Saga e krimeve që çoi në vrasjen e trefishtë në Memaliaj

12:10 | 21 Korrik 2024
E.G

Atentati në orët e vona të 20 korrikut, ku mbetën të vrarë 3 persona dhe një tjetër u plagos, i ka rrënjët që në 2022, pas një hasmërie mes fisit Sadikaj-Kalemi dhe atij Papa. Kjo hasmëri ka sjellë disa viktima dhe atentate ndër vite, ku ngjarja më e fundit ishte pikërisht ajo e ekzekutimit të trefishtë në një lokal në Memaliaj.

Në atentatin në Memaliaj, shënjestër ishte Shyqeri Kalemi, 74 vjeç, babai i Andrea Kalemit, emri i të cilit është i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në Tiranë. I plagosur mbeti edhe Artur Kalemi, vëllai i viktimës Shyqyri Kalemi.

Fatkeqësisht nga atentati humbën jetën edhe dy persona të rastit, kamarieri dhe një klient që ishin në lokal në momentin kur autorët qëlluan me breshëri kallashnikovi.

Më pas autorët u larguan me automjetin tip BMW, që u gjet i djegur pak orë më pas në fshatin Bejaj të Mallakastrës. Brenda mjetit u gjendën edhe 3 armë me silenciator.

Mes dy fiseve kanë ndodhur një sërë vrasjes duke lënë pas shumë viktima. Saga nis me ekzekutimin e Aleksandër Sadikaj, i cili u eliminua me një shpërthim me telekomandë në makinën e tij në aksin Sauk-TEG më 11 qershor 2022. 27-vjeçari ishte një person me precedentë të theksuar kriminal në fushën e vjedhjes, krimeve ndaj personit dhe narkotikëve. Ai dyshohet se ka kryer një vrasje në Athinë për prishje pazaresh të drogës.

Vetëm 6 muaj më vonë ekzekutohen në Tiranë biznesmeni Edmond Papa, ku policia tha se është hakmarrje për vrasjen e Sadikajt. Si autor të ngjarjes ishin miqtë e Andrea Kalemit. Edmond Papa u ekzekutua më 16 dhjetor 2022 me 9 plumba në zonën e Selitës. Atë ditë ai kishte ardhur nga Saranda në Tiranë, ku autorët prej kohësh ruanin lëvizjet e tij.

Këto vrasje çuan në tre atentate të dështuar, dy ndaj Andrea Kalemit në 2023 dhe një ndaj vëllait të tij Adriatik Kalemi në janar të 2024.

Në pamundësi për të vrarë Andrea Kalemin, duket se hakmarrja këtë herë shënjestroi të atin e tij Shyqeri Kalemi, i cili humbi jetën mbrëmjen e 20 korrikut.

/rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme