Google ADS

Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, reagojnë veteranët e Ferizajt

23:11 | 17 Korrik 2024
E.G

Organizata e veteranëve të luftës së UÇK-së dega në Ferizaj ka reaguar lidhur me arrestimin e Blerim Ramadanit në Maqedoninë e Veriut në bazë të një fletë arersti të lëshuar nga Serbia.

Sipas njoftimit, Ramadani është arrestuar mesditën e sotme nga policia e Maqedonisë së Veriut,derisa po futej në këtë shtet, në bazë të një aktakuze të ngritur nga Serbia, shkruan Arbresh.info.

Duke shprehur indinjatën e thellë për arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së, dega OVL UÇK në Ferizaj bën apel tek shteti Maqedon që menjëherë të lirojë Blerim Ramadanin, dhe kërkon nga qeveria e Kosovës që të përdorë të gjitha mjetet diplomatike e juridike për lirimin sa më të shpejtë të Ramadanit.

“Ne veteranët e UÇK-së të Komunës së Ferizajt shprehim indinjatën e thellë për arrestimin e bashkëluftëtarit tonë Blerim Ramadani. Blerim Ramadani gjatë mesditës së sotme u arrestua nga organet policore të Republikës Veriore të Maqedonisë, për shkak të veprimtarisë së tij të ngjeshur në shërbim të luftës për çlirim, akuza të fabrikuara këto nga shteti i Serbisë.”, thuhet në njoftim.

Sipas veteranëve, aktakuzat e fabrikuara dhe arrestimet e bashkëluftëtarëve ende sot pas 25 viteve janë të padrejta dhe shqetësuese për të gjithë ne veteranët.

“OVL UÇK dega në Ferizaj bën apel tek Maqedonia e Veriut që menjëherë të lirojë Blerim Ramadanin, kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Drejtësisë që të përdorë të gjitha mjetet diplomatike e juridike për lirimin sa më të shpejtë të bashkëluftëtarit të lirisë, veteranin e ditëve të para. Lufta e UÇK-së ishte e pastër me angazhimin e shumë djemve e vajzave të Kosovës të rreshtuar në radhët e UÇK-së, ishte dhe do të mbetet e pacenueshme dhe nuk do të njolloset asnjëherë”, thuhet në reagimin e OVL të UÇK-së dega në Ferizaj./Arbresh.info/

Të ngjashme