Rrezik për mungesë të ujit, parashihet në vitin 2050 për territorin e Kosovës.
Raporti i NATO-s për ndryshimet klimatike, në pjesën për Kosovën, shpërfaq rrezikun nga rritja e temperaturave, shpeshtimin e rasteve të zjarrit dhe thatësirat.
Si rezultat i këtyre, problematike shihet furnizimi me ujë.
“Deri në vitin 2046-2065 disponueshmëria e ujit pritet të bie për 20%”
Njohës i sektorit dhe zhvillimit të ujërave, Baton Begolli në një prononcim për Arbresh.info ka theksuar se Kosova është nën stres ujorë sepse nuk ka ujë të mjaftueshëm në dispozicion.
“Atë që ka thënë shefi i NATO-së e themi edhe ne që sa vite, por jo me këtë titull dramatik. Duhet kuptuar që Kosova është shtet me stres ujor, pra nuk ka ujë të mjaftueshëm në dispozicion për të përmbushur nevojat e saj. Kosova sot konsiderohet të ketë 1700 m3 për kokë banori për vit, që i bie të jetë vetëm 16% e mesatares së rajonit. Nga 4 pellgjet e Kosovës, pa numëruar pellgun e Pllavës që është i vogël për qëllime të planifikimit, vetëm pellgu i Drinit të Bardhë ka ujë mjaftueshëm ndërsa tri pellgjet tjera, Ibri, Lepenci dhe Morava e Binçës, kanë stres ujor. Deri më 2046-2065 për shkak të ndryshimeve klimatike, disponueshmëria pritet të bie për 20%”, tha Begolli.
Sipas Begollit për shkak të mungesës së ujit, Qeveria është detyruar të ndërtoj pesë diga.
“Pra nëse rrimë pa vepruar, e që nuk është rasti, atëherë mbetemi “pa ujë”. Gjitha liqenet kryesore në Kosovë janë liqene artificiale, që janë ndërtuar dekada më parë për të siguruar ujë për furnizim me ujë, ujitje dhe prodhim të energjisë. Vetëm 10% të ujërave të Kosovës vijnë nga jashtë kurse të tjerat burojnë brenda dhe dalin shpejtë nga territori i Kosovës. Pra ne obligohemi t’i deponojmë këto ujëra, të ndërtojmë diga – jo prej qejfit por prej zorit. Pikërisht këtu Qeveria është duke vepruar drejtë ndërtimit të 5 digave të reja, p.sh. diga e Firajës që synim të vetëm ka sigurimin e ujit të pijes për rajonin e Ana Moravës. Pastaj diga e Kamenicës që synohet të përdoret për furnizim me ujë të pijes dhe ujitjes si dhe menaxhim të përmbytjeve. Ministria e Mjedisit po ashtu është duke shqyrtuar zhvillimin e digave të Dragaqines, Pollates dhe Kuçices”, shprehet mes tjerash Begolli.
Qeveria kosovare dhe ajo zvicerane në bashkëpunim për menaxhimin e resurseve në Kosovë
Mes tjerash, ai bëri të ditur se përmes një projekti të bashkë-financuar nga Banka Botërore, qeveria zvicerane dhe BE, projekti FLOWS, që po përgatit digën e Kamenicës është duke u hartuar edhe masterplanin e digave që do të shqyrtojë dokumentet planifikuese dhe sektoriale të mëhershme dhe të propozojë ku dhe çfarë diga i nevojiten Kosovës në të ardhmen.
“Po ashtu ky program në bashkëveprim me iniciativa paralele të Ministrisë po trajtojnë edhe sigurinë e digave ekzistuese dhe funksionalizimin e digës së Livoçit dhe trajtimin e liqenit të Busotavës, nëse ka mundësi financiare”, tha tutje Begolli
Përveç kësaj, qeveria e Kosovës dhe e Zvicrës përmes një bashkëpunimi kanë hartuar planin për menaxhimin e pellgjeve lumore.
