Google ADS

KOMF: I mirëpresim përpjekjet e Qeverisë për avancimin e shtesave për fëmijë​

14:03 | 18 Korrik 2024
R J

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) e ka mirëpritur vendimin e Ministrit të Financave për dyfishimin e shtesave për fëmijë.

Në reagimin e tyre thuhet se dyfishimi i shtesave është dokumentuar në shumë vende të botës si instrument efektiv në zbutjen e varfërisë së fëmijëve, parandalimin e uljes së natalitetit dhe rritjen e mirëqenies së fëmijëve dhe familjeve.

KOMF ka dalë edhe më një propozim me qëllim të krijimit të një skeme të shtesave për fëmijë gjithëpërfshirëse, efektive dhe të qëndrueshme, propozimi është si më poshtë:

– Rishikimin e skemës së shtesave për fëmijë me qëllim të përfshirjes së fëmijëve deri në moshën 18 vjeçare. Aktualisht kjo skemë nuk është gjithëpërfshirëse, pasi përfshinë fëmijët deri në moshën 16 vjeçare. Legjislacioni në Kosovë por edhe Konventa për të Drejtat e Fëmijës përcakton moshën e fëmijës deri në moshën 18 vjeçare. Përfshirja e fëmijëve deri në moshën 18 vjeçare është e nevojshme sidomos duke pas parasysh faktin që aktualisht nuk ka ndonjë skemë të aplikueshme për mbështetjen e fëmijëve të moshës 16 – 18 vjeçare.

– Rritjen graduale të shtesave për fëmijë duke filluar nga viti i ri fiskal për të siguruar mirëqenien e fëmijëve. Shuma aktuale e shtesave për fëmijë vazhdon të jetë e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e fëmijëve.

– Hartimin e bazës ligjore për shtesat për fëmijë për të siguruar qëndrueshmëri, duke qenë se aktualisht shtesat për fëmijë ofrohen në bazë të një vendimi.

– Krijimin e procedurave lehtësuese për aplikimin dhe përfitimin e shtesave për fëmijë për fëmijët pa kujdes prindëror. Aktualisht, fëmijët pa kujdes prindëror nuk gëzojnë këtë të drejtë dhe nuk përfitojnë nga shtesat për fëmijë. /Arbresh.info/

Të ngjashme