vulosi në mënyrë të pakthyeshme ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Në 123 paragrafë të përmbledhur në 54 faqe vendim, Gjykata e arsyetoi gjerësisht se si Deklarata e Pavarësisë e 17 Shkurtit 2008 nuk shkelte asnjë normë të përgjithshme a speciale të së drejtës ndërkombëtare dhe se shkëputja e Kosovës nga shteti pararendës përbënte tashmë një fakt të parevokueshëm.

Ky mendim këshilldhënës gjithashtu e ndryshoi të paktën formalisht rrjedhën e dëmshme për popullin shqiptar, meqenëse okupimi i Kosovës më 1912, mandej kolonizimi, diskriminimi e deri te gjenocidi në vitet 1998 e 1999, janë krime për të cilat asnjëherë nuk pati drejtësi ndërkombëtare e zhdëmtim për popullin e Kosovës.

Është për të ardhur keq që në dekadën e kaluar ky mendim i GjND-së më së shumti u përmend te fusnota që iu mbivendos emërtimit të Kosovës, e nuk u përdor mjaftueshëm për ta përmbysur e eliminuar strategjinë e Serbisë për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Kosovës përmes kornizës së dikurshme të Dialogut të Brukselit.

Mendimi Këshilldhënës i GjND-së përbën një rast të rrallë ku Gjykata mbështet pa asnjë dyshim e me një interpretim thellësisht të bindshëm lindjen e të drejtës së një populli të shtypur e të kolonizuar për dekada me radhë nga një pushtet shovinist, kriminal e gjenocid-bërës, për të qenë dhe ekzistuar si shtet i pavarur e i ligjshëm në të drejtën ndërkombëtare.

Ndikimi i Mendimit Këshilldhënës të GjND-së ishte dhe vazhdon të jetë i madh. Ajo përbën një fakt konstitutiv, të pakontestuar, të argumentit se qenia dhe vazhdimësia e shtetit të Kosovës ka qenë dhe do jetë e drejtë. Juristë eminentë e referencojnë atë pafundësisht në literaturën moderne kurse studentët e drejtësisë e mësojnë atë si një nga aktgjykimet më përmbajtësore që vendosi bazat e normave që rregullojnë lindjen e shtetit të ri në një kontekst post-gjenocidal e post-kolonial bashkëkohor.

Tendencat e Serbisë për të minimizuar peshën e Mendimit Këshilldhënës të GjND-së, përfshirë moszbatimin e parimeve të Kartës së OKB-së në marrëdhëniet e saj me Kosovën që janë pjesë thelbësore e Marrëveshjes Bazike, do mbeten vepra të një shteti që tenton në keqbesim rehabilitimin e dështuar të saj në bashkësinë e kombeve të civilizuara pasi që ushtroi gjenocid në territorin e tre shteteve të sotshme dhe vazhdon në mënyrë institucionale ta mohojë atë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme