Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është refuzuar kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për apelimin e vendimit për përjashtimin e disa provave në lidhje më një dëshmitar i cili kishte dhënë pretendime të reja lidhur me Rexhep Selimin.
“Për këto arsye, Paneli REFUZON kërkesën për certifikim për të apeluar Vendimin e Kundërshtuar”, thuhet në vendimin e 18 korrikut 2024, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, më 19 qershor 2024, ishte miratuar kërkesa e mbrojtjes së Rexhep Selimit që disa prova në lidhje me një dëshmitar të përjashtohen nga procesi gjyqësor pasi trupi gjykues kishte konstatuar se kishin efekt dëmtues të konsiderueshëm për të akuzuarin.
Madje, sipas DhSK-së, trupi gjykues kishte udhëzuar Prokurorinë që të mos bënte pyetje në lidhje me këtë provë gjatë dhënies së dëshmisë prej dëshmitarit dhe të paralajmëronte dëshmitarin të mos fliste për të gjatë dëshmisë.
Sipas vendimit, këto prova kishin të bënin me dy pretendime ndaj Selimit: vrasja e një personi dhe rrahja dhe vrasja e një personi tjetër.
“Në Vendimin e Kundërshtuar, Paneli përjashtoi provat që pritej që W04846 të jepte në lidhje me dy çështje që pretendoheshin se ishin të lidhura me Z. Selimin, dhe urdhëroi ZPS-në të mos nxjerrë prova në lidhje me këto çështje. Dy çështjet ishin: (i) vrasja e një individi (“Pretendimi i Parë”); dhe (ii) rrahja dhe vrasja e një individi tjetër (“Pretendimi i Dytë”) (kolektivisht “Akuzat”). Paneli vërejti se, siç ishte pranuar nga ZPS, ZPS nuk kishte ngarkuar Akuzat në Indiktimin e ngarkuar, as ZPS nuk kishte bërë referencë për to në Dokumentin Paragjyqës. Paneli theksoi se, ndonëse provat e “akteve dhe sjelljeve të padënuara të të Akuzuarit” mund të jenë të papranueshme për qëllimin e përcaktimit të fajësisë për krimet e ngarkuara, këto prova mund të jenë të pranueshme për qëllime të tjera të vlefshme. Megjithatë, në rrethanat specifike përpara tij, Paneli e përdori diskrecionin e tij për të përjashtuar Akuzat për shkak të vlerës së kufizuar provuese dhe potencialit për paragjykim të rëndësishëm të Akuzave”, thuhet në vendimin e 18 korrikut 2024.
Por, ZPS-ja kishte parashtruar se vendimi për përjashtimin e këtyre provave i privon ata nga mundësia për të nxjerrë dhe mbështetur prova tjera të rëndësishme.
“ZPS argumenton se Çështjet e Parë dhe të Dytë, individualisht dhe/ose kolektivisht, ndikojnë në zhvillimin e drejtë dhe të shpejtë të procedurave, pasi Vendimi i Kundërshtuar e privon ZPS-në nga mundësia për të nxjerrë dhe mbështetur prova të rëndësishme për, ndër të tjera, ndërmarrjen e përbashkët kriminale të akuzuar dhe gjendjen mendore të të Akuzuarit, dhe minon aftësinë e Panelit për të vlerësuar dëshmitë e Ë04846. Së fundmi, ZPS pretendon se zgjidhja apelative e Çështjeve të Parë dhe të Dytë do të përparojë materialisht procedurat pasi do të sqarojë fushën e lejueshme të provave të Ë04846 dhe dëshmitarëve të ngjashëm”, thuhet në vendim.
Megjithatë, në vendim thuhet se Paneli kishte shpjeguar se akuzat e dytë ishin paragjykuese për shkak se përbente një akt të pretenduar kriminal të Selimit i cili nuk ishte në aktakuzë dhe as në parashtresat paraprake të ZPS-së.
“Për më tepër, në Vendimin e Kundërshtuar, Paneli shpjegoi se Akuzat e Dytë ishin paragjykuese sepse: (i) ishte një akt i pretenduar kriminal i Z. Selimi që nuk ishte akuzuar në Aktakuzë, as nuk ishte përmendur në Parashtresën Paraprake; (ii) “fakti që një dëshmitar thotë se një i Akuzuar ka kryer një krim në një rast të mëparshëm… ka një potencial paragjykimi ndaj të Akuzuarit pasi mund të prezantohet për të sugjeruar ‘karakterin e keq’ të të Akuzuarit, ose për të treguar se ai kishte një ‘prirje për të vepruar në një mënyrë të caktuar’”; dhe (iii) koha dhe natyra e Akuzës së Dytë e bëri atë paragjykuese”, thuhet në vendim për çka ZPS-ja nuk ishte pajtuar me këto përfundime.
Me teje, Paneli kishte gjetur se vlera provuese e pretendimit të dytë ishte e kufizuar për të tejkaluar efektin paragjykues që t’i lejohet më pas ZPS-së për ta paraqitur në prova.
“Më tej, siç kërkohet nga Rregullat, Paneli vlerësoi rëndësinë dhe vlerën provuese ‘prima facie’ të Pretendimit të Dytë dhe e balancoi atë kundrejt efektit paragjykues të asaj prove. Bazuar në një vlerësim të tillë, Paneli konkludoi se vlera provuese ‘prima facie’ e Pretendimit të Dytë ishte mjaftueshëm e kufizuar për t’u tejkaluar nga efekti paragjykues që do të rezultonte nga lejimi i ZPS-së për të paraqitur provat”, thuhet në vendim.
Si rrjedhojë, Charles Smith III në cilësinë e kryetarit të trupit gjykues ka refuzuar kërkesën e ZPS-së që ta apelojë vendimin për përjashtimin e këtyre provave që lidhen më dëshmitarin W04846.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën