Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në fillim të këtij muaji është takuar me kryekriminelin Milan Radoiçiq.
Sipas burimeve të RTK-së brenda organeve të sigurisë së Kosovës, takimi ka ndodhur gjatë vizitës që presidenti serb ka pasur në qytetin e Kragujevcit, në fillim të muajit korrik. Sipas burimeve, në këtë takim është diskutuar për tema të ndryshme, përfshirë mbështetjen e grupit kriminal të Milanit Radoiçiqit, për protestat e mundshme, për opozitën në Serbi si dhe shkaktimin e incidenteve/sulmeve në veri të Kosovës.
Sipas këtyre burimeve për shkak të presionit ndërkombëtar, takimi është tentuar të mbahet sekret. Vuçiq dhe Radoiçiq, janë pajtuar që me raste të kritikojnë njëri-tjetrin në qarqe të caktuara, për të kamufluar bashkëpunimin e afërt që e kanë.
Thuhet se Vuçiq i ka konfirmuar Radoiçiqit fuqizimin e mbështetjes së shtetit dhe të institucioneve të Serbisë për vazhdim të aktiviteteve të tyre, ndërsa Radoiçiq ka shprehur edhe një herë besnikërinë ndaj Vuçiqit.
Përndryshe, grupi paramilitar i Milan Radoiçiqit, kohët e fundit ka përqendruar aktivitetet e veta në zonën e Novi Pazarit, ku janë shtuar lëvizjet e tyre në lokacionet e afërta si Banja e Novi Pazarit, Vuçja Llokva, Ribariqi dhe Rogozna.
Gjithnjë sipas burimeve të televizionit publik brenda institucioneve të sigurisë, Milan Radoiçiq së fundmi është takuar edhe me disa eprorë të Policisë së Serbisë, me të cilët ka diskutuar “tema të sigurisë” dhe ka kërkuar mbështetjen për grupin e tij, derisa vazhdon të ketë takime të rregullta edhe me zyrtarë të BIA-s serbe.
Do theksuar se institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare të sigurisë, në vazhdimësi kanë paralajmëruar mundësinë e provokimeve dhe sulmeve të tjera nga grupi i Milan Radoiçiqit, i cili po kryen trajnime të vazhdueshme dhe po strehohet në Serbi.
Të dielën, në afërsi të Liqenit të Ujmanit, pati një sulm me mjet shpërthyes, ku u dëmtuan dy automjete që ishin të parkuara. Ky sulm kishte për qëllim kërcënimin dhe frikësimin e qytetarëve që po kalonin fundjavën në këtë liqen.
Hyrja e “lirshme” e drogës në burgjet e Kosovës, për tre vje...
Pacolli udhëton me tren: Moment qetësie larg zhurmës së përd...
Intervista e Ronaldo-s me MrBeast-in po thyen rekorde, 17 mi...
Kurti: Synim i Serbisë mbetet hakmarrja, Kosova duhet të jet...
Kancelari gjerman Scholz do të kandidojë për një mandat të d...
Vrau Martin Canin gjatë një sherri dhe plagosi shokun e tij,...