Ermir Rashica është një nga talentet më me perspektivë në kampionatin shqiptar, i cili që në sezonin e parë bëri shumë mirë me Skënderbeun dhe falë cilësive të tij mori ftesën edhe nga Shqipëria U-21.
Hapat e para i ka hedhur në shkollën e futbollit “El Clasico” në Vushtrri ndërsa në moshën 18-vjeçare debutoi me skuadrën e Trepca ’89 në Superligën e Kosovës. Për të ardhur më pas te transferimi në Shqipëri te skuadra e Skënderbeut i cili që në sezonin e parë fitoi vendin e titullarit dhe realizoi 8 gola.
Një sezon mjaft i suksesshëm ashtu siç e cilëson ai vetë në rubrikën “Talenti shqiptar” ku shton se marrja e ftesës nga ekipi Kombëtar U-21 ishte një ëndërr e realizuar.
Sulmuesi i talentuar tregon gjithçka si e nisi rrugëtimin e futbollit, shkëlqimi me fanellën e Skënderbeut e deri te ftesa nga kuqezinjtë.
Ndërsa zbuloi se ëndërra e tij është të luaj në një prej 5 ligave më të mëdha në Europë dhe të kualifikohet në Botëror me Shqipërinë.
Më poshtë intervista e plotë e Ermir Rashicës, dhënë për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit:
Ermir, si ka nisur për ju lidhja me futbollin? Ku e keni nisur dhe kush është njeriu që ju ka shtyrë drejt këtij sporti?
Futbollin e kam nisur në moshën 8-vjeçare. Hapat e para i hodha në shkollën e futbollit “El Clasico” duke kaluar më pas tek Trepça ’89. Familja ime është ajo që më ka shtyrë drejt këtij sporti, në veçanti babai im që e kam pasur pranë në çdo moment dhe në çdo hap në futboll.
Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?
Janë disa persona që më këshillojnë dhe më qëndrojnë afër në çdo moment. Por siç e theksova dhe më lart familja ime është gjithmonë pranë meje, në çdo sfidë, vështirësi dhe gëzim.
Sezonin e fundit në aspektin personal si do ta vlerësonit dhe ku e sheh veten në të ardhmen?
Sezonin e fundit me Skënderbeun e vlerësoj mjaft të suksesshëm. Falë punës dhe cilësive të mia u bëra një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën. Ja dolëm mbanë të arrinim objektivin “Final Four” dhe të luftonim për titullin kampion. Në fund u pozicionuam në vendin e tretë pasi mundëm Vllazninë në finalen e vogël dhe unë shënova gol në atë sfidë. Besoj shumë në cilësitë e mia dhe në të ardhmen e shoh veten në një nga 5 ligat më të mira në Europë.
Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U-21? E mbani mend ndeshjen e parë ndaj Rumanisë në transfertë?
Kur mora ftesën e parë nga ekipi Kombëtar u gëzova shumë, për mua ishte një ëndërr e realizuar. Është nder të përfaqësosh vendin tënd. Po e mbaj mend shumë mirë ndeshjen e parë kur unë debutova. Edhe pse u mundëm në atë takim, emocioni ishte i madh kur zbrita për herë të parë në fushë me fanellën e Shqipërisë.
Çfarë mund të veçoni deri më tani nga jeta juaj futbollistike? Ka një arritje për të cilën jeni krenar?
Jam krenar që përfaqësoj Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe që jam pjesë e ekipit Kombëtar U-21. Gjithashtu jam krenar që luaj në Kategorinë Superiore në Shqipëri me një prej klubeve më me emër që ka shkruajtur historinë siç është Skënderbeu. Në të ardhmen patjetër synojë ekipin Kombëtar A dhe të luaj në një nga kampionatet më të forta në Europë.
Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull? Po lojtari i huaj?
Duke qenë që unë jam sulmues, për nga karakteristikat, grinta, forca dhe cilësitë që e karakterizojnë, preferoj Armando Brojën. Ndërsa nga lojtarët e huaj idhull kam Cristiano Ronaldon. Edhe pse karriera e tij është në perëndim dhe mosha nuk premton më ai ende luan në nivele të larta falë punës së palodhur, përkushtimit maksimal dhe sakrificave të mëdha për të arritur aty ku ai është sot.
Ëndrra më e madhe me Kombëtaren shqiptare si futbollist?
Ëndrra më e madhe është padyshim të kualifikohemi në Kupën e Botës dhe të luaj me Shqipërinë në turneun më të rëndësishëm futbollistik në botë.