Portieri shqiptar, Alen Sherri afër transferimit te klubi i njohur i Serie A

12:42 | 20 Korrik 2024
E.K

Portieri shqiptar i Egnatias, Alen Sherri thuhet se është afër të bëjë hapin e madh në karrierë, duke u transferuar në transferimit te skuadra e Cagliarit.

Sherri është njëri nga portierët më të mirë të kampionatit shqiptar në vitet e fundit me fanellat e Vllaznisë, Lacit dhe Egnatias, duke grumbulluar mbi 200 paraqitje.

Paraqitjet e tij të mira me Egnatian, duke i ndihmuar të bëhen kampion të Shqipërisë dhe ta fitojnë Kupën, kanë bërë që Sherri të përcillet nga kampionatet evropiane.

Sipas gazetarit të njohur italian të Sky Sport, Gianluca Di Marzio, Cagliari po përgatitet të mirëpresë Sherrin, portierin shqiptar të lindur në vitin 1997.

Di Marzio shton se Sherri do të jetë zëvendësi i Simone Scuffet, ndërsa transferimi i tij do t’i kushtojë klubit të Serie A rreth 500 mijë euro.

Ndryshe, Sherri në sezonin aktual ka luajtur tashmë dy ndeshje kualifikuese në Ligën e Kampionëve, duke treguar vlerën e tij në nivel ndërkombëtar.

Portieri debutoi me kombëtaren shqiptare në nëntor të 2022 dhe synon të rifitojë fanellën e kombëtares falë paraqitjeve me Cagliarin. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme