Google ADS

18-vjet burg për komandant “Ujkun”

15:59 | 17 Korrik 2024
E.G

Pas më shumë se një viti gjykim, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur fajtor ish-luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

Komandat “Ujku” është dënuar me 18-vjet burgim për ndalim arbitrarë të 18 personave, torturë ndaj 18 personave dhe vrasje të paligjshme të një personi në Fabrikën e Metalit në Kukës në periudhën mes 17 majit 1999 deri me 5 qershor të po atij viti.

Për pikën 1 të akuzës, Shala u dënua me 6 vjet burgim, me 16 vjet burgim për pikën tre dhe 18 për pikën 4. Andaj, ndaj tij u shpall dënim unik me 18 vjet burgim. Në dënimin me burgim, të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia ka konstatuar se viktimat ishin persona të cilët dyshohej se bashkëpunonin me Serbinë ose nuk e përkrahnin UÇK-në si dhe nuk merrnin pjesë në luftime.

Procesi gjyqësor ndaj komandant “Ujkut” ka nisur me 21 shkurt 2023 si dhe i njëjti është deklaruar i pafajshëm nga të gjitha pikat e akuzës.

Për këtë rast, ZPS-ja ka thirrur 10 dëshmitarë, mbrojtësi i viktimave dy e mbrojtja e Shalës 10 dëshmitarë.

Menjëherë pas dhënies së dënimit, reagimet kanë qenë të shumta dhe të menjëhershme.

Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, e ka mirëpritur vendimin.

“Arritja e vënies para përgjegjësisë për krime të rënda – përfshirë edhe kundër atyre personave si z. Shala që kishin shmangur më parë për disa vjet juridiksionin e gjykatave të Kosovës – është një hap i rëndësishëm për sundimin e ligjit”, tha ajo.

“Dita e sotme është gjithashtu një ditë kur ne kujtojmë dhe përulemi para viktimave të krimeve të z. Shala, që ishin kryesisht shqiptarë të Kosovës, dhe atyre familjeve që kanë pritur për një çerek shekulli që i akuzuari të vihet para përgjegjësisë”, vazhdoi prokurorja West.

Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar për dënimin e Shalës duke thënë se vendimi i Gjykatës Speciale është vazhdimësi e verdikteve drakoniane ndaj çlirimtarëve, të cilët sipas tij, luftuan vetëm për lirinë e popullit.

“Lufta e UÇK-së është pjesa më e lavdishme e historisë së Kosovës, të cilën askush dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë e ta rishkruajë”, tha Krasniqi.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka akuzuar Gjykatën Speciale se po merr vendime politikisht.

“Gjykata Speciale në Hagë në emër të popullit dënon luftëtarët e UÇK-së, por duke u bazuar në dëshmi të pushtuesit serb e me dëshmi të dëshmitarëve të fshehur nga populli. Ashtu sikur në aktgjykimet e kaluara, edhe në rastin e bashkëluftëtarit Pjetër Shala, Gjykata Speciale aktgjykimet i merr politikisht”, ka shkruar Klinaku.

Deri me tani, Dhomat e Specializuara kanë shqiptuar dënim për pengim të drejtësisë ndaj ish krerëve të OVL e UÇK-së, Nasim Haradinaj e Hysni Gucatin, të cilin vitin e kaluar e liruan me kusht.

Pjeter Shala i njohur si komandant “Ujku” është arrestuar në mars të 2021-tës në Belgjikë dhe ishte transferuar në paraburgim në Hagë në prill të atij viti.

Ndërsa, po vazhdon ende procesi gjyqësor edhe ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Dhoma e Specializuar e Kosovës është themeluar për të hetuar pretendimet se anëtarët e UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë Luftës së Kosovës 1998-99.

Ajo funksionon sipas ligjit kosovar, por është e vendosur në Holandë për të mbrojtur dëshmitarët nga kërcënimet./Arbresh.info/E.H

Të ngjashme