Me ardhjen e verës, vijnë edhe ahengjet e familjare ku pothuajse në secilën prej tyre ka të shtënë me armë zjarri.
E lidhur me këtë Policia e Kosovës tashmë veçse ka nisur fushatën “Festo me zemër, jo me armë”.
Por a mjafton vetëm kjo fushatë për vetëdijesimin e qytetarëve, njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala për Arbresh.info thotë se ministria e Punëve të Brendshme duhet të vendos një program që nxit qytetarët që t’i dorëzojnë armët.
“MPB duhet që të ri-konceptoj modelin e saj preventiv për periudhën e verës por gjithashtu në mënyrë sistematike të vendos një program që nxit qytetarët edhe të dorëzojnë armët por edhe të kenë dhe jenë të kujdesshëm për pasoja dhe mënyrat e shkaktimit të rrezikut që kanë armët që përdoren në hapësira jo adekuate”, thotë ai.
Shala thekson se ka një rritje të vetëdijesimit nga qytetarët, por sipas tij rastet prap ndodhin si pasojë e një tradite që ishte zhvilluar dhe krijuar nga kombi shqiptar.
“Mund të themi që ka një rritje të vetëdijes qytetare por prap se prap rastet ndodhin si pasojë e një tradite që ishte zhvilluar dhe krijuar në periudha të së kaluarës si veprim ndaj pushtuesve për të treguar që kombi shqiptar ka arritur edhe një lidhje të re miqësore por edhe ka garantuar vazhdimin e traditës për pasardhës që do të kontribuojnë dhe shërbejnë në luftë për të mbrojtur tokën”, thekson ai.
Sipas tij tani duhet të rimendojmë konceptet tradicionale me elemente moderne duke minimizuar armët në duart e qytetareve që janë të pa kualifikuar.
Gjatë javës së kaluar policia ka arrestuar dy persona pasi kanë shtënë me armë zjarri, njëri në Ferizaj e tjetri në Podujevë.
“Ferizaj / 15.07.2024 – 23:30. Është arrestuar i dyshuari kosovar për shkak se kishte shtënë me armë gjatë një ahengu familjar. Nga i dyshuari është sekuestruar një pistoletë me gas dhe 3 fishekë. Në konsultim me prokurorin i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, kishte njoftuar policia përmes raportit 24 orësh.
“Rr. Skënderbeu, Podujevë / 14.07.2024 – 16:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se gjatë një ahengu familjar kishte shtënë me armë zjarri në ajër. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 20 gëzhoja ndërsa nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë me gas. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Nga Policia e Kosovës bëjnë të ditur për Arbresh.info se 107 armë janë sekuestruar nëpër ahengje vitin që lamë pas.
Në statistikat e policisë, bëhet e ditur gjithashtu se 82 persona janë arrestuar pasi kanë shtënë me armë zjarri.
Statistikat e Policisë se Kosovës sa i përket të shtënave me armë zjarri neper ahengje për periudhën 2023.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme, me 08 korrik filloi zyrtarisht fushatën ‘Festo me zemër, jo me armë’ me aktivitete në shkolla, takime me Këshillat Komunal për Siguri në Bashkësi, institucionet të sigurisë, institucione fetare dhe asamble Komunale në qytete të ndryshme në Kosovë.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe njëherësh koordinator nacional për kontrollin e armëve të vogla, të lehta dhe eksplozivit, në ditën e lansimit të kësaj fushate kishte thënë se do të dëshironte që kjo fushatë të zgjas gjithë vitin.
“Kjo fushatë dëshirojmë që të zgjasë gjithë vitin kundër përdorimit të armëve. Jemi mbledhë këtu për ta hapur fushatën vetëdijesuese duke pasur bindje që vetëm bashkë mund t’ia dalim për rrezikun kundër të shtënave festive. Misioni ynë është që të avancojmë nivelin e sigurisë në vendin tonë. Statistikat tregojnë që armët pa leje janë shkaktarë të vrasjeve. Në baza vjetore Policia e Kosovës konfiskon 1500 lloje të ndryshme të armëve pa leje”, kishte thënë ai.
Gjatë vitit 2023 (qershor-gusht) sipas të dhënave të publikuara ka pasur rritje të rasteve të përdorimit të armëve gjatë ahengjeve familjare për 17.60% të rasteve ose 25 raste më shumë së vitin e kaluar.
Në Republikën e Kosovës është e ndaluar dhe sanksionohet me ligj gjuajtja me armë zjarri, përveç në vende të caktuara dhe licencuara për gjuajtje (poligonet e gjuajtjes).
E shtëna me armë zjarri në ahengje dhe festime është vepër penale dhe është e ndëshkueshme me ligj./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Me pranga në duar e me 4 avokatë në mbrojtje, “Kobra...
Dita e Alfabetit Shqip, Begaj: Gjuha e shqiponjave do të mbi...
Hyrja e “lirshme” e drogës në burgjet e Kosovës, për tre vje...
Pacolli udhëton me tren: Moment qetësie larg zhurmës së përd...
Intervista e Ronaldo-s me MrBeast-in po thyen rekorde, 17 mi...
Kurti: Synim i Serbisë mbetet hakmarrja, Kosova duhet të jet...