Google ADS

Haxhiu: Nuk mund ta dimë me siguri që Faton Hajrizi është vrarë, nevojitet hetim për ta zbardhur të vërtetën

13:05 | 20 Korrik 2024
E.K

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar lidhur me raportimet për vrasjen në Serbi të të arratisurit nga burgjet e Kosovës, Faton Hajrizi dhe rastet e arratisjeve të fundit.

Me anë të një postimi në Facebook, Haxhiu ka shkruar se nëpërmjet ish zëdhënësit të partisë së Sllobodan Millosheviqit (SPS), tash kryetar i saj dhe ministër i punëve të brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, u dha lajmi se i arratisuri nga burgu në Kosovë, Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra të rënda kriminale, është vrarë.

Haxhiut ka theksuar se nevojitet një hetim edhe për aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit, të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë.

“Informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj nuk mund ta dijmë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë detajet tjera të rëndësishme e të nevojshme për hetim. Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti. Një hetim vendor dhe ndërkombëtar është i domosdoshëm që të hetojë aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë, dhe krijimin atje të një ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës. Si ministre e drejtësisë, ofroj bashkëpunimin e plotë të shtetit tonë në këtë drejtim”, deklaroi Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se e dënojnë vrasjen e policit në Lloznicë të Serbisë, por ka thënë se narracioni që ka përdorur ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, për rastin është i qëllimshëm dhe i parapërgatitur./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme