Davide Calabria, kapiteni dhe mbrojtësi i Milanit, foli pas barazimit 1-1 në miqësoren kundër Rapid Wien.
“Jemi ende në fazë përgatitore, ndaj Rapidit u munduam të bëjmë atë që kemi provuar deri tani, por ka shumë për të parë, për të punuar dhe për të mësuar. Jemi vetëm në fillim dhe duhet të përmirësohemi shumë” , tha fillimisht mbrojtësi, që më pas foli për futbollin që aplikon trajneri i ri, Fonseca.
“Ka koncepte të reja, duhet t’i zhvillojmë dhe t’i bëjmë tonat dhe është e rëndësishme sepse në ndeshje nuk mund të flasësh apo të arsyetosh, ato duhet të bëhen automatike. Këto ndeshje miqësore nuk luhen për rezultat, këto minuta janë thelbësore pasi ne të gjithë përshtatemi së bashku. Turneu në SHBA? Do të luajmë kundër disa prej skuadrave më të rëndësishme, më të mirat në botë, jemi gati dhe mezi po presim të nisemi për në Amerikë dhe ta shijojmë këtë eksperiencë. Do të jetë interesante të shohim progresin me trajnerin, konceptet e reja të lojës”, tha Calabria.
Në fund, kapiteni “kuqezi” tregoi edhe pritshmëritë mbi goditjen e klubit, Alvaro Morata.
“Ai është një kampion i madh, ka pasur një karrierë të pabesueshme dhe vazhdon të tregojë se është një lojtar i nivelit të lartë. Ai sapo ka fituar Kampionatin Europian dhe jam i bindur se do të ndikojë për mirë, padyshim. Ne tashmë e njohim dhe mezi presim ta përqafojmë”, përfundoi Calabria.
Vullneti e komenton me Arionin situatën mes Sarës, Drilonit ...
Haradinaj në Junik: Plani ynë për Kosovën Fituese – an...
Salah dëshiron të vazhdojë me Liverpoolin, por s’ka as...
Osmani takon mërgimtarët në Kanada: Kudo, një copëz Kosove &...
GJKKO dënon me 2 vjet e 8 muaj burg ish-kryebashkiakun e Dur...
Murati – Bajramit: Hykmete, s’paske mësu as sot, ulu njësh