“Të ndërlidhur ngushtë me këto iniciativa është programi paralel, i bashkë financuar nga qeveria e Zvicrës dhe e jona, për menaxhimin e integruar të resurseve ujore të Kosovës që në mes tjerash ka hartuar planet e menaxhimit të pellgjeve lumore të Ibrit, Moravës së Binçës dhe Lepencit, si dhe programet e masave për to. Plani për Drinin e Bardhë veçse është hartuar dhe miratuar rishtazi. Po i njëjti program, në mes tjerash, po zhvillon krijimin e kapaciteteve të reja njerëzore, siç është programi master pranë Universitetit të Prishtinës për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore, sepse pos ndërtimit të infrastrukturës ujore është po aq me rëndësi, nëse jo edhe më e rëndësishme, zhvillimi i kuadrit profesional”, u shpreh tutje Begolli.
“Kosova në mungesë të resurseve ujore”
Ilir Adbullahu, njohës për këtë çështje për portalin Arbresh.info ka theksuar se si pasoj e ngrohjes globale, Kosova mund të ballafaqohet me mungesa të ujit në të ardhmen.
“Mund të them që ngrohja globale e ka bërë të vetën, kështu që Kosova është një vend që ka mungesa të resurseve ujore d.m.th. gjithmonë ekziston rreziku i asaj që ne në një të ardhme të ballafaqohemi me mungesa të ujit. Ajo çfarë kisha apeluar është që uji i pijes të ruhet maksimalisht e sidomos të mos keqpërdoret”, deklaroi Abdullahu.
Mes tjerash, Abdullahu potencoi që edhe pse nivelet e ujit të liqeneve në vend janë të larta, prapë shteti duhet të investoj në ngritjen e rezervuarëve artificial.
“Në këto momente, nivelet e liqeneve janë në kuotat maksimale por këto nivele do të bijnë shpejt nëse ne nuk do të dimë ta menaxhojmë dhe ta ruajmë ujin si diçka që gjithmonë është kërkesë për furnizim e sidomos pas këtyre ndryshimeve klimatike që po ndodhin në vendin tonë. Mundësit edhe krizat do ta përcjellin dekadat që po vijnë. Shteti duhet të investoj të ngritjen e akumulacioneve të reja të rezervarëve artificial, që ne të kemi sa më shumë miliona metra kub të akumuluar nëpër lokacione të ndryshme të Kosovës, atje ku gjeografia e terrenit neve na mundëson që të ngritim rezervarë artificiale”, u shpreh ai.
Megjithëkëtë, Abdullahu ka apeluar që të ruhet uji i pijes dhe të mendojmë për një zgjedhje për të ardhmen.
Ndryshe, raporti i NATO-s për ndryshimet klimatike, në pjesën për Kosovën, shpërfaq rrezikun nga rritja e temperaturave, shpeshtimin e rasteve të zjarrit dhe thatësira.
“Parashikimet e temperaturave më të larta dhe rreziku i shtuar i zjarreve, pakësimi i reshjeve dhe rritja e popullsisë, sugjerojnë që deri në vitin 2050, katër nga pesë ujërat e Kosovës mund të përballen me mungesë uji, gjë që mund të ndikojë në furnizimin me ujë si për popullatën lokale, si dhe personelin e KFOR-it. Si përfundim, mund të ndikojë në punën e aktorëve të sigurisë në Kosovë. Së pari, rritja e ngjarjeve të lidhura me klimën mund të shtrojë kërkesë të shtuar për FSK-në që të ofrojë mbështetje për autoritetet civile. Përveç kësaj, kjo gjithashtu mund të rrisë kërkesën për Burimet e KFOR-it për të ndihmuar drejtpërdrejt institucionet në Kosovë”, thuhet në raport.
Mungesa e ujit në Kosovë është një çështje e rëndësishme dhe komplekse e cila ka ndikuar negativisht në jetën e shumë qytetarëve.
Faktorët që kontribuojnë në këtë situatë përfshijnë infrastrukturën e dobët, menaxhimi i dobët i resurseve, ndryshmet drastike klimatike si dhe ndotja e lumenjve dhe burimeve të tjera ujore./Arbresh.info/Ejona Hyseni
Nis darka e të nominuarëve pyetjet pikante nga publiku
Lajçak takon ministrin francez: Diskutuam për rëndësinë e di...
Lela: Gresa protagoniste, u përplas me të gjithë banorët (VI...
Hamza për Thaçin dhe Veselin: Mungesa e tyre ka qenë një god...
Lewandowski e kujton kohën kur gati i ishte bashkuar Manches...
Policia braziliane akuzon ish-presidentin Bolsonaro për tent...