DASH: Tensionet me Serbinë pengesë për tërheqjen e Investimeve të huaja

20:10 | 18 Korrik 2024
E.G

Një raport i përvitshëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve ofron informacion mbi mjedisin e të bërit biznes në më shumë se 160 ekonomi të botës. Në raport DASH-i përvijon sfidat dhe përparësitë e të bërit biznes në Shqipëri dhe në Kosovë.

Në pjesën për Kosovën, raporti i DASH-it vë në dukje se tensionet e vazhdueshme me Serbinë vazhdojnë të jenë pengesë për tërheqjen e Investimeve të huaja.

Ekonomia e Kosovës, thuhet në raport, ka dëshmuar qëndrueshmëri të konsiderueshme në vazhdën e goditjeve globale dhe rajonale, duke përfshirë pandeminë COVID 19, agresionin rus në Ukrainë dhe rritjen e shpejtë të çmimeve të mallrave.

Sipas raportit Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore parashikuan rritjen ekonomike prej afërsisht 4.0 për qind në vitin 2024. Investimet e Huaja mbeten të kufizuara, ndërsa dërgesat nga diaspora vazhdojnë të përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të Prodhimit të Brendshëm të Kosovës.

Raporti vë re se Kosova ka marrë masa për të përmirësuar klimën e investimeve me veprimet e qeverisë për të thjeshtuar regjistrimin e bizneseve dhe për të zvogëluar pengesat burokratike. Megjithatë, rritja ekonomike dhe produktiviteti vazhdojnë të kufizohen nga çështje strukturore, duke përfshirë një ekonomi të madhe joformale, varësinë nga dërgesat e diasporës për konsum dhe shkallën e lartë të papunësisë mes grave dhe të rinjve.

“Një treg i brendshëm i vogël, ndonëse në rritje, integrimi i kufizuar rajonal dhe tensionet e vazhdueshme me Serbinë, vazhdojnë të jenë pengesat më të rëndësishme për tërheqjen e Investimeve të Huaja të Drejtpërdrejta”, thuhet në raport, në të cilin theksohet se politikat ndonjëherë ‘tekanjoze” ekonomike të qeverisë së Kosovës, ndërhyrja politike në ekonomi dhe dialogu i kufizuar publiko-privat, paraqesin gjithashtu sfida për investitorët.

Raporti thekson se në qershor të vitit 2023, qeveria e Kosovës, duke iu referuar shqetësimeve të sigurisë, ndaloi hyrjen e mallrave të gatshme me origjinë serbe në Kosovë.

“Ndalimi shkaktoi paqartësi të madhe tek importuesit dhe ndikoi negativisht në kompanitë në pronësi të subjekteve të huaja në Kosovë për shkak të ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit. Përkundër kërkesave të përsëritura, qeveria e Kosovës nuk ka dhënë asnjë shpjegim se si ky ndalim ka zbutur kërcënimet e sigurisë”, thuhet në raport.

DASH-i thekson edhe çështjen e rregullim administrativ të regjistrimit të bizneseve që kërcënoi mbylljen e disa bizneseve dhe me mediumi gjatë vitit 2023 si dhe vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e euros si monedhe të vetme pët pagesa me para në dorë “vetëm me një muaj paralajmërim, duke kufizuar ashpër qasjen në mbështetjen financiare nga Serbia të të komunitetit serb”.

Në raport thuhet se ligjet dhe rregulloret e Kosovës janë në përputhje me standardet ndërkombëtare për mbështetjen dhe mbrojtjen e investimeve, por zbatimi mbetet i dobët. Aty përmendet se më ndihmën e qeverisë amerikane Kosova themeloi një Gjykatë Komerciale në gusht të vitit 2022, e cila synon të trajtojë kontestet e biznesit në mënyrë të drejtë, efikase dhe të parashikueshme. Gjykata pritet të përmirësojë mjedisin e të bërit biznes duke ulur mundësitë për korrupsion dhe duke ndërtuar besimin e investitorëve dhe sektorit privat në sistemin gjyqësor.

“Investitorët i tërheq popullsia e re e Kosovës, kostoja e ulët e punës, afërsia me tregun e BE-së dhe burimet natyrore. Ndërprerjet globale të furnizimit të shkaktuara nga pandemia COVID-19 kanë ngjallur një interes më të madh nga disa biznese për ta përdorur Kosovën si bazë për prodhim që synon tregun e BE-së”, thuhet në raportin e DASH-it./voa/

Të ngjashme