Një gjykatë në Rusi ka nisur të premten seancën me argumentet përmbyllëse në rastin e gazetarit amerikan, Evan Gershkovich, i cili është akuzuar për “spiunim” dhe po mbahet në burgun rus prej vitit të kaluar.
Ndalimi i tij është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe gazeta për të cilën ka punuar, e përditshmja amerikane, Wall Street Journal.
“Gjykatësit kanë hyrë në dhomë. Leximi i argumenteve përmbyllëse ka nisur”, ka thënë zëdhënësja e gjykatës, Yekaterina Maslennikova.
Procesi gjyqësor po mbahet me dyer të mbyllura në Jekaterinburg, ku edhe është ndaluar Gershkovich.
Ai është arrestuar më 29 mars 2023, sa ka qenë në një udhëtim pune, dhe është akuzuar se ka tentuar të mbledhë sekrete ushtarake për t’ia dhënë Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në SHBA.
Ai është gazetari i parë që është arrestuar në Rusi nën akuzat për spiunim prej Luftës së Ftohtë.
Gershkovich, 32-vjeçar – ka lindur në SHBA dhe është i biri i imigrantëve që janë shpërngulur nga Bashkimi Sovjetik i dikurshëm.
Ai përballet me 20 vjet burgim, nëse shpallet fajtor.
Ambasada amerikane në Moskë ka thënë se autoritetet ruse kanë dështuar që të ofrojnë dëshmi për akuzat ndaj gazetarit dhe ka kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.
Arrestimi i tij ka ndodhur rreth një vit pasi Rusia ka miratuar ligje të reja, të cilat e kanë bërë vepër penale kritikën ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, të cilën Moska e quan “operacion special ushtarak”.
Gershkovich është një prej dy gazetarëve amerikanë që po mbahen në burgjet ruse.
Alsu Kurmasheva, me shtetësi ruso-amerikane, gazetare veterane e Radios Evropa e Lirë (REL), është ndaluar nga autoritetet ruse prej tetorit të vitit të kaluar, me arsyetimin se ka dështuar që të regjistrohet si “agjente e huaj”.
Një regjistrim i tillë është i detyrueshëm sipas një ligji rus që synon të shënjestrojë gazetarët, aktivistë të shoqërisë civile dhe ata që nuk kanë qëndrime të njëjta me pushtetin.
Kurmasheva është akuzuar ndërkohë edhe për përhapje të informacioneve të rreme për ushtrinë ruse dhe mund të përballet me 10 vjet burgim.
Radio Evropa e Lirë dhe Qeveria amerikane kanë thënë se akuzat ndaj saj janë hakmarrje për punën që ka bërë si gazetare për REL-in në selinë e kompanisë në Pragë.
Hoti: Buxheti 2025 u miratua me dy shkelje ligjore, Zyra e P...
Hoti: Nuk do të lejoj të më njolloset emri, ministri Peci të...
Drenusha-Sarës: E di që vet ia del, nuk ke nevojë për ndihmë...
Inaugurohet fillimi i punimeve për ndërtimin e Parkut Indust...
Dita e Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK të mërkurën org...
Ambasadori izraelit: Marrëveshja për armëpushim me Hezbollah...